23

684 64 89
                                    

Kishin kaluar dy orë të mira të mbushura me ankth që pas bisedës që kishte bërë me Emën. Ndihej më nervoze se kurrë dhe qetësinë e mëparshme s'kishte mundur ta ruante për shumë gjatë.

Ishte duke ecur përqark korridorit të spitalit me kokën ulur, vështrimin ngulur te këmbët e veta që s'i mbante dot në një vend.

-Mami, - dëgjoi një zë të ëmbël larg saj.

Ndaloi menjëherë lëvizjen e vështrimin e çoi atje ku i erdhi ajo simfoni e adhurueshme. Zemra i gufoi nga gëzimi e sytë i qeshën si kurrë më parë.

-Julian!

Djali vrapoi drejt saj, për të ndarë edhe atë pak distancë që u kishte ngelur, për të thyer atë mall që i kishte gërryer të dy.
U ul në gjunjë e ia shtrëngoi fort trupin e vogël duke qarë, duke nxjerrë lot gëzimi.

-Je mirë? - e pyeti plot merak duke ia vështruar trupin e vogël.

E vuri re tronditjen në sytë e tij, frikën e madhe me të cilën i ishte dashur të përballej gjatë gjithë asaj kohe, por sërish e menaxhoi të vendoste një buzëqeshje lehtësuese në atë fytyrën e tij të këndshme. Po aq krenar sa Brajani, s'çuditej me të.

Por pyetjes së saj s'i erdhi asnjë përgjigje. Ai thjesht sa zhyti sërish kokën në qafën e saj dhe e përqafoi fort, pa shtuar asnjë fjalë tjetër për pak kohë.

I sëmboi aty në kraharor ajo gjendje. Ku ishte gjithë ajo energji e djalit të saj? Ku kishte shkuar ai pozitivitet që gjithnjë kishte qenë i pandarë prej tij?

-Julian, më shiko pak. Nuk të kanë bërë gjë, apo jo?

Trupi i dridhej, edhe pse po përpiqej aq shumë të sillej normalisht e të mos e rëndonte më tepër gjendjen e Julianit.

-Jam mirë mami. Ajo nëna atje te shtëpia më bënte ëmbëlsira shumë të mira, - iu përgjigj tek fërkonte barkun me dorë duke vendosur në fytyrë një buzëqeshje jo edhe aq bindëse. Dukej qartë që thjesht sa po përpiqej të tregohej disi trim duke i mbajtur gjërat vetëm për vete.

Ia puthi dorën e vogël e cila nxitoi të fshinte lotin që rrodhi në faqen e saj, pastaj me zërin e këputur filloi të fliste sërish.

-Çfarë të kanë bërë? Të kanë lënduar?

Ai mohoi me një shkundje koke, duke bërë që kaçurrelat e shkurtra të arta t'i lëviznin majtas-djathtas.

-Ai burri i madh më trembi, - u përgjigj pastaj pak më vonë me zë të ulët e të mërzitur, sikur të kishte frikë se do ta dëgjonte njeri e do ta ndëshkonte ashpër, e kjo gjë asaj i pikoi në zemër.

-Më mbylli në një dhomë të errët e më la pa ngrënë. Atje kishte minj. Më tha se minjtë do më hanin po të bërtisja.

Sa e kishte trembur fëmijën e gjorë. I dhimbte të mendonte se në ç'frikë e ç'ankth ai do të kishte qenë gjatë gjithë kohës.

-Po pastaj? Ç'ndodhi? - e gjeti të nevojshme ta pyeste kur ai pushoi së foluri e hezitoi të vazhdonte më tutje.

-Pastaj më çuan te një shtëpi tjetër. Ai djali i ri në fillim sillej mirë me mua, po pastaj u inatos dhe më bërtiste.

Fjalët kishte nisur t'i shoqëronte me shprehi të çuditshme të fytyrës, njëherë i ngrinte vetullat, njëherë i rrudhte, mblidhte buzët, shihte me inat përreth si të haste sërish në personat që i kishte marrë me aq sy të keq.

-Deshi të më çonte diku, po unë ia godita makinën me gurë e pastaj ika.

U ngërdhesh lehtë mes lotëve. Sa shumë i kishte munguar, sa e kishte kërkuar e s'e kishte gjetur.

Kafaz dashurieWhere stories live. Discover now