10

773 67 67
                                    

-Ç'do këtu? - e pyeti ai pasi i vështroi njëherë të dy me radhë.

Një shok tjetër i fëmijërisë përveç Emës. Të tre shkundin dynjanë kur bëheshin bashkë, sidomos ai, që ishte një mistrec i fshehtë që s'ia gjeje shokun në botë.

-Një punë e vogël. Isha duke u larguar.

Adit nuk i tha gjë, vetëm sa i dha një vështrim të ftohtë tepër të largët që s'ia kishte drejtuar askujt deri në ato momente, më pas bëri hapa për të ikur larg tij. Etieni e ndoqi pas.

-Pra Melinkë, - bëri shaka ai me të, se e dinte që ajo urrente ta thërrisnin ashtu, - s'besoj që robi të shkojë tek Adi për punë të vogla, sidomos ti që i ke neveri këta të tillët.

-Më mirë të hyjmë te ndonjë lokal që të të tregoj, kam nevojë të çlodhem pak.

Ai pranoi, por nuk hynë askund pa dalë nga ajo lagje, se Etieni këmbëngulte vazhdimisht të mos futeshin në lokalet e qelbura plot pijanecë e përdhunues të vendit ku ishte gjendur pak më parë.
Si përfundim gjetën një lokal të vogël e të këndshëm vetëm pas një gjysmë orëshi të mirë. Të paktën e mira qe se kuptoi që nuk e kishte larg punën.

Aty i tregoi Etienit gjithë ç'kishte ndodhur me të këto vite, gjithë shqetësimet që kishte. Ndoshta shumë njerëz do i thoshin se ishte e tepruar të hapej aq shumë te një shok me të cilin s'kishte pasur kontakte për rreth dhjetë vite, por s'i bënte aq shumë përshtypje për momentin. Etienin e kishte pasur gjithmonë si një vëlla tek i cili gjente mbështetje kur gjërat në familjen e saj shkonin për dreq apo thjesht kur mërzitej për gjëra të vogla. Ishte ai që e kishte mbështetur gjithnjë më shumë se Ema kur mendja e kësaj të fundit që kur ishte e vogël qëndronte te veshjet e shtrenjta apo te festat e gjata. Dhe dëshironte aq shumë disa këshilla të tjera, jo ato që kishte dëgjuar gjithnjë.

-S'e di Meliona, s'jam i sigurt, - i tha ai duke shkundur shpatullat pasi ajo i rrëfeu çdo gjë. -S'di ç'të them për Emën, ka ndryshuar shumë. Si ta them unë... Më duket sikur e pëlqen pak si shumë Brajanin. Ama për Adin të siguroj se nuk do gënjente kurrë për gjëra të tilla. Njeri i mirë s'është, po kur thotë që s'e ka bërë një gjë, atëherë s'e ka bërë vërtet. Ndoshta mund të ketë dashur, por ndonjë tjetër do ia ketë prishur planet.

Ai rrëkëlleu disa gllënjka të pijes që kishte porositur, vështroi jashtë mendueshëm, pastaj e ktheu shikimin sërish te Meliona. Kjo e fundit s'e kishte mendjen aspak tek ai, por te fjalët që sapo kishte thënë. Atëherë filluan sërish të ngriheshin pikëpyetje mbi Brajanin dhe Emën. Nëse Brajani kishte bërë ndonjë gjë, atëherë Ema do ta dinte me patjetër dhe madje do ishte duke e përkrahur. Ajo femër kishte filluar ta çudiste vërtet këto kohë.

-Besoj se do bëje mirë ta ngacmoje ndopak Emën. Ku i dihet, ndoshta mund të të tregojë ndonjë gjë. Plus që e dimë shumë mirë të dy se si ajo tregon gjithçka kur nxehet.

-Harroje. S'tregon gjë po të ketë lidhje me Brajanin. Më ka kundërshtuar gjithmonë kur i kam thënë se e di që ka folur me të. Thjesht mund të marr vesh se ç'ndien rreth tij.

Inatosej tek mendonte se Ema mund ta pëlqente Brajanin. Kishte diskutuar aq shumë me të rreth atij mashkulli, kishin qeshur e ishin mërzitur aq shumë për të dhe ndërkohë reagimi i saj s'kishte qenë kurrë kështu si këto kohë.

-Jam akoma i mendimit se edhe me Brajanin duhet të diskutosh njëherë. Më duket vërtet i çuditshëm fakti që Juliani u rrëmbye vetëm një javë pas ardhjes së tij dhe për më tepër që makina e rrëmbimit ka qenë pikërisht ajo që ai përdorte. Ndoshta gjithë këtë po e bën që të të marrë sërish. Por më mirë të mos flasim më për këtë temë, më duket se po flas disi në ajër.

Ai më s'foli, por fjalët e tij qenë mjaft që të formonin shtresa dyshimi te Meliona. Tashmë Stivi i kishte dalë plotësisht nga mendja dhe kur e mendonte mirë, ai as që do kishte arsye se pse ta donte rrëmbimin e Julianit.

-U bëra lëmsh, - tha duke u ngritur nga karrigia. - Dua të heq mendjen nga çdo gjë dhe këtë mund ta arrij vetëm duke u dyndur në punë.

-Mua më duket sikur në atë mënyrë vetëm mund të çmendesh, por gjithsesi.

Qeshi nga fjalët e tij para se të dilnin së bashku jashtë. Etieni e shoqëroi deri në kompani, se i binte andej rruga për të shkuar të takohej me disa shokë, ndërsa Meliona hyri brenda ndërtesës së madhe.

Menjëherë sa hyri, nga larg i kapi syri Neon, i cili po shihte i tensionuar orën teksa përplaste këmbën lehtë në tokë.

-Më në fund, - i tha ai menjëherë kur i shkoi pranë. - Të kam telefonuar gjithë ato herë, por as që ke marrë mundimin të ma hapje!

-Pse? Çfarë ka ndodhur?

-Ta them unë ç'ka ndodhur. Alesio erdhi këtu, se e kishit lënë të bisedonit për një projekt të ri. Dhe gjeje të bukurën! Epo merret me mend, Brajani prishi çdo gjë!

Dhe sërish, ngjarjet e reja për Melionën kurrë s'do të kishin fund.

Kafaz dashurieWhere stories live. Discover now