5 ~ Plani legjendar (2)

161 7 161
                                    

'Këtë të mësoi dokumentari ty? Si të zhvatësh të pasurit?'

'Dokumentari... më mësoi si të ndryshoj mënyrën e të menduarit. Boll kam menduar si një fukara i dëshpëruar. Boll jemi qarë për halle. Boll me jetë mjerane. Erdhi koha të veprojmë. Nëse mendon se do ia dalësh, në fakt... do ia dalësh vërtetë. Ky është shpirti!' Xhonua e kishte marrë shumë seriozisht idenë e planit. Lëvizte sa majtas-djathtas, duke shpjeguar me dëshirë të madhe.

'Eh, në fakt ke të drejtë. Jam lodhur nga kjo jetë e varfër. Ma ka sjellë në majë të hundës. Do të ishte mirë nëse do të bëheshim të pasur në një mënyrë të thjeshtë, pa u lodhur.' Flisja tek shihja tavanin, që po pikonte, dhe nuk kishim para për të izoluar çatinë.

'Pikërisht Bebe. Kështu vazhdo të mendosh! Do të bëhemi milionerë brenda një kohe shumë të shkurtër.'

'E po pastaj? Do ta kalojmë jetën me njerëz që s'i duam? Se ne do i zhvasim ata, normalisht duhet të jemi me ta pastaj.'

'Kloe... o Zot, po më dhemb koka nga gjithë këto shpjegime. Qenka e vështirë të jesh një lider plani. Por gjithsesi, dikush duhet ta bënte. Shiko si do e bëjmë... Më sill një nga ato tabelat që pikturon ti o Bebe! Edhe një kolor.'

'Unë mezi i bleva ato. Edhe dy më kanë mbetur.'

'Edhe? Tani do të të mbetet veç një. Sille tani!'

'Po jo... Kisha frymëzim për të pikturuar unë sot. Nuk ta jap dot.'

'Bebe... Mendon se ato zhgarravinat e tua janë më me vlerë se plani im? Sille tani, mos bëj shumë fjalë! Me tabelat që ke ti... thjesht do të pikturosh e do i lësh mënjanë. Kurse me planin... ke mundësi të hapësh edhe një studio më vete për piktura. Arrin ta dallosh ndryshimin apo jo? Tani lëri fjalët dhe ma sill këtu!'

'Në rregull pra... Ama dua studio pikturash me patjetër unë!'

'Aman, ta bëj unë dhuratë o Bebe. Po ma sill tani, se po harxhojmë kohë kot.'

U ndjeva keq kur shkova nga dhoma tjetër për të marrë tabelën. Eh... Më pëlqente shumë të pikturoja. Por me kalimin e kohës u harrua si pasion. Më saktë... e mbylla vetë në një sirtar të fshehtë dhe e zuri pluhuri aty.

'Epo s'ma merrte mendja që do të vinte edhe kjo ditë. Xhonua të pretendojë se është lider... me kolor në dorë, të shkruajë.'

'Vëmendje tani! Plani... legjendar... Gjëja e parë që do të bëjmë është... të vihemi në kërkim të njerëzve më të pasur të Shqipërisë. Top lista...'

Hera e parë që e shihnim Xhonon aq të vendosur për diçka. Shkruante i lumtur pikat e planit.

'Kjo është e thjeshtë. Ja ta kërkoj unë shpejt e shpejt.'

'Bravo Kloe! Dhe nuk është vetëm kjo e thjeshtë. I gjithë plani është i tillë. Sigurisht, krahasuar me mënyrat e tjera të vështira.'

'Ja cilat janë 10 familjet më të pasura në Shqipëri për vitin 2019... Paska ca informacione koti si fillim, po e çoj direkt te lista. Familja Roda kryeson listën, për të katërtin vit radhazi, që nga momenti i drejtimit të bizneseve nga djali i zotit Artan Roda, 26 vjeçari Antonio Roda. Sipërmarrësi i ri në moshë ka zgjeruar tashmë bizneset edhe jashtë vendit duke lidhur kontrata miliona dollarëshe me sipërmarrës të huaj, duke bërë kështu shumë bujë në mediat më prestigjioze të biznesit, si *Forbes. Fuqia e kësaj familjeje vazhdon të rritet, duke zotëruar tashmë bizneset më të rëndësishme në vend. Zotërues të qendrës më të madhe tregtare në Shqipëri, kompanisë më të rëndësishme të ndërtimit, një zinxhiri të gjatë restorantesh, hotelesh e së fundmi... bomba që Antonio Roda lëshoi duke deklaruar themelimin e një kompanie ajrore.' Teksa Kloe lexonte, unë ndieja një zjarr brenda meje të ndizej gjithmonë e më shumë. Më pëlqente ajo që kishin ata. Doja ta kisha edhe unë.

ZhvatësitOnde histórias criam vida. Descubra agora