•5•

190 53 148
                                    

Tashmë të gjithë ishin ulur, po konsumonin disa rrënjë të qëruara bimësh, të cilat pas një studimi të hollësishëm nga Matea, rezultuan të ishin të ngrënshme. Nuk kishin shijen më të mirë të mundshme, por nuk ishte momenti i duhur për të bërë naze. Dielli kishte perënduar dhe do të errej plotësisht pas pak orësh, ndaj ata duhet të bënin një zjarr me patjetër. Të gjithë e dinin metodën e njohur të ndezjes së zjarrit në një vend të tillë, por nëse nuk do të ishte për Glein, ata do të kishin vdekur së ftohti. Krenare që ishte e vetmja që mundi të ndizte zjarrin, ajo edhe njëherë tjetër u vërtetoi atyre që ishte më e mira.

-Kur do të ikim në shtëpi?

Ishte pyetja acaruese që Aria bënte çdo 5 minuta. Të gjithë donin të iknin në shtëpi, sepse tek e fundit kush do të donte të rrinte në një pyll të ndaluar pa ushqim, ujë, dhe pa mjete komunikimi? Epo përveç Gleit, sepse siç dukej, ajo po e shijonte shumë këtë aventurë. Gjithë të tjerët ishin në panik. Duhet të dilnin që aty një orë e më parë. Nëse do ta dinin ç'i priste në vazhdim, paniku do t'i pushtonte shumëfish.

Nata ishte mjaft e qetë. Frynte pak erë që i bënte degët e pemëve të vallëzonin lehtësisht sa nga njëra anë në tjetrën. Nuk dëgjoheshin cicërima zogjsh siç mund të pritet në çdo pyll të zakonshëm. Përveç kërcitjeve të flakëve të zjarrit dhe fëshfëritjeve të gjetheve të pemës, në pyll mbizotëronte një heshtje vdekje. Të gjithë ishin të shpërndarë rrotull zjarrit, duke menduar për rrugë të ndryshme daljeje prej këtij vendi në fakt jo aq të çuditshëm sa ç'mendohej.

Matea ishte duke vështruar yjet. Ishte errësuar mjaftueshëm për të nisur spektakli i tyre, të paktën në atë pjesë të vogël të kupës qiellore të pambuluar nga pemët.

-A beson edhe ti se nëse shpreh një dëshirë kur një yll bie, bëhet realitet?

Ajo ktheu kokën. Ishte Alvini. Ai u afrua dhe ajo nuk mund ta shmangte buzëqeshjen.

-Të pëlqejnë edhe ty yjet? -i tha ajo me sytë që i ndriçonin.

-Jo edhe aq, -i tha ai, -por më pëlqen si ndriçojnë sytë e tu kur ti sheh ata. Duket sikur po bëni një garë se kush do të ndriçojë më shumë.

Kaq nevojitej që ajo të kthente kokën nga ai dhe të krijohej një kontakt i gjatë shikimesh. Ata humbisnin në sytë e njëri-tjetrit. Është ajo ndjesia ku të duket sikur nuk ka asgjë rreth e rrotull, asgjë që mund ta prishë atë moment apo të tërheqë vëmendjen.

-Natyrisht që garën e fitojnë yjet, -tha ai duke thyer kontaktin e syve.

-Hejj, -tha ajo duke ngrysur vetullat. Ai i hodhi dorën në qafë dhe u bënë të dy spektatorë të atij spektakli të yjeve. Ishte bukur të shihje qiellin natën, sidomos në ato netët e kthjellëta. Të gjithë e kishin humbur sensin e kohës dhe kushedi çfarë orë e vonë nate ishte. Yjet vazhdonin të shkëlqenin, po ashtu edhe hëna e re, që dukej sikur po zhvendosej me një shpejtësi më të madhe se e zakonshmja.

-Sa e çuditshme!-tha Alvini. -Duket sikur hëna po lëviz.

-Haha, ashtu më duket edhe mua, -tha Matea pa e kuptuar as vetë se ç'po thoshte.

Atyre iu deshën disa sekonda për të kuptuar se hëna po lëvizte me të vërtetë.

-Prit, çfarë?? Hëna po lëviz??

Këto fjalë të Mateas thyen qetësinë e asaj nate. Të gjithë kthyen kokën dhe vunë re se si hëna zhvendosej pak nga pak nga pozicioni i saj. Ishte pamja më e çuditshme që kishin parë ndonjëherë. Dhe do të ishin duke e soditur për një kohë të mjaftueshme, nëse një zë i dyshimtë nuk do të tërhiqte vëmendjen e tyre.

-Këtu ndodhet dikush!
-E pamundur, pylli është i ndaluar me ligj dhe kurrsesi nuk do të guxonte të hynte njeri në të.
-Por unë dëgjova zërin e një vajze!

-Mesa duket nuk qenkemi vetëm, -tha Glei. -Epo le të shohim se kush na qenkan këta tipat që po na sfidojnë në aventurën e rradhës.

Qetësia me të cilën fliste ajo, e bënte të gjithë situatën të dukej si një lojë.

-Është e rrezikshme, -nuk vonoi të paralajmëronte Eliseo, por Glei ja preu shkurt:
-Kur do ta mësosh Eliseo? Rreziku, është emri im i dytë!

-A e ndjeni edhe ju këtë erën e çuditshme? -tha Kenzi duke shtrembëruar fytyrën. Të gjithë pohuan me kokë. Aroma që të gjithë po nuhasnin të sillte gjumë, dhe ajo sa vjen e bëhej më e fortë. Nuk vonoi shumë dhe të gjithë ranë në gjumë të thellë...

*****

Kur u zgjuan nga gjumi, ndodheshin në një vend krejt tjetër. I përngjante një kutie metalike, por në përmasat e një dhome. Ata ndjenin një dhimbje bezdisëse koke, që me shumë siguri e kishin nga ajo aroma e çuditshme.

-Na vunë në gjumë, -tha Matea.

-Me siguri është ndonjë person i paguar nga prindërit. E kaluam orarin e gjumit, -tha Alvini dhe të gjithë po qeshnin.

-Epo të paktën dikush nga ne u kënaq duke fjetur, -tha Kenzi duke vazhduar të qeshte.

-Glei, eja bëj interesanten tani dhe na thuaj që nuk është momenti për të qeshur, -tha Eliseo pa e ndaluar të qeshurën.

-Glei??

Të gjithë ndaluan së qeshuri. Glei nuk ndodhej aty.

Pylli i HënësWhere stories live. Discover now