11

733 61 90
                                    

-Pse duhet të prishësh çdo gjë?! - qe mënyra si e nisi bisedën kur hyri te dhoma në të cilën gjendej Brajani. Dhe nuk ishte aq e nevrikosur sa mund të mendohet, ishte shumë më shumë.

-Meliona, - foli ai serioz duke u ngritur nga vendi ku ishte ulur e duke qëndruar përballë saj. Sërish, ta ndiente veten aq të vogël përballë tij ishte kthyer në diçka normale. -Juliani është rrëmbyer. Nuk mund t'ia kesh idenë se kush ka dorë në këtë rast. S'mendoj se është veprim i zgjuar t'iu besosh të gjithëve që sheh.

Një buzëqeshje ironike iu vendos në fytyrë ndërkohë që trupi po i dridhej nga inati.

-Mund t'iu besoj të gjithëve përveç teje. Kudo ku kontrolloj, fajtor del vetëm ti e askush tjetër.
Tani, nëse nuk do që të jap plotësisht dorëheqje nga kjo punë, telefono Alesion dhe thuaji se marrëveshja s'është mbyllur, ndryshe do shkoj unë të punoj me të.

E dinte se fjalët e saj do shkaktonin një acarim të qartë te Brajani, se ai mund të bënte çdo gjë vetëm që ajo të mos largohej nga ai vend e të punonte diku tjetër.

Ai shtrëngoi fort nofullat prej inatit teksa shikimin e mbante ngulur në sytë e saj, po nuk denjoi ta kundërshtonte. Ndoqi me sy çdo lëvizje të tij, dëgjoi çdo fjalë që i tha Alesios, dhe në fund, para se të vendoste të dilte, i dha një vështrim zemërthyer.

-Nëse fjalët që thua janë të vërteta e nëse je kthyer për të marrë faljen time, atëherë dije se kjo s'është mënyra e duhur Brajan.

T'ia tregonte haptas dyshimet e saj s'i pëlqeu, ndaj dhe mendoi se ajo ishte mënyra më e mirë.

Do kishte ikur sikur dora e tij të mos e kishte mbyllur derën që ajo sapo kishte hapur. Ishte e arsyetueshme t'i jepte një vështrim të ngrysur, por sytë e tij përnjëherë të trishtuar e bënë të ndryshonte mendje.

-Nuk të vë faj aspak për çdo gjë që mendon për mua. Më shaj, më mallko, më urre, ta jap atë të drejtë, se kam qenë unë që të kam bërë të vuash.
Nuk e di se ç'të kanë thënë të tjerët, po të mendosh se këtë që po ndodh e kam sajuar unë...

Në buzët e tij u krijua një lakim buzësh që shprehte lëndim.

-Do ishte absurde. Diçka të tillë s'mund t'ia bëj kurrë tim biri.

E vështroi në sy për një kohë të gjatë dhe s'vonoi shumë për të kuptuar se sa më shumë e shihte, aq më shumë e besonte. Uli kokën e dyzuar dhe mori frymë e dëshpëruar, duke dëshiruar të ishte kudo përveçse aty.
Dora e tij e ngrohtë ia ngriti mjekrën ngadalë që të shiheshin sy më sy. Dhe ja, sërish ata sy që turbullonin mendjen e saj, ata sy që e pushtonin me një shikim të vetëm.

-Këtë herë është ndryshe Mel. S'do guxoja të bëja diçka që të të mërzisja. E di që s'do më besosh, e di që mendon se jam sërish ai që kam qenë pesë vite më parë, por më jep mundësinë të ndreq çdo problem që të kam hapur, të shlyej fajin e gjithë lotëve që të kam bërë të derdhësh, dhe nëse sërish të lëndoj e të bëj të vuash, ta jap atë liri që të më harrosh.

Fjalët e tij bindëse thënë aq butë arritën të shkrinin edhe atë akull që mendonte se kishte krijuar në kraharor. E ndjeu që tashmë vështrimi i egër i disa momenteve më parë i ishte zhdukur dhe gjithë ç'kishte ngelur ishte një vështrim i qetë mbushur me ndjenjat e së shkuarës.

-Do ta gjejmë së bashku Julianin, të premtoj.

Duart e tij që ishin vendosur në faqet e saj ia ngrohën gjithë qenien dhe s'mundi të mos e linte një buzëqeshje të vogël t'i shfaqej ndër buzë.

Ai e mori ngadalë në përqafim, ia rrethoi trupin dhe e ngjeshi në kraharor, atje ku rrihte një zemër e dashuruar.
Sa i kishte munguar ajo ndjenjë. Ajo mbështetje e tillë që s'e kishte ndier për pesë vite. Si mund t'i mbante inat kur e dashuronte akoma aq shumë? Si?

Deshi ta shtrëngonte fort, ta përqafonte me ata krahët e saj e kurrë të mos e linte të ikte, por duart i ndiente shumë të rënda për t'i ngritur. U përpoq, deshi të prekte lehtë shpinën e tij, ama dilemat ia gërryenin shpirtin ashtu siç krimbi gërryente gjethet. Nëse te dera s'do të ishin dëgjuar dy trokitje të lehta, kurrë s'do ishte larguar nga krahët e tij.
Bëri dy hapa larg, si t'ia mbushte mendjen edhe vetes se asgjë s'kishte ndodhur.

-Alesio erdhi sërish. Po pret në zyrën tënde, - tha Neo pasi hyri në dhomë.

Pohoi lehtë me kokë dhe para se të dilte vështroi edhe një herë Brajanin, në fytyrën e të cilit ishin akoma ata dy sy të butë dhe ajo buzëqeshje madhështore.

Nuk foli, por e ndjeu, e ndjeu thellë se shpirti i saj kishte marrë sërish kontroll. E kuptoi se i kishte dhënë një shans të dytë Brajanit. E këtë herë shpresonte të mos thyhej sërish siç ishte thyer gjithnjë më parë.

Kafaz dashurieWhere stories live. Discover now