•18•

128 48 65
                                    

-Shiko, shiko, kë paskemi këtu, -para tyre ndodhej Hadleri duke bërë një kërcitje të çuditshme të gishtave.

-Zoti Hadler...

-Më dini edhe emrin? -e ndërpreu ai.

-Mos po talleni gjë? Juve ju njohin të gjithë. E gjithë bota flet për ju dhe arritjet tuaja në shkencë. Njerëzit ju kanë zili dhe do të donin të ishin si ju. Për më tepër, ju keni qenë idhulli im që në fëmijëri, -u hodh në sulm Matea.

-Eh, epo, duke qenë se më njihni, besoj e dini se nuk mund të ma hidhni dot, -vazhdoi ai.

-T'ju hedhim? Çfarë t'ju hedhim? -nisi Kenzi me pyetjet e saj. Dukej fëmija më i pafajshëm në botë.

-Ku janë tre të tjerët? -Hadleri iu drejtua rojeve, por Alvini përfitoi nga rasti për t'u përgjigjur më parë.

-Ata ikën, me siguri do të kenë dalë nga pylli tani. Thanë se do të njoftonin autoritetet. Jemi në rrezik.

Hadleri bëri një fytyrë dyshuese. Pse po silleshin këta fëmijë sikur ishin bashkëpunëtorët e tyre?

-Jemi në rrezik? Çfarë po përpiqeni të bëni ju?

-Duam t'ju ndihmojmë! Mësuam rreth projektit tuaj fantastik dhe e adhurojmë atë. Që e vogël kam dashur të punoj me ju, dhe e kam ëndërr të... -Matea bëri sikur u prek dhe nisi të fshinte disa lotë imagjinarë, -...kam ëndërr që të arrij as sa një e katërta e atyre që keni arritur ju.

-Veç ta shihnit si ishte Matea e vogël, -Kenzi mori stafetën në dorë, -të gjitha ne vajzat e tjera shikonim filma vizatimorë, ndërsa ajo shihte dokumentarët tuaj. Të gjitha ne luanim me kukulla, ndërsa ajo studionte dhe provonte eksperimente shkencore, -Kenzi tashmë ishte në kulmin e tragjizmit.

Hadleri qeshi në mënyrë ironike, -Me kë talleni ju? Rinia e sotme as që do t'ia dijë për shkencën.

-Ju lutem Z.Hadler! -ngriti zërin Matea. -Thoni ç'të doni, por mos e mohoni faktin që ka të rinj që e adhurojnë shkencën. Viti 2012 ka qenë viti më i suksesshëm për ju. Keni mundur të zbuloni kurën e "Phalmeumonia", një sëmundje që ka marrë jetën e mijëra njerëzve. E gjithë bota ishte krenare për ju. Në vitin 2007 keni parashikuar kalimin e asteroidit Fellos shumë afër me planetin tonë, dhe keni kontribuar në punën me forcën gravitacionale të tij, për të parandaluar përplasjen e tij me Tokën.

-Nga i di ti të gjitha këto? Këto nuk janë bërë publike, -tashmë Hadleri nisi të dyshonte në vërtetësinë që kishin fjalët e tyre.

-Një adhuruese e vërtetë di gjithçka Z.Hadler. Prandaj dua t'ju ndihmoj. Ëndrra ime kështu do të bëhet realitet.

-Mendojeni në këtë mënyrë, -filloi Alvini, -pse nuk shkuam edhe ne me pjesën tjetër për të dalë nga pylli, por ngulmuam të vinim sërish këtu? A ju thanë rojet se nuk ishin ata që na gjetën, por ishim ne që shkuam tek ata?

-Kjo është e vërtetë zotëri. Ata dolën para nesh dhe ngulmuan t'ju takonin -foli njëri prej tyre, gjë që e çuditi Kenzin, sepse ajo mendonte se ata nuk mund të flisnin. Hadleri vazhdonte dhe bëhej më dyshues, por dalëngadalë po binte në kurthin e tyre.

-Atëherë pse u arratisët? -ishte pyetja e rradhës.

-Ata do të na vrisnin, -tha Kenzi dhe nisi të bënte një të qarë të shtirur, -u tmerruam për vdekje! Çdokush do të kishte ikur. Edhe ju do të kishit ikur Z.Hadler, -tashmë ajo po dëneste si një fëmijë. Ai nisi të mendohej. Ata kishin të drejtë. Pse të mos vazhdonin rrugën e tyre në përpjekje për të dalë nga pylli si tre të tjerët, por kërkonin me ngulm të ndihmonin? Matea dinte shumë për të, kjo do të thotë se ajo vërtet e adhuronte atë dhe shkencën.

-E dini Z.Hadler, ndonjëherë do të doja që edhe vëllai juaj të ishte këtu, -Matea hodhi hapin e rradhës dhe të fundit. -Edhe ai ishte po aq i shkëlqyer sa ju. Mbaj mend ditën që... -ajo nisi sërish të qante në mënyrë tragjike. Kësaj rradhe, edhe Hadleri u prek. -Ditën e mallkuar! Gjithçka për hir të atij trupi qiellor të mallkuar! Ah sikur koha të kthehej pas dhe asgjë nga këto të mos kishte ndodhur! Do të bëja gjithçka për këtë, gjithçka!

Tashmë Hadleri ishte bindur se të paktën Matea dëshironte ta ndihmonte.

-Ju doni të ndihmoni hë?-të tre tundën kokën në shenjë pohimi. -Mirë atëherë, ndiqni rojet dhe ata do t'u japin uniformat e pastruesve. Mos ua ndani sytë, -u tha më pas rojeve.

-Pastruese? Oh, të lutem! -u ankua Matea ndër dhëmbë.

-Matea në vend që të ankohesh për punën e re, gëzohu që je gjallë, -i tha Alvini dhe i shkeli syrin.

Duhet të vepronin shpejt. Koha nuk u premtonte gjë. Nisën të "pastronin" të gjitha vendet e ndërtesës me rradhë, por rojet ua bënë të ditur se kurrsesi nuk duhet të hynin në njërën prej dhomave. Me siguri aty ndodhej "Qendra"! Pajisja që sipas parashikimeve të Mateas duhet të dilte jashtë përmes një të çare gjigande në tavan, për të ndikuar më pas në forcën gravitacionale të Hënës.

-Kenz, ti mbaj me fjalë këta tipat. Alv, ti do të bësh roje, -nisi të qeshte sepse e imagjinoi Alvinin të veshur si "rrudhat", -do të më thuash nëse dikush do të vijë ose nëse jam në rrezik. Unë po i bëj një vizitë asaj dhomës së bukur atje.

-Matea, ç'po bën? Ndalo! -thërriti Alvini në psherëtimë por ajo nuk e dëgjoi. Ndërkohë Kenzi vrapoi te rojet që t'i shpërqendronte.

-Khëm më falni? -ata u kthyen, -Kisha një pyetje. Këto fshesat dhe leckat që përdorim ne për të pastruar, a janë materiale sintetike?

-Çfarë do të thotë kjo? -pyeti njëri prej tyre. Prapa shpinës së tyre Matea po ecte në majë të gishtave, pa bërë as zhurmën më të vogël.

-As unë nuk ia kam idenë, por mami im thotë se kam alergji nga materialet sintetike, -nuk dinte ç'të shpikte. Ata bënë një mimikë mospërfillëse dhe bënë të ktheheshin mbrapa.

-DHE, -ata u kthyen sërish nga ajo, -a jeni vëllezër ju? Ngjani shumë, ju betohem.

-Jo,-u përgjigj njëri prej tyre thatë.

-Po si ka mundësi? Nejse ç'rëndësi ka kjo? -dhe nisi të qeshte e nervozuar, -E keni parë atë serialin "Me ty"? Është fantastik! Flet për një vajzë të pasur, mirëpo siç e kanë zakon këto të tillat dashurohen me një djalë të pashëm por të varfër dhe...

Matea tashmë kishte hyrë në dhomë. Ajo çfarë mendonte ishte e vërtetë. Aty ndodhej "Qendra". Ishte krijuar në formën e një mulliri gjigand. Fletët e tij ishin nga njëra anë me pasqyra, dhe nga ana tjetër në ngjyrë të zezë. Dhoma kishte drita të fuqishme që e ndriçonin të gjithën. Kur u fut në fillim, ajo picërroi sytë që bebeja e tyre të përshtatej me dritën e fortë. Një sinjalizues satelitor ishte instaluar në krye të mullirit, i cili dilte jashtë dhe ndërvepronte me fushën gravitacionale të Hënës. Tavani ishte i hapur dhe ajo mund të shihte që aty kupën e pafundme qiellore, si dhe Hënën që vazhdonte të lëvizte me një shpejtësi aspak normale. Mbeti e mahnitur për një çast. E gjitha dukej si magji. Por nuk ishte asgjë tjetër veçse shkencë. Ja pse Matea e adhuronte shkencën. Sepse ajo ishte magji në vetvete.

U kthye me këmbë në tokë dhe nisi të kërkonte për burimin e energjisë me të cilin vihej në punë "Qendra". Asnjë kabllo nuk ishte lidhur me të, kështu që burimi me patjetër duhet të ishte i instaluar në brendësi të pajisjes. Por as kjo nuk kishte kuptim. Diçka aq madhështore të punonte me bateri të instaluar brenda saj? Diçka nuk shkonte.

-Punë e paqme Matea! -dëgjoi ajo një zë pas saj.

Pylli i HënësWhere stories live. Discover now