14

701 57 47
                                    

-Në rregull Melinkë, qetësohu, nuk ke ç'zgjidh kështu.

Dora e tij po lëvizte në kurrizin e saj si për ta ngushëlluar. Kishte rreth një orë që i ishte dashur të dëgjonte të bërtiturat e saj nga inati dhe nga lëndimi. Po, edhe pas dy ditësh ajo akoma vazdonte të ishte në të njëjtën gjendje, në një humor të çrregullt që ai s'dinte si ta sillte në normalitet.

-Shiko, kështu siç e kemi nisur do përfundojmë të dy në depresion. Në rregull, Ema gaboi, për Brajanin s'jemi të sigurt, Julianin s'po e gjejnë, por mundohu të mendosh për më të mirën.

Pohoi duke buzëqeshur mes lotëve. Juliani i saj frymonte akoma, e ndiente pulsin e tij të vogël në kraharorin e vet, ia ndiente frymëmarrjen që asaj i jepte jetë.

-Ke të drejtë, - foli duke fshirë lotët dhe u ngrit nga vendi ku ishte ulur. - Ai është mirë. Brajani do ta gjejë atë, ai më premtoi.

Etieni ngriti shpatullat i menduar. Dukej që s'e besonte akoma aq shumë Brajanin dhe mosbesimi që ai kishte bënte që edhe ajo ta rrënonte atë shpresë, themelet e së cilës gjithnjë kishin qenë të dobët.

Telefonoi iu drodh në xhepin e xhinseve. E mori me të shpejtë që të shihte kush i kishte shkruar.

"Stivin do ta nxjerrin nesër prej burgut. Nëse nuk ndihesh e sigurt aty më lajmëro të vij të të marr."

Merrej me mend se ishte Brajani. Nuk i ktheu përgjigje, vetëm sa kryqëzoi duart në kraharor dhe hodhi vështrimin nga dritarja.

-Çdo gjë do zbulohet. Ai që e ka bërë gjithë këtë do marrë dënimin që meriton.

-Sigurisht që po, vetëm shpresoj që ky dikush të mos të të zhgënjejë aq shumë kur e gjithë çështja të mbyllet.

-Do t'i kishe keq punët me Emën sikur t'ia thoshe këto fjalë për Brajanin.

-Mos më bëj të shkoj e të zihem me të sa ta marrë vesh tërë dynjaja.

Qeshi. Etieni edhe e bënte diçka të tillë. Shakaxhi shakaxhi, po kishte raste kur i tiposej në kokë të bënte një gjë e s'kishte rob bote që ta ndalonte.

-Do më bëje nder sikur t'ia mbushje mendjen të ikte që këtu. S'dua ta shoh më.

-S'e shoh të nevojshme ta bëj diçka të tillë, - tha teksa kishte hapur pak perden e dritares e po vështronte jashtë. -Mesa duket do largohet vetë.

S'e shoqëroi me fjalë heshtjen e pllakosur në dhomë, thjesht u mjaftua të nxirrte prej buzëve një psherëtimë të gjatë lodhjeje.

Një pjesë e mirë e ditës iu shty me Etienin, pastaj, vetëm pesë minuta pas largimit të tij, para se dielli të zhdukej plotësisht, një e trokitur e lehtë u dëgjua në derë.

-Po këtë herë ç'ke harruar? - qenë fjalët që nxorri prej gojës pa hapur mirë derën, duke menduar se do të ishte Etieni ai që kishte ardhur, por do të ishte dikush tjetër që s'ishte në humor të mirë për ta parë, e jo më për t'i folur. Laura.

Qëndroi për pak sekonda te pragu i derës pa lëvizur. Sytë ia kishte ngulur ftohtë.

-Nëse ke ardhur këtu të më flasësh për Brajanin sikur ka qenë një engjëll gjatë gjithë kësaj kohe, atëherë të lutem largohu.

Ajo mblodhi buzët dhe rrudhi vetullat, pastaj kryqëzoi duart në kraharor, veprim që e bënte shpesh.

-Është shumë i mërzitur, -tha pas një frymëmarrjeje të thellë. -S'ka qenë aspak mirë këto dy ditë.

S'e mohoi dot atë shtresë dhimbjeje që iu vendos në kraharor, si të donte të zbuste qenien e saj tashmë të ftohtë akull.

-Nuk do të të gjykoj për ato që i ke thënë, thjesht dua të diskutojmë pak.

E vështroi për disa çaste e menduar derisa lëvizi tre hapa që t'i bënte asaj vend për të hyrë brenda. 

U ulën në dhomën e ndenjjes, përballë njëra-tjetrës. E pranonte se mezi e duronte praninë e saj, por s'kishte ç'humbte vetëm prej një bisede.

-E di që s'të kam lënë ndonjë përshtypje të mirë gjatë kësaj kohe, dhe madje as që jam përpjekur të ndryshoj qëndrim, por për hir të Brajanit do e bëj edhe këtë.

Ajo shtrembëroi fytyrën lehtë, a thua se Brajani ish duke e detyruar të thoshte diçka të tillë.

-Thuaji çdo gjë, ama vetëm për Julianin mos e fajëso. Ka ndenjur çdo natë te stacioni i policisë vetëm për të marrë vesh ç'bëhej me të. Pak në stres është se ai s'po gjendet, dhe pak mosbesimi yt dhe ai duhet të çmendet fare.
E di që të ka zhgënjyer shumë herë në të shkuarën, e di që s'e ke të lehtë t'i besosh më që pas largimit të tij pa asnjë shpjegim, por thjesht jepi kohë. Tashmë s'mund të të tregojë asgjë, ashtu u kthyen ngjarjet, dhe do të të lutesha që të mos e shtysh të flasë, as mos e vendos në tension, se nuk e ke idenë sa i drobitur ka qenë këto kohët e fundit.

Ajo heshti për pak sekonda. Atë pauzë qetësie nuk deshi ta prishte, andaj e la Laurën të vazhdonte sërish.

-Është duke punuar fort për të gjetur Julianin dhe të dëgjojë prej teje se s'është duke bërë mjaft, do ta lëndonte vërtet. Ta garantoj unë se ai s'ka aspak faj për rrëmbimin e djalit, madje as Ema.

Të ishte duke bërë një bisedë vërtet aq të qetë me Laurën? S'ia kishte marrë mendja se do të ndodhte ndonjëherë.

-Në fillim s'doje të më hidhje sytë. Ç'ndodhi që po më flet kështu? -foli ftohtë.

-Epo edhe ty nuk do të të vinte mirë të shihje shokun tënd të ngushtë tek përpiqej të merrte faljen që zor se do i vinte nga një femër si ti. Kam dashur thjesht ta mbështes.

Nënqeshi. Shok?! S'i ishte dukur kurrë ashtu.

-Vetëm shokë s'kam mundur t'ju quaj ju të dyve.

-Pse, ç'mendove? Se do bëhesha e dashura e personit që motra ime donte aq shumë?!

Heshti për pak, pastaj e vështroi sërish në sy dhe mendoi ta pyeste rreth diçkaje për të cilën me shumë mundësi nuk do merrte asnjë përgjigje siç e donte.

-Përse u largua Brajani prej meje?

-S'më takon mua ta them diçka të tillë. Ai do të të tregojë gjithçka kur të vijë çasti i duhur.
Të thashë, jepi kohë. S'do ishte larguar kurrë prej teje nëse s'do kishte një arsye. Mos e fal po të duash, po as mos e lëndo. Ku i dihet, mund të pendohesh shumë për sjelljen tënde kundër tij kur të mësosh të vërtetën.

Po luante me gishtat e saj e shpërqëndruar kur ndjeu atë që u ngrit nga kolltuku.

-S'e kisha menduar se do zgjaste kaq pak kjo bisedë. Do kisha ardhur më parë sikur ta dija, - i tha duke nënqeshur lehtë nën buzë.

E shoqëroi deri te dera dhe pasi ajo u largua, i hodhi një sy qiellit të errët pa asnjë yll të vetëm. Mbylli sytë dhe thithi ajrin e pastër.
Donte që çdo gjëje t'i fundi fundi, të rregullohej, të gjente Julianin e saj, të merrte vesh të vërtetën nga Brajani e të mund të qëndronte e qetë. Ndoshta do ta falte atë, ndoshta jo. Por kur do të ndodhnin gjithë këto gjëra? Kur do ta kuptonte se ç'po ndodhte me jetën e saj e se si do të ishte vazhdimi?...

Kafaz dashurieWhere stories live. Discover now