22

662 58 51
                                    

U bë plot një orë që kur ai ishte larguar dhe ajo akoma qëndronte në spital, ulur në stolat e fortë e aspak të rehatshëm.
Telefonin e mbante ngjitur duke pritur të dëgjonte të paktën një tringëllimë, t'i vinte një mesazh që i thoshte se çdo gjë ishte rregulluar.

-Melion, mos e tund më atë këmbë se më çmende, - iu ankua Neo për të tretën herë.

Nervozizmi për të bënte të vetën. Kishte më shumë se gjysmë ore që e lëvizte këmbën sa lart-poshtë, veprim që e gjente të nevojshëm për të larguar një pjesë të stresit. Dhe si dy herët e tjera, as atë herë nuk e dëgjoi dhe vazhdoi në të sajën.
Dëgjoi se si ai shfryu i inatosur para se të ngrihej prej stolit e të largohej disa hapa prej saj.

-Sa të rrish këtu kot, më mirë shko e fol me Emën për punën e Brajanit. Të paktën mbylle këtë çështje sot e mos e vërtit sa tani sa më vonë. S'po dimë kujt t'i besojmë e kujt jo.

Ishte Elisa ajo që foli. U ngrit menjëherë pas fjalëve të saj, a thua se kishte pasur aq shumë nevojë që dikush ta risillte në realitet.

-Ke të drejtë. S'ka kohë më të mirë se tani për ta bërë diçka të tillë.

Pas atyre fjalëve, nxitoi të ecte në pllakat ngjyrë qumështi të sapopastruara, të ngjiste shkallët që çonin dy kate më lart e të shihte numrat e vendour në derë.

Kur pa numrin 102, trokiti lehtë, po ashtu siç bënte shpesh e hapi derën pa pritur përgjigje.

Emën e gjeti sërish zgjuar. Këtë herë në sytë e saj dalloi vuajtje e pendim.

-Dua të diskutojmë për disa gjëra nëse ndihesh mirë.

Ajo lëvizi kokën një herë poshtë e pastaj lart për të pohuar, ndërkohë që Meliona kroi lehtë fytin për t'u siguruar se zëri s'do i dilte i ngjirur.

-Ime më tha se ti di çdo gjë për Brajanin. Çfarë më ke mbajtur të fshehtë?

E dalloi sikletin në veprimet e saj, po s'bëri gjë që ta bënte të ndihej më mirë.

-Para pesë vitesh mami jot erdhi te shtëpia ime kur ti nuk i ishe përgjigjur. E kishte me nxitim. Më duket se do largohej për të kuruar një sëmundje.
Asokohe ti ishe me Brajanin në Paris, mesa mbaj mend. Më tha të të tregoja se ti nuk ishe vajza e Stivit, por kur ti u ktheve dhe ishe aq e mërzitur për ndarjen me Brajanin, nuk pata guxim të ta thosha dhe të të rëndoja më tepër.

Gjatë gjithë kohës Ema e mbante kokën ulur. Nuk e pa për asnjë çast në sy, qoftë edhe rastësisht.

-Ai më telefonoi disa ditë më vonë. Më pyeti për ty. Nuk deshi t'i flisja në fillim, u bëra gati t'ia mbyllja, pastaj ai u detyrua e më tregoi si qëndronte gjithë ajo punë.
Atij i kishte thënë e ëma se ishte djali i Stivit. E kishte marrë vesh që po shoqërohej me ty e donte të shmangte lidhjen e një vëllai me motrën. Dhe unë... nuk i tregova...

Ajo ngriti shpatullat fajtore ndërkohë që mori frymë thellë e fshiu lotët që i kishin dalë.

-Nuk i thashë se ti s'ishe vajza e Stivit. Unë e kam gjithë fajin. Do të të kisha kursyer ty dhe atij pesë vite ndarje dhe dhimbje, por s'e bëra... Zot! Jam treguar e tmerrshme!

Vendosi kokën mes duarve duke qarë, por s'bëri përpjekje për ta qetësuar, se ishte shumë e zënë duke u përpjekur të mos e linte qetësinë e vet t'i ikte.

-Dhe nuk do e kishte marrë vesh kurrë të vërtetën sikur të mos ishte për mamin tënd që kuptoi gjithçka. Ajo i tha se ju nuk kishit aspak lidhje gjaku. E Brajani u kthye menjëherë pasi mori vesh atë gjë. Stivi s'e dinte që e kishte djalë, dinte vetëm se ti s'ishe vajza e tij.

-Pse nuk i tregove Brajanit që në fillim që s'më kishte motër? - ishte pyetja e vetme që po e torturonte aq shumë.

Ema u përcoll me vështirësi, shtrëngoi çarçafin e bardhë dhe këtë herë i la lotët të gjenin rrugën e tyre në faqe.

-Mendova se...mund të krijoja diçka me të. E pëlqeja shumë dhe e urrej veten për diçka të tillë.

Fjalët i ngatërroheshin me njëra-tjetrën, përziheshin me gulçimat dhe rënkimet e saj, me pendimin dhe zhgënjimin.

-S'kam qenë kurrë një shoqe e mirë për ty. Nuk të meritoj, jo pas gjithë këtyre që kam bërë.

Mori frymë thellë dhe vështrimin e hodhi jashtë dritares. Ç't'i thoshte? Se e kishte falur? S'do të ishte aspak e vërtetë. Se do ta falte? S'e besonte se diçka të tillë mund ta bënte aq shpejt.

Kur fjalët s'shprehnin atë që donte të thoshte, preferonte të zgjidhte heshtjen ose largimin. Aty i zgjodhi të dyja. As nuk i foli e as nuk qëndroi më tepër. Thjesht sa mori me vete ndjenjën e mërisë, të cilën i erdhi keq t'ia linte Emës t'i bashkohej me pendimin.

Derën e mbylli qetë, ndryshe nga qenia e saj që gati po vlonte. Për t'u qetësuar, doli jashtë spitalit e qëndroi në ajrin e ftohtë ndjenjëngrirës. Dhe priti, priti që inati t'i ikte e t'i vinte qetësia.  E bashkë me qetësinë vendosi të priste Julianin dhe Brajanin. E pastaj, me ata së bashku do kërkonte lumturinë. S'ia vlente të mendonte për gabimet e së shkuarës, për gjithë atë kohë të humbur kot. Donte të niste një kapitull të ri. Dhe ai kapitull i ri do të thoshte të linte të shkuarën pas.

Kafaz dashurieOù les histoires vivent. Découvrez maintenant