1

2K 74 134
                                    

Pesë vite më vonë

-Julian, a nuk mendon se është koha të vish në shtëpi tani? - pyeti djalin e vogël katërvjeçar që po luante futboll me fëmijët e tjerë të lagjes.

Dielli gati po zhdukej, po sytë e tij të vegjël shndrisnin edhe në errësirë.

-Edhe pak mami. Pastaj, po s'luajta si do bëhem si Kristiano Ronaldo unë?

Nënqeshi teksa kujtimet i vërshuan lehtshëm në mendje. Sigurisht që do kishte marrë diçka edhe prej Brajanit, të atit, që s'e dinte se në ç'vend të botës mund të ishte, s'e dinte në frymonte akoma apo jo, nëse ruante një kujtim të atyre të dyve.

A mendonte sërish për të? A dëshironte ta kishte pranë si dikur? A e gërryente pendimi kur errësira i përvidhej qiellit e shiu sillte momente të së shkuarës? S'mund të mos ia pyeste vetes të tilla gjëra.

Dëshironte ta shihte sërish, t'i thoshte se nuk kishte kaluar dot një ditë pa e kujtuar atë, pa dashur ta përqafonte, ta kishte pranë. Zot, sa shumë që e dashuronte, sa shumë që e dashuronte edhe pas gjithë asaj kohe që kishte kaluar. Sa shumë që e donte edhe pse ai i kishte dhënë fund gjithçkaje, edhe pse kishte shkatërruar gjithë qenien e saj.

-Melkë, hajde tani! Lëre djalin të luajë. S'është se s'ka drita këtu përreth.

Zëri i Emës e thërriti që brenda shtëpisë. Ajo femër s'do ndryshonte asnjëherë karakter.

Hyri në shtëpi e lodhur, shfryu nën hundë e lëshoi flokët prej atij shtrëngimi aq të fortë që iu kishte bërë me lidhësen e zezë.

-Më mori në telefon mamaja jote pak më parë. Do vijë këtu në fundjavë.

Bukur, një person i humbur u shfaq. Ajo s'ishte dukur gjatë këtyre viteve, ishte zhdukur njëjtë si Brajani, pa thënë asnjë fjalë apo të linte ndonjë shënim.

-Do të të tregonte diçka për Brajanin.

Aty fitoi vëmendjen e plotë të Melionës. E urrente faktin se mendja e saj fokusohej vetëm atje ku përmendej emri i tij.
Por gjithsesi, Ema gjë tjetër s'shtoi, vetëm sa uli kokën që të mos shihte më në sytë e saj.

-Ç'të më tregojë? Se sa bukur ma punoi?

Inati i saj ishte thjesht fasadë. Mund të urrente çdokënd, vetëm Brajanin jo, vetëm atij s'mund t'ia hidhte atë perde zemërimi që vishte gjithë qenien e saj.
Përpiqej, ohh sa shumë përpiqej, por gjithmonë do të ishte diçka që do ta ndalte, që do ia hiqte ato mendime të poshtra që nuk i linte të zinin rrënjë.

S'vonoi shumë para se të dilte e të merrte Julianin, i cili s'kishte ndërmend të futej në shtëpi.

-Nesër duhet të shkosh në kopësht Julian. Por do të luash sërish. Mos u mërzit, - i tha tek u ul në gjunjë e ia shpupuriti flokët e artë e aromëmirë.

E puthi në faqe me dashuri dhe e ngjeshi në kraharor duke nuhatur aromën e trupit të tij imcak. Sa e donte atë fëmijë, sa për zemër e kishte. Ishte kujtimi i vetëm i dashur që Brajani kish lënë pas.

Hëngrën darkë, pastaj ajo e çoi atë për te dhoma e tij e gjumit. Po e përkëdhelte qetë që atë ta zinte gjumi kur zëri i tij i ëmbël kumboi në qetësinë e dhomës.

-Përse babi nuk ka ardhur asnjëherë që të më shohë mua?

Fjalët e tij i krijuan një sëmbim dhimbjeje në kraharor. T'i thoshte se ai baba as që e dinte që kishte një fëmijë? Që s'donte të kthehej kurrë prej vendit të cilit i ishte larguar?

-Ai... Punon shumë jashtë shtetit... Nuk ka kohë të na takojë.

-Por të paktën ta shihja një herë, - mërmëriti Juliani teksa përqafoi fort të ëmën që të mbyste vetminë.

Meliona po e fërkonte ngadalë në kurriz për ta bërë të ndihej më mirë, edhe pse vetë ishte më keq se ai.
E s'kishte nga ta dinte se së shpejti do ta takonin sërish Brajanin, dhe që atëherë asgjë nuk do të ishte më njësoj...

***

-Dhe mos e ngacmo më Edën, në rregull? - e porositi duke i drejtuar gishtin tregues gjasmë në mënyrë kërcënuese.

-Hë pra Melion, është burrë ai, normal që do ngacmojë vajza, - e mbrojti Neo Julianin e ky i fundit nxorri gjithë dhëmbët në pah duke tundur kokën sa lart-poshtë.

-Mos krijo një Brajan të vogël Neo, do na bien të gjitha neve mbi supe pastaj.

Ai rrotulloi sytë duke nënqeshur dhe pastaj u largua së bashku me Julianin për ta çuar atë në kopësht, ndërsa për vete u drejtua në kompani, atje ku më vonë shkoi edhe Meliona, e cila kishte marrë drejtimin e gjithë atij vendi pas ikjes së Brajanit. Kishte qenë dëshira e këtij të fundit për ta bërë diçka të tillë. Një Zot e dinte se si i kishte përgatitur aq shpejt dokumentet që do të kalonin pronësinë e kompanisë tek ajo.

Kishte kaluar disa orë punë në zyrën e saj kur vendosi të hidhte njëherë shikimin jashtë dritares për të parë rrotull.
Ndoshta qe një iluzion i saj ajo ç'ka po shihte, po s'mundi të gënjente zemrën e vet, e cila po i rrihte aq pa kontroll.
Mbylli sytë e i hapi sërish, por asgjë s'kishte ndryshuar.

Ashtu siç ishte nxitoi të zbriste shkallët me frymën që po i merrej. Doli në rrugë në momentin që "iluzioni" i saj kishte filluar të largohej.
Filloi të bënte hapa të shpejtë, aq sa ngadalë hapat iu kthyen në vrap. Por do të ishte një person me të cilin u përplas që do bënte ta humbte nga shikimi Brajanin, ose të paktën atë që e konsideronte si ai.

Nëse flaka e inatit do ishte e vërtetë, tashmë i gjithë trupi do t'i gjendej në zjarr.

-S'do ishte keq sikur të ishit më i kujdesshëm!

E dinte se faji ishte pjesërisht i saji, por inati bënte të vetën. Gjithsesi mashkulli përballë dukej se s'donte të harxhonte kohën duke u marrë me të dhe inatin që ajo po përcillte.

-Kjo është kompania "CareHouse"? - pyeti ai duke iu referuar vendit të saj të punës.

-Po. Kë kërkoni?

-Dua të flas me Meliona Grin.

Mori frymë thellë. Tashmë fytyra e tij i dukej e njohur. Duhej të ishte Alesio Martin, themeluesi i jetimoreve të shumta dhe shumë qendrave banimi për të pastrehët.

Mbante mend se dy vite më parë kishte biseduar me të për ta ndihmuar të hapte shtëpi për njerëzit në nevojë, pa paguar para aspak.

Donte që njerëzit të flisnin për ato që do bënte e ato që kishte bërë, se sa kuptim ndryshe i kishte dhënë asaj kompanie, me qëllim që fjalët të arrinin te Brajani e ai ta kuptonte se ajo kishte vazhduar jetën e saj pa u kapur pas kujtimeve të së shkuarës, dhe ia kishte dalë të qëndronte mbi këmbët e veta, krenare, më e fortë se më parë.

-Jam unë Meliona. Dhe më falni për shpërthimin e disa çasteve më parë, isha tmerrësisht e përhumbur.

-Ju kuptoj, nuk ka aspak problem. Dhe në fakt duhet t'ju kërkoj unë falje që s'ju njoha, vetëm se kohët e fundit po shoh aq shumë fytyra sa më duket sikur po i harroj njerëzit në vend që t'i fiksoj më tepër.

Buzëqeshi dhe e ftoi për në zyrën e saj, ku biseduan gjatë dhe qetë, ndoshta biseda më e qetë që kishte bërë në gjithë jetën e saj.
Alesio ishte i kundërti i gjithë personave me të cilët ishte njohur deri më tani. Ndërkohë që të tjerët i rrethonte ajo aurë hokatare tepër impulsive, ai rrethohej nga një qetësi pothuajse e pathyeshme. Kishte nevojë për tipa si ai në jetën e saj.

-Besoj se në fundjavë do jetë mrekulli për t'u mbledhur e për të festuar nismën tonë, - tha ai pas bisedës duke u ngritur nga karrigia e duke i hedhur një shikim të shpejtë orës që mbante në dorë.

-Po, do ishte perfekte.

Ia shtrëngoi dorën lehtë para se ai të largohej dhe kur ngeli e vetme në dhomë, u shemb rëndshëm në karrigen e saj. Mbylli sytë e vendosi kokën mes duarve. Dhe s'është fort e vështirë të gjendet se ç'ishte duke menduar.

Po sikur Brajani të ish kthyer vërtet?

Kafaz dashurieWhere stories live. Discover now