9

781 66 59
                                    

-Dini gjë se ku mund ta gjej Adin? - pyeti një femër që i doli para syve kur mbërriti sërish në vendin e djeshëm.

Brunia i qeshi dhe i bëri me shenjë te një ndërtesë disa metra më tutje. E vështroi njëherë me pështirosje vendin ku do shkonte, pastaj ktheu sërish kokën nga vajza.

-Faleminderit.

-Adi është super. Ka për të të bërë të thërrasësh nga kënaqësia.

Vajza bëri një shenjë me dorë për të përforcuar më tepër fjalët e saj dhe kafshoi lehtë buzën e poshtme, me shumë mundësi duke kujtuar natën që kishte kaluar me atë mashkull.

Nuk reagoi aspak ndaj fjalëve të saj, por u nis me vetëbesim te ndërtesa e vjetër ndërkohë që i duhej të duronte ngacmimet që të tjerët i hidhnin.

Edhe atje, ashtu si dhe te të gjitha vendet e tjera, një grup meshkujsh ishin mbledhur në hyrje, disa mbështetur pas murit e disa ulur në stol . Qëndroi përballë tyre dhe shtrëngoi xhaketën e zezë fort pas vetes që të mbyste të ftohtin.

Aty vështroi fytyrën e personit më të urryeshëm pas Stivit në gjithë jetën e saj, të Adit, i cili shtypi cigaren te pllakat e pista kur vuri re atë dhe pastaj u ngrit nga vendi ku ishte ulur.
Qëndroi përballë saj e s'vonoi shumë për Melionën të merrte parasysh kontrastin që ekzistonte ndërmjet trupit të saj që tashmë ishte thjesht një grusht gjymtyrësh  mbetur dhe trupit të tij plot muskuj, që dukeshin sikur do shqyenin bluzën e zezë.

Ai bëri disa hapa derisa gjeti një vend bosh e të qetë, u ul në një stol të vjetër e vështroi atë.

-Gjithnjë më kanë bërë përshtypje vizitat nga çupëlina si puna jote, - nisi bisedën me një nënqeshje fyese në fytyrë.

-Di gjë rreth Julianit?

Të hynte në temë direkt ishte gjëja më e mirë që mund të bënte këto kohë.

-S'është në interesat e mia të merrem me djalin tënd kur kam një mal me gjëra të tjera për të bërë.

-Atëherë më thuaj kush ishte ai që rrëmbeu tim bir. Duhet ta njohësh përderisa ai jetonte këtu.

-Pse më drejtohesh mua kur tradhtarët i mban pas vetes?

Fjalët e tij e bënë të heshtte e të mendonte për disa çaste, pastaj nënqeshi me ironi dhe e vështroi atë në sy.

-I vetmi që mund ta bëjë diçka të tillë është Stivi. S'ka njeri më maniak se ai, dhe vetëm ti mund ta ndihmosh në diçka të tillë.

-S'po them se Stivi është burrë i mirë, po që të shkojë deri në këtë pikë është shumë.

-Mos u përpiq ta bësh atë të pafajshmëm. S'jam aq naive sa të të besoj, - i foli ashpër dhe e vuri re se atij s'i erdhi mirë nga toni i zërit që ajo përdori.

Dhe duhej të falenderonte Stivin ajo vajzë, se të ishte për Adin do i kishte bërë ndonjë marrëzi deri tani. Ishte fat që e dinte se vetëm me anë të saj Stivi mund t'ia lante gjithë borxhet, ndryshe do ta kishte katandisur keq.

-Nëse s'më beson, ik andej nga erdhe. S'kemi më punë këtu.

S'dinte ç'të thoshte. S'dinte as çfarë të besonte.
Nëse ai s'kishte gisht në atë punë, atëherë edhe Stivi dilte pa u lagur, se s'ishte nga ata trima që organizonin vetë një rrëmbim të tillë. E nga ana tjetër s'kënaqej edhe aq shumë nga ajo përgjigje, se mendja sigurisht që i shkonte te Brajani, më pas tek Ema, sjellja e së cilës kishte qenë disi ndryshe kohët e fundit.

-Por ti gjithsesi je e vogël për këto punë Medlina. Do vdesësh para se të zbulosh të vërtetën. Kot nuk thonë mos i hyr detit pa ditur notin.

-Meliona, - ia ktheu e acaruar duke i dhënë një fytyrë të vëngërt.

-Sido që të jetë.

Fjalët i shoqëroi me lëvizjen e dorës në ajër ndërkohë që ajo mori kohë që të bënte një frymëmarrje të thellë për të mbledhur veten, por si mund të shkonte në normalitet kur ai mashkull po e bënte të dyshonte te vetë babai i fëmijës së saj?

-Më thuaj se cilët janë këta tradhtarë që përmende.

Ai u ngrit nga stoli dhe qëndroi një hap larg saj, afërsi që Melionën e bëri të dridhej. Tymi i cigares që ai sapo kishte ndezur u shpërhap në gjithë fytyrën e saj. E acaruar, tundi dorën në ajër që të largonte tymin që aq shumë e urrente.

-Dhe çfarë marr unë në këmbim nëse të tregoj çdo gjë?

-Sa para do? - pyeti duke shtrënguar dhëmbët, edhe pse e dinte se ai s'donte të dilte te lekët.

-Paratë s'më hyjnë në punë. Ka dalë nga moda një zgjidhje e tillë.

-Nëse mendon se do hyj në shtrat me një njeri si puna jote, e ke të kotë.

Ai e kapi fort në krah dhe e tërhoqi drejt vetes duke ruajtur njëtrajtëshmërinë e fytyrës, ama ajo e vuri re shkëlqimin e marrë në sytë e tij, atë flakë inati që ngadalë po ia prishte tiparet e fytyrës.

-Nëse ti mendon se unë interesohem shumë nëse s'pranon, kjo do ishte marrëzi totale.

Nuk e dinte se ç'mund t'i bënte ai mashkull, por e dinte se gjë e mirë s'mund ta priste kurrsesi. Paniku ngadalë po i hapej nëpër trup, e ndiente se si zemra po i shpeshtonte rrahjet e veta dhe truri përpiqej të gjente një rrugëdalje.

-Çfarë po ndodh këtu? - ishte një zë i njohur që erdhi jo më larg se dy metra.

S'ktheu kokën të shihte kush ishte, se vështrimin po e mbante ngulur në sytë e personit përballë e po priste që ai ta lëshonte, veprim që ndodhi në sekondat pasuese. Dhe i ndihej mirënjohëse kujtdo që kishte ardhur, ndryshe s'e imagjinonte dot se ç'mund t'i kishte ndodhur vetëm për vetëm me Adin.

-Etien? - qe fjala e vetme që nxorri nga habia kur vendosi të shihte personin që qëndronte pas saj.

Kafaz dashurieWhere stories live. Discover now