7

816 69 51
                                    

-Për fajin tënd! Mashkull i mallkuar! Tim bir e rrëmbyen për fajin tënd!

Bërtiste e çirrej tek godiste kraharorin e tij fort e ai s'e ndalonte, e la të nxirrte dufin tek ai, ashtu siç do ta linte gjithnjë edhe në vazhdim.

-Pse u ktheve?! Pse duhej të shkatërroje çdo gjë?!

U largua prej tij për ta parë në sy. Ndoshta në atë moment filloi ta urrente. Kur bëhej fjalë për Julianin, mund të urrente gjithë botën nëse e lëndonin atë qoftë edhe pak fare.

-Nuk kam bërë gjë, - u përpoq ai të shfajësohej, por ajo s'lëvizte nga e saja, derisa qe Ema që e kapi për krahu dhe e drejtoi nga vetja.

-Meliona, sigurisht që ai s'ka pasur gisht në këtë punë. Kush është ai person i cili do që t'ia rrëmbejnë fëmijën?!

Shfryu nën vete tek i dha një shikim të urryeshëm Brajanit para se të hiqte dorën me forcë nga shtrëngimi i Emës.

Ajri i ftohtë aty jashtë nuk e qetësoi, ndaj nxitoi të hynte sërish brenda stacionit të policisë për të marrë vesh ndonjë të re, edhe pse asgjë s'mund të ndodhte brenda aq pak kohe.

-Gjetët gjë? Kanë kapur ndonjë pamje kamerat?

-Po, - iu përgjigj një polic trupmadh duke i bërë shenjë me gisht te një monitor i vogël.

Vështroi me lot në sy. Shihej Juliani i saj i vogël e përpjekjet e tij të pashpresa për të shpëtuar prej duarve të atij mashkulli të panjohur, derisa atë e futën në një makinë që asaj iu duk e njohur. Rrudhi vetullat e hutuar, deri në momentin kur kujtimet i erdhën në mendje. Ishte makina e Brajanit.

Mbylli sytë në dhimbje, e megjithatë po i thoshte vetes se ndoshta s'ishte makina e tij, ndoshta ishte thjesht modeli i njëjtë, ose mund t'ia kishin vjedhur makinën. Këto ishin të mundura, apo jo?

U shemb te një karrige aty pranë e vendosi kokën mes duarve duke qarë pa zë.
Kishte frikë të mendonte se Brajani mund të përbënte vërtet një rrezik të madh për të dhe Julianin. S'donte që ai të ishte shkatërruesi i çdo gjëje, por gjithë gjërat që po shihte e bënin të dyshonin shumë.

-Meliona! - e thirri një zë femre nga larg.

Kur ngriti kokën, pa Elisën që po vinte drejt saj. U ngrit në këmbë në momentin që ajo e përqafoi për ta ngushëlluar.

-Ç'ka ndodhur? Kanë gjetur gjë?

Për pak sekonda e mbajti vështrimin te Brajani, që sapo kishte hyrë brenda në dhomë e shkoi pranë policëve për të parë pamjet që kishin kapur kamerat. Edhe nëse ishte fajtor, e dinte se atij s'do t'i bënin asgjë. Gjithë ai prestigj i lartë s'mund të mos e ndihmonte në raste të tilla.

-Po përpiqen të identifikojnë personin që ka marrë Julianin dhe përdoruesin e makinës.

-Çdo gjë do shkojë mirë. Ata do ta gjejnë Julianin.

Buzëqeshi dhe tundi kokën ndërkohë që lotët i shndrisnin në fytyrë. S'mund ta humbte shpresën kurrë për të gjetur djalin e saj.
Por minutat kalonin pa gjë të re, madje edhe orët nuk sollën ndonjë të mirë. Gjatë gjithë kohës bënte ecejake jashtë stacionit të policisë, se ajri brenda ishte mbytës.

Po çlodhej për pak minuta ulur në stol kur nga larg shikoi sërish Laurën. I dha një shikim indiferent dhe më pas lëvizi kokën të shihte diku tjetër. Do të ishte Elisa e vetmja që do gëzohej nga ardhja e saj.

-Laura?! Po ti këtu? Kur ke ardhur dhe s'më ke thënë gjë? Gjatë gjithë kësaj kohe kam kujtuar se ke qenë jashtë shtetit!

Ajo e përqafoi Laurën fort, si një mike tepër të mirë.

-Kam disa ditë që kam ardhur bashkë me Brajanin.

Vështroi Melionën kur tha ato fjalë, pastaj nënqeshi lehtë, po e dalloje kollaj inatin poshtë atij lakimi buzësh.

-Dua të sigurohem që ta bëj të ndryshojë mendje e të largohet para se t'i ndodhë ndonjë gjë.

-E ç'mund t'i ndodhë? Nëse ka dëshirë të qëndrojë, atëherë ka plot vende ku të futë kokën në gjithë këtë vend.

-Hë pra Elis, mos më thuaj edhe ti kështu. S'erdha kot unë. S'largohem pa ia mbushur atij mendjen të vijë me mua. Sa më shumë rri këtu, aq më shumë mërzitet. S'e kam parë të qeshë një herë të vetme.

Vërtet që thoshte se nuk e donte Brajanin pranë, po që ai të shkonte me atë femër s'duronte dot.

-Mos është gjë kalama e duhet t'i rrish pranë se mos fillon e qan? - foli e acaruar duke u ngritur nga vendi ku ishte ulur.

-Ndoshta. Dhe jam e sigurt se mund t'ia fshij lotët shumë herë më mirë se ç'bëre ti.

Ironia e saj shkaktoi një dridhje nervash në trurin e Melionës. Të nxirrte inatin tek ajo dukej si gjëja më e bukur që ekzistonte në ato momente.

-S'do ta lija dinjitetin të më poshtërohej vetëm prej një mashkulli e t'i shkoja mbrapa edhe pse më refuzoi. Të ka mësuar njeri se ç'është krenaria?

-Mos hap tema që s'të takojnë. Mundohu të jesh pak më mirëkuptuese, keq s'do bëje. Mos fol pa e ditur nëse ai ka ikur prej qejfit apo nga detyrimi.

-Ishte i detyruar t'u thoshte të gjithëve se kisha qenë unë që i isha lëpirë nga mbrapa si ndonjë kurvë? Apo të mos më jepte asnjë shpjegim e të më linte veç me një letër duke më thënë se me aq mbaronte gjithçka?

-Ti as që do nxirrje zë prej gojës sikur ta dije se sa ka vuajtur ai pas largimit!

Sa do t'i afrohej një hap më tepër e t'i kthente përgjigje në mënyrën më të mirë që i shkonte në mendje, po një dorë e kapi butë në krah.

Ktheu kokën e pa Brajanin, i cili vështrimin e kishte vendosur te Laura e po e shihte me inat. Ndoshta do t'i kishte bërtitur sikur ai ta kishte parë në një tjetër mënyrë atë vajzë. S'mundi të mos ndihej mirë nga reagimi i tij.

-Mbaj vendin Laura. Çdo gjë e ka një kufi.

Ajo turfulloi e inatosur dhe kryqëzoi krahët si një mbështetje për veten, ndërsa Brajani tashmë ktheu kokën nga Meliona dhe e vështroi butë, me një qetësi të çuditshme për tipin e tij.

Rrëshqiti dorën e vet për në dorën e saj e po e tërhiqte disa hapa larg dy vajzave, aq sa ato të mos e dëgjonin bisedën e tyre.

Kur gjetën një vend të qetë, priti për të që ta lëshonte, por ai vazhdonte ta shtrëngonte lehtë e me dashuri dorën e saj. U zmbraps një hap e uli kokën që të mos e shihte në sy, se trishtimi i tij e vriste.
Dhe kishte frikë. Kishte frikë se do ta tradhtonte vetja e saj, se do gjunjëzohej para asaj dashurie që vitet dhe dhimbjet s'kishin pasur forcë ta zhduknin.

-Mos ia vër veshin fjalëve të saj, do thjesht të të mërzisë.

-Mos u shqetëso, s'më ka mërzitur askush deri më tani aq shumë saç më ke mërzitur ti.

Ai psherëtiu thellë e mbylli sytë për pak sekonda që të mposhtte dhimbjen e mbledhur në kraharor.

-Të të kërkoj falje një mijë herë nuk do të bëjë asgjë kundrejt asaj që të kam bërë të ndiesh. Mallkoj çdo ditë që nuk e kalova pranë teje, për dreq edhe çdo frymë që kam marrë. Por...të dashuroj akoma Mel.

-Mjaft më Brajan. Jam lodhur duke dëgjuar të njëjtën gjë, të njëjtën gënjeshtër. Tashmë dashuria jonë është shtatë pashë nën dhe. Çdo gjë ka përfunduar.

Qëndroi pak pa folur, pastaj nxitoi të thoshte disa fjalë kur pa se ai deshi të vazhdonte.

-Deshe të më tregoje ndonjë gjë kur dole pak më parë nga stacioni i policisë?

-Po, - iu përgjigj duke shndërruar trishtimin në një buzëqeshje lehtë. -Kanë gjetur vendin ku ndodhet personi që rrëmbeu Julianin...

Kafaz dashurieWhere stories live. Discover now