3

894 73 37
                                    

Rrugët ishin bosh atë natë të ftohtë shtatori dhe përveç një makine pranë shtëpisë së saj nuk pa asgjë tjetër.

"Stivi," -mendoi me vete. Vetëm ai shkonte në shtëpinë e saj kur t'i tekej, edhe në mes të natës, edhe kur gdhihej. Ashtu ia thoshte mendja.

Disa të bërtitura erdhën që brenda shtëpisë dhe dera e jashtme u hap me nxitim, duke dalë prej saj Ema së bashku me Julianin.
Fytyra e saj e mbushur plot frikë e trembi. Ishte bërë gati në të qarë dhe djalin e saj e shtrëngonte fort pranë vetes.

-Meliona, bëj diçka. Ai do ta vrasë fare mamin tënd, - tha ndërkohë që zëri i dridhej. - Julianin do ta mbaj unë sonte, mos ki merak për të.

Pohoi me të shpejtë pa dashur të përhapte panik. Para se të futej në shtëpi, mori në telefon policinë dhe urgjencën, se siç dukej që të dyja do nevojiteshin, pastaj duke nxituar hyri brenda ndërtesës.
Stivi ishte duke goditur ish-bashkëshorten e tij me karrigen e vogël të drunjtë të Julianit. Zmadhoi sytë nga frika dhe ankthi, pa ditur ç'të bënte. Vendosi njërën dorë në ballë kur pa gjendjen e së ëmës, që siç dukej i kishte rënë të fikët, gjë normale pas gjithë dhimbjes që kishte përjetuar.

Nga frika se mos Stivi e lëndonte edhe atë, e goditi mbrapa kokës me një vazo, aq sa të sigurohej se ai do humbte ndjenjat.

Shkoi pranë të ëmës. Gjendja e saj ishte më e keqe se ç'e kishte menduar. Nëse abuzimi do vazhdonte më tepër, ajo me shumë mundësi do kishte ndërruar jetë.

Ambulanca dhe policia s'vonuan shumë derisa erdhën dhe i morën ata të dy, ndërsa ajo ngeli e vetme aty në shtëpi.

Kohën vendosi ta shfrytëzonte për të shkuar në kompani. S'donte të humbiste as edhe një sekondë më tepër, sidomos tani që e kuptoi se ndihma që do merrte nga e ëma s'do t'i vinte për një kohë të gjatë. Çfarë mund t'i tregonte ajo për Brajanin? Ç'dinte për atë mashkull, të cilin as Meliona vetë nuk e kishte njohur kurrë aq sa duhej?

Natën kompania e tmerronte. Ishte aq e madhe, dhe kur e mendonte se atje ishte vetëm, fillonte dhe i dridhej trupi. Hapat e vet i ushtonin ndër veshë, por po bëhej disi me fiksime, se ndonjëherë i dukej sikur dëgjonte edhe hapa të tjerë.

Ndezi laptopin në zyrën e saj dhe filloi të shihte mesazhet e dërguara nga adresa e kompanisë, të asaj që dikur e kishte përdorur edhe Brajani. Aty gjeti edhe atë që i tha Neo, dërguar ekzaktësisht siç ai ia kishte përshkruar.
Filloi të kontrollonte për aktivitetin e kryer në atë adresë derisa më në fund e gjeti. Ora 09:30, vendndodhja në Hartford.

Brajani ishte afër.
Nuk dinte ç'të ndiente. Të trishtohej? Të inatosej? Të kishte frikë? Apo ankth?

U ngrit nga karrigia, duke u ndier menjëherë e lodhur. Doli nga zyra e saj dhe tërhoqi ngadalë derën pas vetes.

Ndihej e turbulluar. Tashmë dyshimet i ishin vërtetuar plotësisht. Ai ishte kthyer dhe ishte shumë afër saj. Pse? Pse duhej të vinte sërish pas gjithë asaj kohe? Pse duhej të ringjallte sërish dhimbjen që ajo aq shumë ishte përpjekur ta varroste?

Ishte duke zbritur shkallët kur dëgjoi disa zhurma jo shumë larg që aty. Zemra po i rrihte shpejt prej ankthit, por të qëndronte në një vend s'ishte zgjidhja e duhur në ato momente.

Me hapa të qetë zbriti edhe ato pak shkallë që i kishin ngelur, pastaj qëndroi në katin e parë pa bërë asnjë lëvizje.

Hodhi sytë përreth, derisa ata ndaluan në një cep të dhomës. Kraharori i sëmboi mjerueshëm.

Këmbët i zunë rrënjë në tokë. Iu duk sikur do fillonte të binte shi  - mendimi më i çuditshëm që kishte çuar në mendje, sepse ishte e vetëdijshme që ishin brenda një ndërtese - pa e kuptuar se ishin thjesht lotët e saj që po formoheshin. Fryma po i mbahej, rrugët e frymëmarrjes po i ngushtoheshin dhe një lëmsh i zjarrtë po ia digjte kraharorin. Trupi po i dridhej, dhe ajri i ftohtë dhe disi mbytës nuk ishte duke e ndihmuar aspak. Iu duk sikur toka do ta tërhiqte, do ta merrte thellë në vete e nuk do ta linte të dilte më. Sa poshtë që po binte, sa të vështirë e kishte të shpëtonte veten.

-Brajan... - qe mërmërima e vetme që mundi të nxirrte prej buzëve.

Kafaz dashurieWhere stories live. Discover now