Pjesa 2

825 93 240
                                    

E tmerrshme kishte qënë ajo ditë për të. Nuk kishte dalë tërë ditën nga dhoma, nuk kishte ngrënë asgjë, nuk kishte folur me askënd, por i kishte dhuruar vetes pak kohë vetëm. Kishte menduar e kishte qarë. Kishte humbur çdo fije shprese dhe ndonjëherë tentonte t'i gjente përsëri por e kishte tepër të vështirë.

Në derën e dhomës kishin trokitur të gjithë me rradhë, por nuk kishte guxuar të përballej me asnjë fytyrë.

Tërë natën s'kishte vënë gjumë në sy. Ishte e shkatërruar. Ishte e lodhur ende pa nisur mirë luftën. E, në fakt ajo nuk ishte e lodhur nga lufta, por shpresat e shuara.

U ngrit nga krevati atë mëngjes dhe shkoi drejt pasqyrës së dhomës.
Ç'zymtësi! Ç'hije vdekatare kishte pushtuar atë fytyrë aq të njomë, të brishtë.

Sytë i ishin enjtur e i ishin skuqur, gjak, gjak të kuq. Nëpër to dalloje ende ca sumbulla lotësh për të dalë në sipërfaqe në momentin e parë.
Ajo blu që gjithmonë rrezatonte e kishte një shkëlqim të vetin, sot ishte nxirë, dukej katran e errët.

Flokët e zeza, kaçurrela i ishin ngatërruar më shumë se zakonisht. Fytyra i kishte marrë një çehre të hidhur, buzëqeshja i kishte vdekur, ishte arratisur nga fytyra e saj. Nuk po formoheshin më ato gropëza në faqet e saj topolake, dukej sikur ishin mbushur me hidhërim.
Dhe ai nishani sipër buzës sikur ishte venitur, s'ishte më i njëjti.

Çdo gjë i dukej ndryshe rreth vetes së saj, çdo gjë i dukej e pështirë, pa shije, sikur jeta kishte vjellë vrer mbi të.

Mori telefonin nga komodina dhe seç shtypi ca shkronja shpejt e shpejt. E hodhi mbi krevat dhe rrotulloi përsëri çelsin dy herë.

Nuk pa askënd rreth e rrotull, me siguri duhet të ishin ende në gjumë dhe i erdhi mirë. Nuk donte të përballej me askënd.

Hyri ne tualet dhe hoqi rrobat. Ndjeu
morrnicat t'i vishnin trupin nga i ftohti, megjithatë ajo nuk tentoi t'i vrasë ato morrnica, i shijoi ndjesia e ftohtësisë.

La që piklat e ftohta të ujit të puthnin lëkurën e saj borë të bardhë që tashmë ishte mavijosur pak nga i ftohti.

Buza i ishte nxirë e dëgjohej kërcitja e dhëmbëve. A thua se i interesonte asaj?

Nuk reagonte. Nuk i shkonte ngrica deri në shpirt. Edhe pse dridhej, nuk donte tia dinte. Në shpirtin e saj bënte më ftohtë se kaq.

Oh, aty kishte nisur stuhia e ngrica me kohë! Aty s'kishte diell.

Mbylli rubinetin e mori peshqirin e bardhë duke e rrethuar rreth trupit të lakuriqtë. Flokët qull, pikonin pik-pik mbi pllaka.

Doli nga tualeti dhe menjëherë u has me fytyrat e shqetësuara të prindërve dhe motrës së saj.

-Sam, xhan i mamit si je?

-Mirë!- lëshoi një fjalë të thatë dhe bëri të largohej drejt dhomës, por fjalët e së motrës e ndaluan.

-Nëse ke vendosur të kyçesh e të vdesësh në atë dhomë, dije se po ia del mjaft bukur. Ama dije se nuk është zgjidhje, është arratisje. Ti vetë më ke thënë të mos arratisem nga problemet, por t'u bëj ballë.

-Nuk është problem Dan, është jetë.- kishte ndaluar por qëndronte me shpinë nga të gjithë duke përqëndruar shikimin te një pikë e zezë që ishin dekoruar pllakat e bardha.

Pse po shikonte të zezën kur aty kishte dhe të bardhë?
Në një luftë bardh e zi, përse të bëhesh mike e së zezës kur ke dhe të bardhën?

-Pra, po arratisesh nga jeta?- nuk mundi t'i kthejë përgjigje së motrës, ndoshta, sepse kishte të drejtë.

Ku ishte zytur ai shpirti që çdo gjë e kalonte me të qeshur? Ai shpirti që çdo problem e rrihte mirë e mirë pa patur mundësi të zmadhohej, të njëjtën gjë duhet të bënte dhe me kancerin, por ndihej kaq e dobët, sikur fuqia te kishte shterur para asaj sëmundje.

Një frymëmarrje më shumë.Where stories live. Discover now