Pjesa 1 (Vl)

90 2 1
                                    

Sa do të kisha dashur që babai ta shikonte atë moment. Ai ishte motivi që e kisha arritur, forca ime. Ambicia ime që më kishte lodhur tërë ato vite, ishte emri i tij. Imazhi i tij. Asgjë tjetër nuk dëshiroja veçse ai të vinte vetëm atë ditë, të ulej pranë mamasë, të dy bashkë me motrën dhe të krenoheshin për djalin e tyre që falë tyre arriti të shijonte atë moment. Mu mbushën sytë me lot, saqë përfundova falënderimin dhe u fsheha diku aty në turmë, derisa mbaruan të gjithë. Takuam të afërmit, të njëjtën gjë bëra unë, përqafova fortë mamanë e cila me lot në sy ajo sikur iu përgjigj vështrimit tim të heshtur dhe më tha:
-Ma ndjeu zemra, ai ishte i ulur pranë meje dhe ai ishte krenar për ty. Unë dhe babai yt, jemi me fat që të lindëm ty. Jemi mirënjohës Zotit, që na dhuroi një fëmijë si ty. – për ato fjalë kisha nevojë në ato momente. Që ajo të më pohonte që babai im mund të kishte ardhur nga lart, vetëm atë kohë të shikonte arritjen time të parë në jetë. Ajo më përqafonte pa mbarim e lumtur, më pas takova motrën, Lirën, Tanin të cilët mbanin dhe lule për mua. U ndjeva i lumtur. Nuk kisha shumë njerëz, pak por të sinqertë dhe me vlerë. Ato qëndronin aty duke u lumturuar për mua, sepse më donin. Sikur të më donte edhe ajo...sado pak...
Midis turmës së njerëzve, dallova fytyrën e pedagogut tim të mirë, duke ardhur drejt meje. Ai përshëndeti mamanë, motrën, Tanin dhe Lirën dhe më përqafoi duke më rrahur shpatullat siç bënte zakonisht.
-Më krenove djalë!
-Të falënderoj shumë, për gjithçka!
Në atë moment, mamaja, duke e kuptuar se cili ishte, iu drejtua:
-Zotëri, shumë faleminderit që e keni ndihmuar Sidin tim. Ai më ka folur kaq shumë për ju. Ju ruajt’ Zoti! Gjithë këto të mira ndaj djalit tim, t’i ktheftë Zoti në shëndet dhe lumturi tek fëmijët tuaj!
-Iu falënderoj Zonjë! Iu përgëzoj për djalin që keni, është thjesht i mrekullueshëm! Është mëkat të mos ndihmosh një djalë si ky.
Mamaja nisi e u emocionua më shumë nga fjalët e tij, i rrodhën përsëri lot, por fatmirësisht ishin gëzimi. Ai u largua pasi e thërrisnin shumë persona të tjerë dhe na përshëndeti me përzemërsi. Mora dy zonjat e mia më të bukura, pasi ajo ishte fokusuar te fotot në telefon me Lirën dhe Tanin. Mamaja dëshironte të darkonim të gjithë për të festuar atë natë pa tjetër. Përshëndeta disa shokë dhe shoqe që flisja dhe u larguam. Mamaja ishte aq e buzëqeshur, çfarë s’do të jepja që atë buzëqeshje t’ia fiksoja ashtu gjithë jetën në fytyrë. Shkuam në restorant dhe u rehatuam. Vilma nuk pushonte së foluri. Ishte tejet e ekzaltuar për mua, por vija bast që më e lumtur ishte që po dilte dhe do të bënte foto të bukura. Më vinte pak keq për të që vazhdonte gjimnazin në fshat. Nuk kisha ekonomi, po do e kisha tërhequr pa tjetër në qytet pranë meje, por mamasë i binte të qëndronte vetëm. Gjithashtu ishte shumë e kushtueshme, prandaj i takonte që të qëndronte në fshat për momentin. Por ndoshta një ditë jo të lagët do të ndodhte. Vështroja mamanë e cila po më kënaqte atë natë. Ajo qëndronte me Menu në dorë dhe ishte skuqur. Ishte një grua që turpërohej lehtë. Nuk dinte se çfarë të zgjidhte në Menu dhe ishte në siklet.
-Mama, do porosis unë për ty. Dakord?
-Po djali i mamasë, shumë faleminderit, se nuk i kuptoj këto fjalët këtu.
Nisëm të flisnim për tema të ndryshme. Mamasë i ngjiti shumë muhabeti me Dritanin. E trajtonte sikur të ishte djalë’ i saj. I pëlqente humori i tij, ndërsa Lira fliste me motrën time për tema vajzash. Kurse unë kisha humbur në botën që mbante emrin “Megi”. Ku ishte ajo tani? A do të kishte dashur që të ishte ne festën e diplomimit tim? Më vinte inat që më ndodhi ashtu. E mendoja dhe mendoja që do e shihja në çdo vend ku unë isha. Dhe kjo gjë ishte gabim. Ndërkohë që unë isha i humbur në mendime, Tani i lumtur i kishte treguar mamasë sime për ofertën që më kishte bërë profesori për jashtë. Unë nuk iu kisha thënë asgjë. Nuk e kisha në plan të shkoja. Lira u habit.
-Vërtet Sidrit? Uai! Çfarë oferte! Më në fund fati të trokiti! Lum si ti.
Motra ndërkohë lëshonte pasthirrma: “Më merr dhe mua, më merr dhe mua!” Ndërsa mamaja kishte stepur në një gjendje konstante emocionesh.
-Biri i mamasë, përse nuk më tregove për këtë ofertë?
-Sepse nuk e kam në plan të shkoj mama, prandaj!
-Po përse?
-Sepse jo!
-Shiko biri im, në jetë zgjedhjet janë të tuat. Njeriu duhet të bëjë më të mirën për vete. Mos mendo për gjëra të tjera. Gjithçka rregullohet me durim dhe besim. Ndoshta ajo është rruga e fatit tënd. Unë nuk kam ndonjë dëshirë të madhe të ikësh më larg seç të kam këtu, por e di që kjo qenka një mundësi tejet e mirë për ty, që mund të të ndryshojë jetën. Duhet ta mendosh. Dëgjoje mamanë.
-Mirë mama, e lëmë këtë muhabet. Nuk dua ta diskutoj më sonte.- iu përgjigja prerë.
Ajo nuk e zgjati, por e vura re që mendja i ngeli atje. Ra në mendime për atë çështje. Më pas, ndryshoi muhabet.
-Sa të mirë jeni bashkë! Paske zgjedhur një vajzë shumë të mirë Dritan! Mos iu paftë syri i keq!
-Oh faleminderit, faleminderit bukuroshja e tavolinës – ia kthehu Tani, karagjoz si gjithmonë.
-Qëndroni me dorën e njëri tjetrit gjithmonë, dhe do ia bëni ballë gjërave. Nuk ka si dashuria. Luftoni, se më pas do të merrni frytin e asaj që jeni lodhur dhe keni ndihmuar në rritje. Po ti biri im, kur do ta zgjedhësh një shoqe dhe të të shoh të lumtur?
Ajo filetoja që po haja më ngeci në fyt, sikur kishte brinjë, jo fileto.
-Kur të vijë koha mama! – iu përgjigja.
-Po ti Lira, s’ke ndonjë vajzë të bukur e të mirë siç je vetë për djalin tim? – i tha mamaja si me shaka.
-Mama ç’janë këto muhabete tani, na lë rehat! – ndërhyra i turpëruar.
-Ç’ke ore Sidi, mos u revolto, se muhabete po bëjmë. – ndërhyri Lira duke buzëqeshur. – Kam teta, kam shumë shoqe. Por, fatkeqësisht të gjitha janë të lidhura, ose s’e kanë mendjen për diçka serioze. Madje dhe një që kisha single, ajo është shumë e bukur, por me Sidritin nuk shkojnë mirë! Hahaha! Bëj shaka. Ajo e rreh pak lartë me thënë të drejtën, por në fakt ajo do fejohet me djalin e Gjykatësit, Z. Besnik.
U dëgjua “krrau”, gota e verës sime që kërciti në dysheme. Mu ça dora dhe nisi të më pikonte gjak. Madje dhe sot e kësaj dite, nuk e kuptoj sesi mu ça aq thellë, sa e kam akoma shenjë. E kupton që ajo po fliste për Megin? Për gjarpëruesen time? Për femrën që kisha idhull? Ajo duhet të gënjente me siguri, duhet të gënjente. Nuk ishte e mundur....Nuk ishte e mundur!!!
Mami klithi e shqetësuar:
-Obobo dora, sille këtu ta shoh. Ç’pate more bir?
-Lëre mama, është mirë, iu përgjigja. Do ta laj pak me ujë tani.
-Ç’pate o Sido?- më tha Tani.
-S’e di, më rrëshqiti nga dora. – u përgjigja duke u drejtuar në Tualet.
U futa brenda. Nuk po iu besoja dot fjalëve të Lirës që më vinin në memorie. Nuk kishte mundësi, kupton? Të më kishte gënjyer në atë farë mënyre? Kaq kokrra e budallait qenkam treguar? Sa i verbër paskam qenë? Si e lejova veten të bija pre e saj? Unë paskam qenë një copë dëfrimi, kapriço... oh ç’budalla! Gjuaja kokën me grushte. Hodha ujë syve dhe fytyrës. Bëra gati njëzetë minuta në tualet. Mora një letër, shtrëngova plagën dhe u ktheva sërish në tavolinë.
-Sidi na bëre merak! Je mirë qengji i nënës?
-Po ma, asgjë për tu shqetësuar!
-Syri i keq vëllaçko! – foli Vilma.
-Hahaha – qesha me zor.- Po motër, kjo duhet të jetë.
Në tryezë ra qetësia dhe dëgjohej vetëm zhurma e thikës që cingëronte në pjatë. Mua tani po më gërryenin fjalët e Lirës dhe nuk mund të qëndroja pa e hapur atë temë pa kuptuar se ç’po ndodhte.
-O Lira po flisje qëparë për shoqen. Çne që ajo vajza kapriçoze që mbaj mend unë atë natë, na paska këtë mendje. Nuk dukej e tillë!
Ajo çoi kokën nga tavolina edhe u përgjigj:
-Ah, për Megin po pyet? Jo nuk e kishte në plan, domethënë ato kishin kohë që njiheshin, sepse iu njihen familjet dhe ky djali është gati dhjetë vjet më i madh. Këto kohë janë njohur dhe kanë dalë në mënyrë intensive. Dhe fejesën po e bëjnë kaq shpejt, sepse babai i tij siç po lakmohet në të gjithë vendin, dhe nëpër gazeta, vuan nga një sëmundje e keqe dhe dëshiron ta shoh të birin të plotësuar dhe të marrë pjesë në gëzimin e tij. Pavarësisht se ai është më i madh pak, me Megin përshtaten shumë mirë. Janë dhe të njëjtit nivel shoqëror dhe një tip si Megi kapriçoze, ai ia bën qejfin shumë mirë, sepse çdo ditë e mbulon me dhurata. Imagjino, për një kohë të shkurtër i ndërroi makinën, telefonin dhe unaza do të jetë me diamant! Pra, janë shumë të mirë bashkë. Duken që shkojnë mirë, dua të them. Nuk di më andej.
-Mirë, boll na e bëre sikur janë çifti perfekt!- i tha Tani.
-Jo, unë nuk e di sesi janë, të thashë, sepse Megi as mua nuk ma tregoi që në fillim këtë muhabet. Para dy ditësh ma tregoi. Unë e kam shoqe dhe thjesht uroj që të shkojë mirë. Po kur ma rrëfehu mu duk e lumtur. Duke ditur që ajo nuk është tip që kënaqet lehtë, mu duk mirë.
-I ectë mbarë moj bijë! Po s’është ky brez kështu? Jeni bërë kaq shumë të dhënë pas gjërave materiale! Nuk shikohet vetëm paraja. Sigurisht është e domosdoshme, shumë e rëndësishme, por nëse shikon lekët dhe jo njeriun, ajo lidhje ka mbaruar pa filluar! Mua familja më dëboi në atë kohë që u dashurova me babain e Sidit. Ai ishte i varfër, nga zona shumë të thella. Unë vija nga një familje e mirë, e ngritur për atë kohë. Vuajta shumë. Por zgjodha babain e Sidit, sepse për të më rrihte zemra. Është e vërtetë që nuk kishim ekonomi në fillim. Por luftuam të dy shumë fortë. Ia dolëm mbanë të ngrinim veten nga hiçi që ishim, krijuam një jetë normale, por vitet që jetova me babain e Sidit, kanë qenë vitet më të bukura të jetës time. Ai ishte një njeri i mrekullueshëm dhe një baba shembullor. Prandaj bija ime, dashuria është e lehtë për tu gjetur, sepse është e shkruar më parë. Por e vështirë për tu kujdesur dhe për ta mbajtur.
-Keni folur shumë bukur! Kështu mendoj fiks, si ty edhe unë! – foli Tani.
-Hajde të ngremë një dolli për dashurinë e sinqertë. – tha ai.
Ajo dolli për dashurinë e sinqertë ishte një goditje në zemër. Akoma e kujtoj. Sa goditje po më jepte ajo vajzë. Dhe pse unë kisha mbaruar një shkollë, kisha një profesion tashmë. Ishte nata më e lumtur. Thellë ndihesha njeriu më i paqenë, më i paaftë në botë. Si mund të jetë një mashkull kaq i dobët? Si mund të bëhet leshkoja e një femre që tallet me të? Sigurisht që ajo do të merrte djalin e një gjykatësi, nuk preferonte një “pabukës” siç mund të mendonte ajo për mua. Një gjë nuk kuptoja. Domethënë ajo më kishte mashtruar gjatë gjithë asaj kohe dhe domethënë, ndërkohë që shoqërohej me mua, shoqërohej dhe me atë? Se kështu i bie! Ç’është kjo tradhti kaq e fëlliqur. Mallkoja veten që kisha lindur aq budalla. Pas pak iu kërkova të çoheshim sepse ndieja dhembje koke dhe doja të flija një orë e më parë në krevatin tim. E kisha shumë të rëndë ta përballoja atë inat që s’e shprehja dot me asnjë. Atë peshë zhgënjimi që kisha vendosur ta qaja si hall vetëm me vetminë time të mendimeve. Në mendime gjatë rrugës që po dërgoja mamanë dhe motrën në hotel, vendosa të bëhesha i fortë. I urova atyre natën e mirë dhe do i takoja sërish nesër për tu përshëndetur. Mezi prita të hyja në konvikt. Ngjita shkallët e korridorit dhe u shtriva në dhomën tonë.
Tani si gjithmonë dërdëlliste. Ishte tejet i mbushur, por nuk kisha pikë dëshire të ktheja përgjigje. Doja të flija e të më zinte gjumi. Kështu të paktën do të shpëtoja disa orë nga turpi që ndieja dhe imazhi i saj mashtrues.
Nata ishte dëshmitare e vuajtjeve të shpirtit tim. Ndërsa dita, ah ajo ishte mashtruese, gjarpëruese si ajo. Jua hidhte vellon e bardhë problemeve dhe i mbulonte me bardhësi.
Zbardhi!
Takova mamanë dhe motrën në kafenenë poshtë hotelit ku ato qëndruan. Ajo sigurisht kishte nis me të qarë që pa më takuar pasi do përshëndetej.
-O ma të lutem, mos fillo nga këto tani! Unë do të vijë shpejtë të të takoj!
-Po, po e di zemra e nënës, je gjëja më e shtrenjtë në këtë botë! Ti dhe motra jeni e gjithë pasuria që kam! Zoti e di sa shumë dua t’iu kem pranë gjithë jetën. Por ama e di që fëmijët janë si zogjtë. Ata një ditë rriten dhe fluturojnë. Pavarësisht se më dhemb në zemër t’iu kem larg, unë e di që kjo është gjëja më e mirë për ty, qengji im. Kam menduar tërë natën për ty, biri im dhe për ofertën që të ishte bërë dhe ti duhet të shkosh. Mos u kushtëzo nga unë apo motra. Unë me dëshirë të Zotit do të rroj edhe disa vite për të parë nipërit dhe mbesat e mia. Ëndrra ime është që ju të bëheni dikush. Të plotësosh vetveten. Nesër pasnesër të gjesh një vajzë, ta kesh në krahë, ta doni njëri tjetrin. Sikur në fund të botës të më shkosh dhe zemra të vdesë pa të të parë, mua më mjafton të jesh mirë dhe i lumtur. Unë i jam falënderuese Zotit deri tani për ju të dy, prandaj mendoje këtë ofertë. Do e gjejmë një zgjidhje që t’ia dalësh.
-Ma! Janë shumë gjëra që më stepin. Nuk e di, nuk e kam me qejf.
-Shiko! Unë e di që ti ke problem edhe paratë si fillim, por më beso, do e zgjidh. Sikur të më duhej të shes edhe shtëpinë, do e bëj pa e menduar dy herë. Mjafton që ju të realizoni ëndrrat dhe të plotësosh veten! Unë e di vendimin që do e marrësh dhe do të të mbështes.- më puthi duart duke lotuar. Sa më dhimbsej sa herë që e shihja ashtu. Shikoja duart e saj që kishin nisur shenjat e plakjes paksa dhe sytë kaf i kishin krijuar rrathë të zinj, të rënë dhe me rrudha. Mosha po tregonte me parullë tek ajo që ishte shfaqur për të lënë gjurmë përgjithmonë. Motra nuk ndihej, vetëm dëgjonte mamanë dhe qëndronte e heshtur nga situata. Më pas foli:
-Ma do të çohemi, sepse do të bëhemi vonë për të marrë autobusin.
-Po dritë, do nisemi.  – tha.
Nga fjalët e saj dhe unë u bëra shumë i heshtur atë ditë vere. Për çudi edhe koha ishte si e heshtur atë ditë. Ishte si e zymtuar. Sikur po i përgatiste njerëzit, për një ditë tjetër, ndryshe, për një ditë të re në vazhdimësi. I përqafova fortë të dyja duke i përshëndetur dhe u largova. Sa më pëlqente të ecja! Bisedoja me mendimet e mija. Isha aq rëndë nga gjendja emocionale saqë asnjë s’e kuptonte dhe s’më ndihmonte dot! Seriozisht ajo femër ishte një shkatërrim për mua. Më ç’fazoi në atë mënyrë, që më bëri të humbja veten dhe vetëbesimin. Sikur dikush të më vinte dhe të më tundte dhe të vija në vete, por kjo gjë s’kishte sesi të ndodhte, sepse s’e dinte njeri. Si ajo ditë e zymtuar, kaluan dhe shumë të tjera. Unë vazhdoja në gjendjen time depresive dha Tani i shkretë që mundohej të më argëtonte bashkë me kuriozitetin e tij, për të mësuar rreth asaj situate që kishte sjellë trishtimin tim. Një ndër ato ditë, ai po fliste në telefon me Lirën. Gjatë bisedës ai e pyeti:
-Zemër si kalove në fejesën e shoqes? A morën shumë njerëz të lartë pjesë, se s’mbahet, ajo pranon veç rangun e lartë. - tallej në telefon Tani.
Ajo bisedë më ngacmoi shqisat e mia dhe ngrita kokën. Gjithë sy e vesh. Tani po vazhdonte në hesapin e tij me thashetheme. Ula përsëri vështrimin, pasi nuk doja të bija në sy me gjendjen e fytyrës sime. Një temperaturë e nxehtë më përshkoi tërë trupin dhe di që po zhubrosja një libër që kisha pranë. Domethënë ajo ishte fejuar! “Ah sa bukur!”- thashë me vete. Nuk e di, nuk besoj se do e përshkruaj asnjëherë me fjalë atë farë ndjesie që më kishte përshkuar lënia nga ajo vajzë. Një gjë e shpifur. Ishte një gjendje që po më helmonte trupin.
Ai mbaroi telefonatën dhe më komentoi lajmin:
-U fejua ajo zoçka grindavece. E kishin bërë madhështore fejesën. Lira ishte mahnitur. Unë isha totalisht i heshtur dhe nuk e di si nuk plasa atë ditë. Me kokën ulur i thashë: “Të trashëgohet, jetë të lumtur pastë!”
-Ore, më duket mua, apo seç ke ti kur përmendet ajo femër?! Sikur, s’do të flasësh për të. Sikur të acaron. Mos të ka thënë ndonjë gjë atë natë kur dolëm? Se nga ajo e dalldisura ca s’pret.
-Jo ore Tano. Thjesht s’më intereson të merrem me thashetheme femrash. S’kam pse të zë kohën, të flas për të. Sikur kushedi seç ishte!
-S’e di vëlla, hallall i qoftë ta mendosh. Okej, vetë ka lekë, ama edhe burrin e zgjodhi super bos! Sa ia dinë lezetin këto femrat jetës mor vëlla! Po dhe unë në fakt, po të isha femër, të njëjtën gjë do bëja, do e peshkoja këtë rast, por meqë jam mashkull jam i lumtur që shyqyr Zotit, Lira ime nuk është në këtë lloj kategorie femrash. Do zoti tashmë nuk i ngrihet mendja dhe kësaj të kërkojë kështu luksesh si shoqja, se oh nëne oh nëne!
-Do Zoti jo vëlla, Do Zoti mos e kesh këtë fat.
-O Sido, pse je bërë kaq serioz në muhabet vëlla? Më ke çmendur me këtë gjendje që të ka kapluar. Kush është kjo femër që të ka lënë në këtë gjendje, se edhe pse është femër, më vjen ta kap nga leshtë e kokës?!
-Hahaha! Nuk ka asgjë më për tu shqetësuar. Iku ajo punë tani.
-Ore ajo punë nuk besoj se ka ikur tamam, nuk dua të ndërhyj më. Ama thjesht dua që ti shoku im, të më vish në terezi. Nuk të shoh dot kështu.
-Do e bëj Dritan. Ta premtoj që do të vij në terezi.
-Uroj vëlla!
Dhe vërtetë e kisha vendosur që nuk kishe më Megi në jetën time. Ajo natë do të ishte nata e fundit që unë vrisja trurin për një “pse” dhe herë-herë të qaja më për të si femër e brishtë. Ishte e turpshme që kisha arritur në atë gjendje. Po, po, vërtet do të ishte nata e fundit që do më sillte ndër mend imazhin e bukur të saj si dhe aromën e trupit të saj. Ajo natë...do të ishte nata e fundit që unë do të ndjehesha aq i trishtuar. Ashtu si gjëmimet e kohës kishin nisur jashtë, ashtu do të transformohesha edhe unë. Një shi rrebesh me vetëtima mbaj mend që kishte nisur atë natë, dhe unë gjeja vetveten në këtë kohë. Si isha, si ndjehesha tani dhe si do të bëhesha. Si çdo mëngjes tjetër, edhe ai mëngjes erdhi. U nisa për të takuar profesorin, babain e Megit. Ai kishte një buzëqeshje vesh më vesh. Dukej tejet i lumtur. Po si mos të ishte? Kishte fejuar vajzën me djalin e gjykatësit. Ndjeja një inat përbrenda dhe me buzëqeshjen dhe lumturinë e tij kur e shihja edhe pse ai nuk kishte asnjë faj në këtë mes.
Pasi bëmë biseda të përgjithshme, kishte ardhur koha që unë t’i jepja një përgjigje për propozimin e tij.
-Çfarë vendose biri im?
-U mendova gjatë dhe do të ishte idiotësi nga ana ime ta refuzoja këtë ofertë. E pranoj ofertën! Nuk dua ta humbas si mundësi.
Ai u lumturua shumë me atë përgjigje, u ngrit në këmbë dhe më përqafoi siç ai bënte zakonisht kur krenohej me mua.
-Djalosh, ke bërë zgjedhjen më të mirë, më beso. Unë kam kaluar kaq shumë gjëra në jetë dhe të premtoj që kjo mundësi do të të ndryshojë jetën në çdo aspekt.
-Atë dua edhe unë profesor. Të më ndryshojë jetën. Këto javë që më kanë mbetur do largohem t’i kaloj me familjen dhe më pas do të kthehem për të mbaruar punë me dokumentacionet dhe çfarëdo pune tjetër që më duhet.
-Mirë do të ishte që të nisesh pak më herët për atje, që të sistemohesh djalosh.
-Po profesor! Do flasim sërish kur të vij.
Ai hapi ndërkohë sirtarin e vogël dhe më nxori rrogën e fundit. Ai ishte gjithmonë kaq i kujdesshëm me datat dhe me mënyrën e pagesës. Zgjata dorën dhe e mora zarfin. Ai më tha:
-Djalosh, djalë si ti kisha vite që nuk hasja në rrugën time, prandaj jam i lumtur që kam dhënë sado pak kontribut për rritjen në karrierë tënden, sepse dhe ti më ke ndihmuar jashtëzakonisht mua me mendjen tënde të kthjellët dhe korrektësinë që të karakterizon. Më kërko çfarë të dëshirosh po tu kujtua ndonjë gjë. U ngrita në këmbë dhe u përshëndetëm sërish.
-Unë do të jem gjithmonë borxhli ndaj teje, profesor.
Me të dalë nga aty, mora rrugën për në fshat. Doja të largohesha sa më shpejt nga ky qytet. Të rigjeja vetveten. Mamasë ia kisha treguar vendimin, edhe pse ajo e dinte. Me pak fjalë jua tregova të gjithëve, sigurisht, edhe pse Tani u trishtua pak se nuk do të më kishte vërdallë. U lumturua për mua për mundësinë.
Në fakt atë vendim nuk e mora se dëshiroja. E mora se duhej dhe se isha vetëm një frikacak i gjorë dhe s’e përballoja dot zhgënjimin e dashurisë. Kjo ishte e vërteta. Njeriu nuk duhet të largohet, por t’i përballojë. Unë isha i ri në këtë fushë e nuk dija se si t’i menaxhoja. Ditëve të fundit më kishte hipur edhe një ambicie, më shumë seç e kisha pasur që kur mora vesh që ajo më la për një me lek.  Do të doja t’i tregoja asaj dhe të gjithëve një ditë, se sa vlente lëkura ime dhe kush do të bëhej Sidrit varfanjaku. Po ndryshoja. E ndieja që po ndryshoja. Nëse kam kuptuar diçka në jetë, kam kuptuar që njeriun nuk e ndryshon lumturia, por pikëllimi. Isha pak frikësues rreth jetës së re që më priste, sigurisht, por kisha aq nevojë për një jetë të re. Pas disa orë rrugësh që më kishin shoqëruar mendimet, arrita më në fund në shtëpi. Sigurisht që ata më prisnin me një mall me pesëqind ushqime në tryezë, enkas të porositura për mua. Mamaja gatuan si një “Master Shef” i vërtetë. Ajo e kishte pasion gatimin dhe gjithmonë i dilnin shumë të shijshme gjithçka që bënte. Pasi u llafosëm, kisha mbushur barkun dhe u shtriva në divan për të pushuar. Sa herë që shkoja atje më kapte nostalgjia për fëmijërinë. Sa e bukur është fëmijëria! Është e vetmja periudhë që njeriu nuk ka stres dhe hall. Sa më shumë që rritesh, aq më shumë kupton që jeta nuk është aq e bukur sa mendojmë. Ndjehesha aq i fryrë nga ushqimi i tepërt i mamasë dhe mezi merrja frymë atë ditë. Nuk e mohoj ndërkohë që tërë kohës mendja më qëndronte tek udhëtimi i gjatë që më priste dhe çdo gjë tjetër që më stresonte që ishin dhe paratë. Po sikur mos t’ia dilja atje i vetëm pa asnjë? Por edhe sikur fati të më ndihmonte dhe gjithçka të më shkonte mirë, isha betuar që unë do të kthehesha sërish në vendin tim. I plotësuar dhe i pushtetshëm. Dhe nëse kjo gjë nuk do të ndodhte, nuk do të kthehesha.
-Vëllaçko a do të më marrësh dhe mua kur të krijosh rehatinë tënde atje dhe të fillosh një punë?- foli vilma me zërin e saj të hollë.
-Pse me kaq dëshirë motër?
-Unë nuk dua të jetoj këtu.- më tha
Sigurisht që ajo këtë kërkesë ma tha kur mamaja po lante enët, kur ajo nuk ishte e pranishme dhe sigurisht të mos mërzitej. E kuptoja, nuk kishte faj. Ajo ishte e re, adoleshente, dëshironte të dilte, të dëfrehej, plus ajo kishte natyrën e tillë që e vogël. Që e vogël kishte ëndrra të mëdha. Dëshironte të jetonte jashtë vendit. Asaj i pëlqente Europa. Humbiste në filmat dhe telenovelat e saj dhe ëndërronte një jetë si të tyren për veten.
-Hë llastica vëllait! Mamanë do ta lësh vetëm ë? - ia thashë me shaka.
-Jo vëlla, e marr me vete. Mjafton mos të qëndrojmë më këtu. Nuk më pëlqen të jetoj këtu. Edhe ajo ta lërë atë punën e saj të famshme të specave e domateve e çfarë të tjera ka.
-Dëgjo vëllain! – i thashë – Ti sigurisht je në një moshë tashmë që çdo gjë të duket ndryshe. Je në vitet e teknologjisë, ashtu si unë. E di që ti shikon rreth e rrotull. Por llastica ime, një gjëje sado vite dhe shekuj të kalojnë, kurrë nuk do t’i dalë moda dhe ajo është puna. Çfarëdolloj pune të jetë, kurrë nuk është turp! Turp është të vjedhësh, të vrasësh, jo të punosh e të arrish të fitosh në mënyra të ndryshme dhe të ndershme. Prandaj, nuk duhet të ndjesh turp qoftë dhe vetëm një moment që mamaja jonë shet fruta-perime në treg, sepse me ato speca dhe domate që thua ti, ajo mban shtëpinë dhe na ushqen neve. Kështu që, më beso! Do rritesh pak më shumë dhe do e kuptosh sesi funksionon bota tamam! Ama unë të premtoj nëse mua më ec’ atje, do të të plotësoj të gjitha kushtet që ti ke nevojë, ose do të të marrë me vete.
Ato fjalë asaj i dhanë optimizëm dhe nuk më lëshonte duke më përqafuar nga gëzimi.
-Jam e bindur vëllaçko që do ia dalësh! Jam e bindur! – më thoshte.
Ditët kaluan shumë shpejt në fshat. Takova disa të afërm tek-tuk, disa miq, por në të shumtën e kohës, ndihmoja mamanë me furnizimin e fruta-perimeve dhe qëndroja tek tregu. Bashkë fshatarët e mi, vinin të lumtur, më përshëndesnin duke më ngritur dorën.
-Doktori jonë! Kirurgu jonë! Do të na shpëtosh jetën që tani e tutje! Doli dhe një i zgjuar nga vendi ynë. – thërrisnin ata.
Mamasë i shkëlqenin sytë dhe buzëqeshja vesh më vesh teksa dëgjonte këto komplimente. Ndërsa unë vihesha në turp. Gjithmonë jam ndierë në siklet nga komplimentet. Teksa po e ndihmoja në treg, ajo më tha:
-Qengji im! Mos kujto se s’të kam vënë re. Ti nuk je mirë këto kohë! Sytë e tu janë të trishtuar. Dukesh i humbur, i menduar, më trego. Çfarë të ka lënduar kështu? Hajde’ tregoi mamasë, tu bëfsha kurban!
-O mama, mos u ngjit kot. Nuk kam asgjë. Thjesht stresin e rrugës dhe gjithçka që më pret. Janë gjëra që rregullohen, nuk kam asgjë tjetër.
-Ah bir, bir! Unë të kam bërë kokën. Të njoh më mirë seç mendon ti. Por nëse nuk dëshiron ta ndash me mua, në rregull, të kuptoj.
-Në rregull mama.
Ai njeri ishte qetësi mendore. Kurrë nuk e mbaj mend të ketë bërtitur me tone shumë të larta, apo të më kritikonte shumë. Kurrë s’më bezdiste. Gjithmonë dinte se si të kthente një përgjigje. Dëshironte vetëm që ne të ishim mirë me shëndet dhe të plotësonim ëndrrat tona. Edhe pse ajo e kishte aq të vështirë mos të më shihte mua për një kohë të gjatë, asaj nuk i interesonte. Vetëm unë të isha mirë, dhe t’ia dilja. Dhe atje ditët ikën shumë shpejt. Mua më duhej të kthehesha në qytet për të përfunduar gjithçka që më duhej e për tu nisur atje. Duhet të ambientohesha me sistemin, oh sa shumë gjëra që kisha dhe më stresonin.
Si gjithmonë përshëndetjet dhe dita e fundit është gjithmonë ajo më e shëmtuara. Motra qante. Mamaja atë ditë si rrallë herë e mbajti veten. Me siguri kishte qarë gjithë natën. Sa e vështirë duhet të jetë të jesh prind. Mendoja. Dhe ne fëmijët, kemi dhimbje, por dhimbja që ndjen nëna, nuk e ndjen askush. Lidhja e një nëne me fëmijën është magjike. Ta mbash brenda teje, ta rrisësh, ta edukosh, t’i falësh gjithçka dhe më pas ai të largohet sa hap e mbyll sytë. Duhet të jetë pak e tmerrshme. Ajo më kishte bërë gati gjithçka, plaçkat, rrobat, pak ushqime të përgatitura që do haja kur të kthehesha në qytet. Tani kishte mbetur vetëm momenti i ndarjes, i përshëndetjes. Dhe unë isha tejet i emocionuar dhe mezi po prisja që t’iu ktheja shpinën pa nxjerrë ndonjë lot.
-O mjaft tani, dhe ju. Sikur po më nxirrni nuse e po shkoj tek burri! Unë jam goxha djalë. Është turp!
-Hahaha! Ke të drejtë. – ma kthyen.
-Biri im, jam lutur për ty dhe do ta bëj derisa të vdes. Uroj të të shkoj mbarë dhe mos e mbaj kokën pas për ne.
Sa e fortë që po tregohej. Po më habiste. Ishte mësuar me jetë të vështirë dhe kurrë s’e uli kokën. Nxori nga përparësja që mbante një zarf me para. I hapa dhe pashë shumë, shumë, më shumë seç mendoja. Disa milionë.
-Mama, ç’bën kështu, çfarë janë kaq shumë?
-Për ty biri im.
-Mama, po këto janë shumë!
-Jo biri i mamasë, nuk janë, janë të tuat. Janë kursimet e mia që i kam ruajtur për ty, për të ardhmen tënde. Mos u shqetëso, kam edhe për motrën, se e di që e mendon. Unë i kam marrë parasysh të gjitha. Është e vërtetë që nuk kam pasur shumë t’iu jap, por kaq pata mundësi të mbledh, t’i kesh sa për fillim. Ndërsa në këtë zarfin tjetër- dhe ndërkohë nxori nga xhepi një tjetër – janë lekët që më sillje nga rroga jote muaj për muaj.
Në atë moment u ndjeva shumë keq. Nuk i mbajta dot lotët dhe veten.
-Mama ç’ke bërë?! Unë këto para i dërgoja për ju!
-E di, djalë’ i mamasë! Por nuk kishim nevojë. Ia dilnim. Pse ti vërtet mendoje që unë do të prishja paratë e djersës tënde që ti rropateshe nëpër spitale?! Vërtet e beson?! S’të kam bërë zë se e dija që do kundërshtoje. Dhe i mblodha se thashë një ditë do të të duhen. Harroje që ti të ndihesh në faj për këtë gjë. Unë sa të kem jetë dhe mundësi do të mundohem t’ju ndihmoj. Ndjehem shumë keq që nuk kam bërë më shumë për ju, por kaq kam pasur mundësi.
-Sht, mama. O mama, ti je engjëll, engjëlli im në tokë. Njërin e kam lartë dhe tjetrin këtu. Jam djali më i lumtur që kam një familje të tillë. Të premtoj që do ndihesh krenare për mua.
-Oh bir! Unë gjithmonë kam qenë krenare për ty dhe e di që do të vazhdoj ta bëj.
Mes lotësh që na shkonin ujëvarë të treve, u përqafuam fortë. Ishte një ditë shumë e dhimbshme për mua. Nuk e lëshonim njëri-tjetrin nga krahët. Atë ditë e kujtoj me përpikmëri edhe sot. Aty kuptova njëqind përqind sa e rëndësishme është familja. Rruga me autobus më kaloi shpejt. Sa arrita në godinë, bëra një dush dhe fjeta. Biletën e kisha prerë. Mbarova disa fotokopje që më duheshin, takova Lirën dhe Tanin. Tani nuk kishte humor atë ditë. Ishte i trishtuar. Gjithashtu edhe unë. Ishte miku i vetëm që kisha.
-Sido, s’do më harrosh apo jo vëlla?
-Unë nuk i harroj kurrë ata që dua Tan’. Ti mos më harro! Se ty të merr rutina. – ia ktheva.
-Ah, mos e vër në dyshim! – tha Lira – E sigurt që ky do të të harrojë!
Mes atyre notave të humorit me ata, më duhet të largohesha. Duhet të përshëndetesha edhe me profesorin. Të përshëndetesha me të dhe në orët e para të mëngjesit të nisesha. U nisa drejt e në zyrën e tij. Ai më priste. I lumtur më pyeste me ngazëllim për gjithçka. Ai më kishte ndihmuar shumë edhe me letrat, edhe me garancitë, sepse unë s’ia kisha shumë idenë.
-Ah djalosh, mos e merr me frikë. Do jetë pak e vështirë, por ja vlen barra qiranë. Do bësh emër Sidrit! Më beso, e di këtë gjë! Se mos na harron, djalosh?!
-Asnjëherë profesor! Sidomos juve. Keni bërë kaq shumë për mua. Uroj që një ditë t’jua shpërblej.
Mes bisedës së këndshme edhe me profesorin, edhe atij i duhej të largohej në një mbledhje. U përshëndeta edhe me të siç bënim zakonisht, dhe ai më tha:
-Hej, të më dëgjosh mua, gjej ndonjë vajzë të bukur atje dhe mos u kthe më këtu!
-Si të jetë e shkruar profesor! Faleminderit për gjithçka. Zoti jua shpërbleftë.
Sa herë që takohesha me të, dashur padashur, më vinin kujtimet që kisha me vajzën e tij. Sa herë që ndeshja mirësinë e tij, sikur vështroja turpin tim tek sytë.
Zbrita shkallët dhe ecja me nostalgji në korridore, laboratorë. Sikur po i jepja lamtumirën një vendi që kisha kaluar shumë vite. Isha rritur shumë. Njeriu mjafton të ketë dëshirën dhe shikon dritë edhe në një vrimë çelësi. Ecja në rrugët e qytetit, sikur do të doja të çmallesha me çdo vend. Madje hipja edhe në linjat e autobusëve, sikur nuk do të kthehesha më kurrë. Tashmë ai qytet, ishte pjesë e imja. Thellë-thellë e doja atë qytet të zhurmshëm dhe unë tashmë isha bërë pjesë e tij, e zhurmës së tij. Mësova kaq shumë për jetën, për njerëzit, për kulturën, miqësinë, dashurinë, zhgënjimet! Këto bashkë të gjitha më rritën, më bënë më të fortë. Po kaloja një semafor në kryqëzim dhe përballë më doli ajo teksa zbriste shkallët e një restoranti luksoz, që ishte në Hotelin më të madh të qytetit. E veshur me një fustan përsëri të kuq, ngjyra e saj çokollatë nga rrezet e diellit të verës çelnin flokët e saj në ngjyrë gruri. Sytë e saj gjarpërues u kryqëzuan shigjetë në sytë e mi. Ajo shtangu totalisht. Qëndroi në vend pa lëvizur dhe u përtyp. Ai tipi e mori nga krahu me delikatesë dhe i foli:
-Hajde zemër, ç’pate, u hutove?!- dhe e ndihmoi të zbriste shkallën e fundit.
Unë qëndroja si pallosh përballë duke parë këtë skenë çifti të lumtur. Ai u drejtua drejt makinës së tij luksoze dhe kjo e hutuar e ndoqi pas. Sytë e saj jeshilë ishin zmadhuar dhe qëndronin pa lëvizur. Pasi u ngjitën të dy në makinë, ai i dha gaz dhe shikimet tona humbën në pluhurin e natyrës. Humbën, ashtu siç kishte humbur gjithçka që krijuam atë natë. Si një kala prej rëre. Po përse dreqin në ditën e fundit në këtë qytet, unë duhet ta rastisja. Dhe për më tepër me burrin e saj të kapardisur, sikur gjithçka më bëhej për inat! Natyra po më bënte këto lojëra! Sikur donte të më tregonte se sa poshtë isha unë para atij imazhi “Perfekt”. Për çfarë ishte kjo rastësi? Për të më kujtuar sa vlej? Që nuk kam para? Që jam i pafat? Apo ma nxori para syve ç’femër ishte dhe sa vlente ajo? Uh! U bëra vrer. Xhelozia, inati, më nxorën tym nga veshët. Kafshoja thonjtë nga stresi. E humba përsëri për faj të saj. Për herë të parë e kam sharë nën dhembë atë ditë:  “Kuçkë!”. Kuçkë e ndyrë! Ndjeja neveri në ato momente për të. Tashmë e kuptoja që ajo ishte me të vërtet një gjarpër dhe në ato momente nuk uroja veçse që një ditë të më kërkonte dhe unë ta ulja në atë gradë që ishte ajo dhe uroja që ajo ditë vërtetë të vinte ndonjëherë. T’ia ktheja me të njëjtën monedhë! U ktheva në godinë, u përshëndeta me sportelin, rojet , sanitaret, të gjithë. Ishim si një familje tashmë. Gjithçka ishte gati. Plaçkat ishin gati. Vetëm me krevatin do të çmallesha edhe ca orë dhe “baj, baj” gjithçka.
Aq i rënduar isha, sa më në fund më kishte zënë gjumi. Një gjumë i rëndë që mos të ishte Tani nuk do isha zgjuar.
-Ore Sido ç’bën?! Ke ndërmend të ikësh? Apo do qëndrosh këtu me mua përgjithmonë?
Bobo sa kisha fjetur! Ndjehesha totalisht i mpirë. E kisha që i vogël. Kur isha shumë i trishtuar, flija shumë pasi më zinte gjumi. Bëra një dush të shpejtë dhe i kërkova Tanit të niseshim për në aeroport.
Avioni më nisej pas dy orësh. Mora plaçkat, u përshëndeta me krevatin tim origjinal dhe atje arritëm shumë shpejt, pasi nuk kishte trafik. U ulëm të pinim diçka.
-Po ikën ë?!
-Po iki vëlla, po iki. S’di çdo bëj pa ty vëlla. – tha Tani me zërin e dridhur. - Në aq vite ne qëndronim bashkë. Kishim arritur ta njihnim aq mirë njëri tjetrin. Ta donim, ndihmonim, si një familje. Njeriu pjesën më të madhe të jetës së tij, e kalon me shoqërinë. Dhe është e vështirë përshëndetja.
-S’mund të them që jam i lumtur që po ik’. Nuk e kam me aq entuziazëm! Lash motrën, mamanë, ty. Ju tashmë jeni familja ime. Do të ndjehem vetëm atje. Por më mban ajo shpresa që do të kthehem shpejt sa të sistemohem. Gjithashtu pres edhe të më vizitosh! – i thashë Tanit.
-Patjetër do e bëj se s’bën. Sa të rregullohesh do vij ndonjë xhiro. Më dëgjo mua Sido, shijoje jetën atje, mos u merr vetëm me studime siç bëre këtu.
-Jo vëlla! Këtë ta them me bindje të plotë që e kam vendosur. Do e shijoj! Do bëj qejf!
-Ja kështu dua të të dëgjoj me vetëbesim. Ëndërr e kam të të shoh të shfrenuar!- ia kthehu Tani me të qeshur.
U ngritëm, u përshëndetëm fortë. Mbarova çekinin.
-Mi bëj shumë të fala dhe Lirës dhe luftoni për dashurinë tuaj. Krijoni diçka të fortë, të sinqertë.
Më pohoi vetëm me kokë, sepse sytë i ishin skuqur dhe nuk fliste dot. Ja pra që dhe djemtë qajnë. S’janë pa zemër. Ndjejnë, mërziten nga largimet e njerëzve që duan. Pas pak kohësh do të zija vendin për në avion. Ishte hera e parë që do të hipja në një të tillë. Kisha pak emocione. Pas pak na lajmëruan që avioni do të nisej. Po lija vendin që kisha jetuar drejt një jete të re. Isha betuar që në këtë jetë të re, nuk do i lija vend vetes për lëndime, vetëm sukses dhe qejf. Gjithçka kishte nisur të ndryshonte për mua. Ndjehesha çuditshëm i ulur në avion. Ashtu midis qiellit dhe reve, i lija vend imagjinatës ku më çonte ngado. Nuk e di sesi fluturoi koha ashtu si avioni dhe do të zbrisnim në tokë. Dëgjova duartrokitjet e pasagjerëve. Të njëjtën gjë bëra dhe unë. Mbarova procedurat në sportele dhe mezi gjeta daljen. Shteti i ri, vend i ri, njerëz  të rinj, jetë e re... Sidrit i ri!
Mora frymë thellë dhe mora një taksi. Sa shumë njerëz që kishte! Ta mendosh që në atë vend do të kaloja disa vite! Sikur fryma që më përshkonte atje vinte të më ledhatonte për të më thënë që aty unë do të lëshoja rrënjët e mia të suksesit. Tashmë një e ardhme po më priste. Unë thjesht duhej të kapja mundësi

Sonte po ta tregoj vetem TyOnde histórias criam vida. Descubra agora