•2•

259 62 139
                                    

Gjatë gjithë udhëtimit, nxënësit nuk ndalonin së foluri rreth ekskursionit. Disa nga ta e pëlqenin, disa të tjerë jo, disa të tjerë do të preferonin të qëndronin në shtëpi në ato momente.

-Ky ekskursion është shumë i mërzitshëm!- nisi të ankohej Glei. Ajo ishte nga ato vajza që e adhuronin aventurën, të panjohurën, dhe jo muzeumet historike të cilat do të vizitonin sot.

-Ku e di ti? Ne ende s'kemi mbërritur, -i tha i vëllai, Eliseo. Diçka që nuk duhet harruar është që, Eliseo, përveç se vëllai i Gleit, ishte gjithashtu ai djali tipik i çdo gjimnazi, pas të cilit lënë kokën të gjitha vajzat. Dhe kanë arsye.

-Oh të lutem! Po vdes nga kureshtja për të parë një varrezë gjërash shumë vjeçare të kota, -iu përgjigj ajo në dukje shumë e bezdisur. Glei kurrë nuk i pëlqente gjërat monotone. Ajo donte të rrezikonte, të provonte sporte ekstreme apo të studionte kafshë vdekjeprurëse. Nëse nuk do të ishte për 40% të notës përfundimtare në histori, ajo as që do ta merrte mundimin të hipte në atë autobus.

-Profesore sa do të zgjasë udhëtimi?-pyeti më pas Aria. Në fakt, të gjithë e dinin se sa do të zgjaste udhëtimi, por Aria mendonte se duke pyetur çdo 3 minuta, do të bëhej më i shkurtër. Ajo nuk donte aventurat dhe sportet ekstreme. Gjithçka ajo donte ishte të rehatohej në ndonjë parukeri estetike, teksa parukieri kujdesej për flokët dhe thonjtë e saj.

Me pak fjalë, të gjithë flisnin rreth këtij ekskursioni, por dukshëm askush nuk e pëlqente atë. Dukej sikur të gjithë e parashikonin që asgjë nuk do të shkonte siç duhej atë ditë.

Ndërkohë Matea dhe Alvini ishin duke biseduar me njëri-tjetrin, në atë pak hapësirë që Kenzi u kishte lënë.

-Pra Alvi, (kështu i thërriste ajo atij) si më paske shpëtuar kësaj here?

-Sekreti im, -i tha ai dhe buzëqeshi në atë mënyrën që vetëm ai mund ta bënte. -Çfarë ke ndërmend të bësh kur të arrijmë atje?

-Nuk e kam menduar, -tha Matea, dhe pa Alvinin që nisi të qeshte.
-Çfarë?-i tha më pas ajo. -Duhet të jetojmë momentin, siç unë e them gjithmonë. Nga ta dimë ne që do arrijmë atje ku supozohet të arrijmë? Për shembull, ky shoferi ynë mund të përplaset diku në këtë moment dhe të vdesim të gjithë.

Ajo nuk e kishte mbaruar ende fjalinë, kur një kthesë e fortë e autobusit bëri që të gjithë nxënësit të përplaseshin. Matea u shty nga Alvini, i cili u frikësua për një moment dhe e shtrëngoi fort pas vetes. Ndërkohë edhe Matea që ndihej e frikësuar, e përqafoi fort atë, sikur të gjente atje të gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen që i nevojitej.

Ndërkohë të gjithë i zuri paniku. Autobusi kishte dalë nga kontrolli, duke u futur kështu në një rrugë të panjohur. Nga përplasjet e herëpashershme me pemë dhe bordura, kontrolli i mjetit për shoferin u bë tashmë i pamundur. Zërat që thërrisnin për ndihmë ishin shurdhues, të gjithë kishin frikë pasi e gjithë kjo ishte shumë e papritur.

E vetmja që dukej se po e shijonte këtë situatë, ishte Glei.
-Më në fund po ndodh diçka jo e mërzitshme, -thoshte ajo.

Ndërkaq, brenda autobusit, të gjithë nisën të lëviznin nga vendet e tyre. Të shqetësuar, ata mundoheshin të gjenin vende të sigurta ku të strukeshin, në rast të ndonjë aksidenti më të rëndë. Kenzi ishte shumë e shpërqëndruar dhe nuk dinte ç'të bënte. Teksa mundohej të arrinte çantën e saj që ndodhej në mbajtëset lart të autobusit, u pengua, dhe, të mos ishte për Eliseon që e mbajti, do të ishte lënduar shumë. Të ishte një vajzë tjetër do të tretej në sytë e tij. Por jo Kenzi. Ajo kurrë nuk e kishte parë atë si një njeri më të veçantë se pjesa tjetër e klasës. Qetësisht ajo u ngrit dhe e falënderoi atë, në një mënyrë që dukej sikur ky moment e vuri në siklet dhe ajo dëshironte t'i shmangej. Tek e fundit, ishte një situatë ku asgjë nuk mund të merrte vëmendje të mjaftueshme.

Në momentin kur të gjithë mendonin se asgjë nuk mund të shkonte më keq, autobusi u përplas diku midis pemëve dhe u përmbys. Glei mundi të hapte derën e emergjencës dhe të dilte prej andej. Ajo jo vetëm i adhuronte aventurat, por gjithashtu ishte shumë e përgatitur për to. Eliseo e pa atë teksa dilte dhe e ndoqi nga pas.

Të tjerët dukeshin se ishin shumë të dëmtuar. Sidomos Matea. Ajo kishte pësuar një goditje në kokë që e kishte lënë atë pa ndjenja. Kishte tym kudo dhe të gjithë ishin në tension. Ndërkohë dëgjoheshin zërat që thërrisnin për ndihmë. Edhe shoferi ishte pa ndjenja. Kenzi, e cila nuk ishte dëmtuar shumë, pa Matean e shqetësuar dhe kërkoi me sy për Alvinin. Ai dukej se po kërkonte për ato të dyja gjithashtu. Sapo i gjeti, vrapoi drejt tyre.

-Matea!

-Është shumë keq. Apo nuk është? O Zot çfarë do të bëjmë tani, -filloi të fliste Kenzi e tensionuar.

-Qetësohu, -i tha Alvini dhe mori Matean në krahë. Do të ishte budallallëk të quaje të bukur një vajzë të dëmtuar në kokë, të shtrirë atje pa ndjenja. Por për të, ajo dukej kurdoherë e bukur. Teksa e mbante me kujdes, i rregulloi flokët që i binin në fytyrë dhe i hoqi syzet që çuditërisht nuk ishin thyer.

-Duhet të shkojmë sa më larg, -tha ai. -Autobusi mund të shpërthejë nga çasti në çast.

-Mund të, çfarë? -tha Kenzi me zërin e dridhur. -Në rregull, në rregull, si të thuash ti.

Ai nxorri Matean nga autobusi me kujdes, më pas doli vetë dhe ndihmoi Kenzin të dilte.

-Kam shumë frikë. A do të jetë mirë ajo?-tha Kenzi gati në të qarë. Alvini e pa në sy dhe i tha:
-Oh të lutem! Mendoja se ishe vajzë e fortë, jo si kjo qarramania këtu. (Matea mërzitej shumë shpesh dhe shpesh qante nga inati). Ajo do të jetë shumë mirë. Ta siguroj unë. Eja tani.

Vendi ku autobusi kishte hyrë dukej si pyll. Ata nxituan mes pemëve, derisa autobusi nuk dukej më.

-Po tani çfarë?-pyeti Kenzi.

Pylli i HënësWhere stories live. Discover now