•4•

196 55 109
                                    

-Mos më bëj gjë jam e pafajshme! - tha Kenzi duke mbyllur sytë e frikësuar.

-Deri më tani nuk kam lënduar, frikësuar, kërcënuar apo vrarë njerëz, kështu që mos u shqetëso, -tha krijesa që doli nga pemët më e qetë se kurrë.

Të gjithë u shtangën kur e panë krijesën. Ata mund të hamendësonin çdo lloj kafshe, natyrore apo mbinatyrore, por jo atë.

-A.. Aria? -tha Matea me një ton sa shokues aq edhe të lehtësuar njëkohësisht.

-Nëse do të shihnit një fantazmë në vendin tim, me siguri do të ishit çuditur më pak, -tha ajo po me atë qetësinë e mëparshme.

-Si erdhe ti deri këtu?-pyeti Glei.

-Duke ecur?-Arian e karakterizonte qetësia e tillë që e bënte të dukej njeriu më moskokëçarës në botë. Ajo me shumë mundësi as që ja kishte idenë se ç'po ndodhte.

Kenzi ndërkohë po mundohej të mbante të qeshurën. Nuk e mendonte që gjithë ajo frikë që e kishte pushtuar ishte për shkak të një njeriu të tillë si Aria.

-Si na gjete?- pyeti Alvini.

-Ju lutem! Nuk është se iu futa një hetimi. Thjesht eca dhe rastësia më përplasi me ju. Kjo nuk ka rëndësi në fakt. Çfarë ka rëndësi është vendi në të cilin jemi.

Aria nuk thoshte gjithmonë fjalë me vlerë, por kësaj rradhe ajo kishte të drejtë. Ata as që ja kishin idenë ku ishin. Tashmë ishin gjashtë adoleshentë në një vend të panjohur, pa ushqim, pa mjete komunikimi. E vetmja gjë që kishin me vete ishin veshjet e trupit.

-Po ku jemi?

-Ky është pyll i ndaluar, -tha Glei dhe të gjithë kthyen kokën nga ajo. -Për arsye të panjohura, askush nuk lejohet të shkojë në brendësi të pyllit, ta eksplorojë apo studiojë atë.

-E ku e di ti? -i tha Kenzi.

-Ajo ka të drejtë, -tha Matea. -E pashë tabelën që tregonte këtë gjë kur autobusi hyri në rrugën qorre.

Glei nënqeshi lehtë. Ajo gjithmonë kishte të drejtë dhe kjo ndonjëherë e bënte atë të ndihej më lart se të tjerët.

-Unë s'duhet të isha këtu. Shikoji pak si më janë bërë flokët! Shikoje në çfarë gjendje të mjeruar janë katandisur këpucët e mia. Më mungon shtëpia ime dhe dushi im i bukurisë, -nisi të ankohej Aria.

Eliseo qeshi dhe shkoi pranë saj.
-Mos u shqetëso. Gjithçka do të jetë mirë, -i tha.

Kenzi rrotulloi sytë. -Kush dreqin mendon se është ai?-mendoi. Ndërkohë Matea, edhe pse jo në gjendjen më të mirë të mundshme, i hodhi asaj një vështrim që ishte gjuhë më vete, një gjuhë të cilën vetëm dy shoqe të ngushta do e kuptonin. Kenzi, e cila dukshëm nuk e pëlqeu këtë gjë, ja ktheu Mateas me një vështrim tjetër, që linte të nënkuptohej se asaj nuk i interesonte aspak për zotin gentleman apo veprimet e tij.

Atë moment shikimesh nuk vonoi ta prishte Glei, me qortimin e saj të rradhës për të vëllanë.
-E si mund të jetë gjithçka mirë nëse ne nuk bëjmë asgjë? -tha ajo. -I lëmë romancat ju lutem dhe kërkojmë më mirë për mënyra mbijetese.

-Jam shumë dakort! -tha Kenzi duke ngritur kokën lart, siç bëjnë fëmijët kur prindërit nuk u plotësojnë tekat. As ajo vetë nuk e kuptonte pse sillej në atë mënyrë. Ndoshta ngaqë Kenzit kurrë nuk i kanë pëlqyer njerëzit shumë të njohur. Ndoshta.

Pylli ishte i lagësht dhe me rrugë shumë të ndërlikuara. Vendi më i papërshtatshëm për Arian, por më i përshtatshmi për Glein. Ajo mund të ngjitej lehtësisht nëpër pemë, të kërkonte për ushqim, t'i shpëtonte rrezikut, madje edhe kafshëve të egra. Teksa po kërkonte midis gjethesh, një buzëqeshje e zbehtë në fytyrën e saj lajmëroi se ajo gjeti diçka.

-Koha e drekës! -tha ajo dhe u kthye nga ata me një grumbull kërpudhash në dorën e saj.

-Ti je më e mira Glei! -tha Aria dhe kjo gjë dukshëm ja bëri qejfin asaj. Diçka që nuk do të zgjaste shumë, pasi Matea vuri re diçka.

-Prit! -bërtiti ajo dhe mori një nga kërpudhat në dorë. -Amanita phalloides, -mërmëriti më pas. Të gjithë të tjerët nuk kuptuan gjë, por asnjë nuk foli. -Kjo është Amanita phalloides! -tha më pas ajo me zë më të lartë. -Janë specie kërpudhash helmuese. Nga më të rrezikshmet do thoja unë. Mjafton një kafshim për të shkaktuar dëme të rënda në organizëm. Nuk jemi të sigurt.

-Epo siç duket motër, ti nuk paske të drejtë kësaj rradhe. Ku është zonjushë zgjuarsia? Për fajin tënd do të kishim vdekur.-iu kthye Eliseo.

Buzëqeshja e mëparshme në fytyrën e Gleit kishte ngrirë. Ajo s'mund t'ja lejonte vetes që dikush të ishte më e mirë se ajo. Gjithmonë ishte mësuar të ishte e para, dhe kështu duhet të ishte gjithmonë. Edhe për gjërat më të vogla. Megjithatë nuk e dha veten. Por u kthye nga Eliseo duke i thënë:
-Oh të lutem! Të paktën një vdekje nga kërpudha helmuese do të ishte më e bukur se një vdekje nga shpërthimi i një autobusi apo jo?-dhe i nguli atij një shikim paksa të frikshëm. -Me siguri nuk do të doje ta shihje mishin tënd teksa bëhej copa-copa, dhe këto copa të fluturonin në ajër, dhe të katandiseshe në atë gjendje ku nuk do të të gjenin as kockat... -dhe fliste duke shoqëruar çdo fjalë me hapa ritmikë drejt tij-... apo jo?

Eliseo u bë gati të thoshte diçka, por fjalët e saj e ndërprenë sërish:
-Oh s'ka problem vëllaçko! Të thashë edhe më parë që s'ka nevojë të më falenderosh.

Ai nuk tha dot gjë më pas. Ajo sërish kishte të drejtë. Me të vërtetë do të kishin vdekur për fajin e saj, por Eliseo do të kishte vdekur kohë më parë, nëse ajo nuk do të hynte në pyll. Glei ishte një tip shumë kokëfortë. E vendosur në gjithçka që bënte. E kishte përgjigjen në majë të gjuhës. E gjente gjithmonë një zgjidhje. Nuk lejonte askënd t'i tregonte asaj se ç'duhet të bënte. Dhe dilte gjithmonë fitimtare.

-Më falni që po ju prish një moment familjar, por dikush duhet t'ua kujtojë se ndodhemi në një pyll të ndaluar dhe nuk ja kemi idenë se ç'do të bëhet me ne. Sikur t'i linim debatet për më vonë dhe të mundoheshim të gjenim një zgjidhje? -tha Alvini pa e humbur atë karakterin e tij gazmor.

-Hahah ide e mirë, -tha Glei duke buzëqeshur, pavarësisht sa u mundua ta shmangte. Ndërkohë Kenzi, të cilës nuk mund ti shpëtonte asnjë detaj, u kthye nga Matea me një shikim që e pyeste a vuri re gjë, por ishte e dukshme që Matea ishte shumë e paqartë, kështu që ajo nuk e zgjati shumë.

Tani ishin vetëm ata të gjashtë. Ose kështu mendonin ata...

Pylli i HënësWhere stories live. Discover now