•11•

139 49 77
                                    

Sekondave që duheshin për të formuar kontaktin u erdhi fundi, ashtu siç u erdhi fundi edhe gjashtë zemrave të ngrira në atë dhomë boshe...

"Numri që thirrët është i paarritshëm. Ju lutem telefononi më vonë, ose lini një mesazh pas sinjalit akustik."

Do i ketë rënë bateria, - pëshpëriti ai me vete dhe doli nga dhoma. Si të ishin duke bërë hapat e një koreografie, të gjashtë u ngritën me të shpejtë. Kishin vështirësi në frymëmarrje, ose ashtu u dukej atyre. Të gjithë ishin ende të tensionuar dhe nuk e dinin se si kishin shpëtuar aq papritur. Epo, pothuajse të gjithë. Ata kthyen kokën nga Glei; ajo, me një pozicion krenar me kokën lart, shtrëngonte fort tabletin që e mbante në dorë.

-Jeni zverdhur në fytyrë sikur sapo të jeni takuar me engjëllin e vdekjes, -ironizoi ajo, -mendoja se e kishit kuptuar tashmë që për mua nuk ka gjëra të tilla të papritura.

Eliseo do të thoshte diçka, por nuk po thoshte gjë.

-Të lutem Eliseo, -ia preu ajo, -nuk ka nevojë të më falënderosh që të shpëtova jetën sërish, ta kam thënë, -dhe harkoi buzën në anën e majtë.

-Na ngriu gjaku Gle, -i tha Alvini. Ajo qeshi dhe i tha, -Në fakt ti kishe ngrirë i gjithi.

-Nuk është faji im. Ç'do të bënim nëse do të merrej vesh e vërteta? -zëri i tij ende dridhej kur fliste, thua se kishte parë makthin e tij më të keq. Glei bëri disa hapa drejt tij dhe i kërciti gishtat para syve : - Hej, hej, mblidhe mendjen. Hera e parë është që përballesh me këtë lloj rreziku? -Ai pohoi me kokë, ndërsa ajo i ra me dorë ballit. -E kuptoni që në këtë gjendje nuk kemi për të bërë dot asgjë? Eleminojeni frikën këtu! Nuk ka frikë, kuptuat? Nuk, ka, frikë! -dhe më pas u kthye me shpinë. I pëlqente të bënte veprime që zakonisht detektivët ose agjentët sekretë bënin nëpër filma. Pas disa sekonda heshtje, u kthye sërish nga ata, dhe mbërtheu Kenzin me shikimin e saj. Nëse nuk do të ishte për adhurimin që ajo kishte për skenat detektive, do të arrinte ta pyeste Kenzin para se këtë gjë ta bënte Matea, gjë që natyrisht do e bezdiste atë.

-Kenz, kodin, -i tha Matea, ndërkohë që Glei shau ndër dhëmbë. Kenzi ia bëri me shenjë që e mori mesazhin, dhe më pas vazhdoi:
-Tre, një, katër, një, pesë, nëntë, dy, gjashtë, pesë.
Matea shënoi kodin në kasafortë, por nuk u hap. Nga inati shfryu dhe përplasi këmbën.

-Nuk ka mundësi të jetë gabim, -ngriti zërin Kenzi sikur donte të shfajësohej nga ndonjë akuzë që i kishin bërë.

-Qetësohu Kenz, do e provoj edhe njëherë. Tre, një, katër, një, pesë, nëntë, dy, gjashtë, pesë.

Sërish nuk funksionoi!

-Është kod dhjetë shifror dreqin, ke marrë vetëm nëntë shifra Kenz.

Një kujtim i zbehtë i atij momenti erdhi në mendjen e saj.
-Uf, po, tani u kujtova, -tha dhe i ra me dorë ballit. -Nuk arrita ta dëgjoj tingullin e shifrës së fundit, -dhe futi gishtin tregues në gojë. Glei psherëtiu rëndë, sikur psherëtima e saj të përkthehej do të thoshte, "Pse pikërisht më ranë këta të paaftë për pjesë".

-Po sikur të provojmë të gjithë numrat për shifrën e fundit, -tha Eliseo.

-Do të doja shumë, por edhe një mundësi kemi, -tha Matea, -është një lloj "kasaforte" që lejon vetëm tre prova kodi. Dhe ne i kemi çuar dëm dy tashmë.

-Po tani ç'do të bëjmë ne?-nuk vonoi dhe pyetja rutinë e Kenzit, shoqëruar me kruarjen konfuze të kokës.

-Ndoshta po të ishe pak më e vëmendshme, do të dinim çfarë do të bënim, -iu kthye Glei.

-Ndoshta po të ishe më e mirë se unë në këtë punë, mund ta merrje ti përsipër dhe të parandaloje çdo gabim apo "mungesë vëmendje" -i tha Kenzi pa u vonuar. Asaj nuk i bënte përshtypje hija e rëndë e Gleit. Nuk kishte të bënte shumë me të, por nëse do të ishte në vendin e Mateas, njëra prej tyre me shumë mundësi do të ishte e vdekur tashmë. Glei mbylli sytë, mori frymë thellë dhe u përpoq të ruante qetësinë.
-Mos u merr me idiotë Glei, ti nuk je në nivel aq të ulët sa të debatosh me ta, -po mërmëriste me vete për të ulur tensionin.

-Kenz, është më mirë sikur të, -Eliseo u përpoq të ndalonte debatin, por Kenzi nuk priti sa të përfundonte ai dhe ia preu, -E para, Kenz më thërrasin vetëm njerëzit e rëndësishëm. Kam një emër të plotë, Kenzi, -dhe nisi të imitonte mënyrën se si Glei fliste ndonjëherë, -ka vetëm një "i" më shumë dhe nuk besoj të të bezdisë kaq shumë. E dyta, kur të kërkoj këshilla nga Zoti xhentil, mund të përgjigjesh, -dhe ktheu kokën me të shpejtë, ndërkohë që flokët e saj bënë një rrotullim 180°.

Eliseo vuri re Alvinin që po qeshte me vete, dhe ngriti supet sikur donte të pyeste "Po ç'dreqin bëra unë tani?", Alvini u afrua dhe i pëshpëriti në vesh, -Kështu janë vajzat, -dhe i ra lehtë në shpatull. Do të kthente kokën kur ndjeu t'i kërciste nga një dorë shumë e njohur, e më pas u përball me fytyrën që ai e adhuronte aq shumë.
-Për shumicën e vajzave e kisha fjalën, -i tha.

-Çfarë do të bëjmë për kodin? - Glei ngriti zërin dhe trokiti dy herë duart për të fituar vëmendjen e tyre. Si përgjigje mori heshtjen e tyre, shoqëruar me një ngritje supesh të Eliseos.

-Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim për një rast tjetër kur të hapet Kasaforta, -tha Matea. Glei qeshi dhe nisi të duartrokiste në mënyrë ironike, -E vetmja gjë për të cilën nuk më kishte vajtur mendja kurrë. Bravo Matea! Nuk të quajnë kot më inteligjenten këtu.
Kenzi bëri të fliste, por Matea ia bëri me shenjë që të mos ndërhynte. Do të mbaronte aty, nëse Glei nuk do të vazhdonte atë ç'ka po thoshte, që dukej se po e shijonte shumë.
-Mos po tallemi gjë këtu ne? Më thuaj nëse krejt papritur vendosëm të bëjmë pak humor dhe unë nuk ditkam gjë. Seriozisht e ke? "Të presim për një rast tjetër! " Nuk ka rast tjetër! Nuk është zgjidhje kjo. Po të rikujtoj se ne duhet të gjejmë një zgjidhje dhe...

-Sa të pëlqen të bësh "të përkryerën", -e ndërpreu Matea. -Shumë po të dëgjojmë këto kohë Glei, shumë. A nuk mendon edhe ti se u bë pak si e mërzitshme kjo situatë? Sillesh si lider kur askush nuk të caktoi të tillë. Kryen me sukses diçka dhe e hiperbolizon çdo sekondë të jetës. Gënjen veten me idenë se je shumë më e aftë se ne. Por shiko Glei! Shiko! Jemi të gjithë në të njëjtin vend. Ti nuk je atje jashtë e lirë. Mendon se ke ngecur këtu me ne, por e vërteta është se ti ke nevojë për ne. Nuk je perfekte Glei. Nëse do të ishe perfekte nuk do të ishe këtu tani. Kështu që, në vend të na humbasësh kohën duke na mbajtur leksione për paaftësitë tona, do të bëje mirë ta vendosje në praktikë aftësinë tënde, që në teori është e shkëlqyer. Vajti vonë. Unë do të fle tani, -përfundoi ajo duke u larguar më tutje.

Pylli i HënësWhere stories live. Discover now