Pjesa 2 (lV)

74 2 1
                                    

Shiko dashuri. Unë e kam pasur gjithmonë synim që do të kthehem në vendin tim. Përherë kam dashur dhe dua t’i vë në zbatim idetë dhe planet që kam. Sado që kam gjithçka unë kam qëllim kryesor t’i shërbej vendit tim.
-Sidrit! Ky është problem madhor, e kupton se ç’po thua apo jo? Po tregohesh egoist në lidhje me mua. Si mund të shprehesh në këtë formë, unë kam gjithçka këtu. Kam lindur, kam mamanë, kam karrierën, kam kujtimet e babait dhe vëllait. Kam gjithë jetën. Profesionin që është gjëja më e rëndësishme për formimin tim. Nuk e kuptoj këtë logjikën tënde. Nuk më more as mendim. Më kupton? Si e mendoje ti Sidrit, të më vije një natë para, të më urdhëroje të mblidhja valixhet dhe të ikim? – nisi ajo të nginte zërin. Nuk e kisha parë kurrë Emën aq të revoltuar. – Sidrit! Dua shpjegim, e kupton apo jo?
-Shiko Ema, unë të pata folur për këtë projekt që më ofruan, por pasi të njoha ty, sigurisht që u futa shumë në stres për këtë fakt se nuk di ç’të bëj. Unë investitorëve gjermanë jua kam dhënë konfirmimin tim dhe jo se e kam bërë në fshehtësi, do ta diskutonim bashkë, por mendoja se ty do të të pëlqente ky mendim. Mendimi i një jete të re.
-Sidrit, mua më pëlqen të vij atje, por për pushime, jo të jetoj. Si nuk të vjen turp që ti ke planifikuar të gjithë këtë dhe unë të lë gjithçka?! Pastaj, si mund t’ia bëj mamasë time këtë gjë?
-E di Ema, e kisha këtë frikën e mamasë, nuk është se mua nuk më shqetësonte ky fakt. Nuk jam i pashpirt. Por mendoja të vije një herë në javë ose dy javë. Dy orë është avioni.
-Sidrit, nuk është aq e thjeshtë!
-Ema, mua më pëlqen t’i thjeshtëzoj gjërat. Ti i bën gogol e dashura ime.
-Sidrit, ti profesionin e ke primar domethënë? Dhe nuk llogarit fare asgjë tjetër?
-Por po duket se dhe ti Ema e ke profesionin primar!
-Sidrit, të lutem, mos u bëj fëmijë. Është totalisht ndryshe. S’mund të lë vendin tim, për një vend të tillë. Është absurde më kupton apo jo?
-Ema, atje nuk është gogol. Njerëz ka dhe atje.  Ne do jetojmë në kryeqytet. Ekonominë e kemi, nuk do vuajë asnjë shyqyr Zotit, ku qëndron problemi?
-Sidrit, po më lodh. E kupton që kjo gjë është pa sens? Si s’e kupton që po ja fut kot?!  Ti nuk vlerëson mendimet e mia, punën time, karrierën time, ëndrrat e mia, atë çfarë unë kam dhe jam. Unë mendoja që kishim një lidhje të veçantë, “që ishim një”, që merrnim vendime bashkë, ndërsa ti s’më llogarit fare.
-Në rregull Ema, boll tani! Mendova që ty të pëlqente dhe thash që mamanë ta takoje në fundjava ose kur të kishe mundësi.
-Po duartrokitje Zoti Sidrit, ti paske planifikuar jetën time pse nuk thua! Po puna?!
-Punë do të gjesh dhe atje Ema, mos e vë në dyshim.
-Përse nuk qëndron ti këtu Sidrit?
-Sepse e kam pasur qëllim gjithë jetën Ema, dua që një ditë të kthehem në vendin tim , të vdes atje, të jap kontributin tim. T’i ndihmoj dhe shëroj me aq mundësi sa kam. Do të punoj dhe në shtet, dhe në spitalin që do ndërtohet. Atje vdesin njerëz çdo ditë nga mungesa e informacionit si dhe gabimet e palo mjekëve.
-Më duken justifikime shumë egoiste Sidrit.  Pse u fejove me mua kur kishe plan tjetër? Apo siç e keni zakon ju andej, të marr një nuse për shtëpi. – bërtiste ajo me zërin e dridhur.
-Çfarë janë këto idiotësi?! Unë u fejova se të dua.
-Epo dashuria nuk është kështu, më beso. Ti e ke marrë vendimin tënd apo jo?
-Po Ema, e kam marrë. – iu përgjigja prerë.
Ajo e skuqur në fytyrë, e turfulluar nga inati si kurrë më parë, hoqi unazën dhe ma la para syve.
-Gjithë të mirat në jetën e re Sidrit!
-Ema dëgjo këtu, seriozisht e ke?! – i habitur kërkoja në një farë mënyre që ajo të ndalonte.
Ajo s’e kthehu kokën dhe u largua. Si mund të ma linte unazën para syve? Pse duhet ta merrte aq rëndë? Unë mendova për mirë. Mendova që asaj do i pëlqente të jetonim atje. Pse janë kaq të ndërlikuara femrat? Pse i vështirësojnë gjërat gjithmonë? Mendojnë një pse pas çdo fjalie.
Duke turfulluar nga inati, mora Martinin në telefon. Po i qaja hallin Martinit. Ai nuk foli fare. Vetëm më dëgjonte.
-Ajo duhet të më vinte të më kërkonte ndjesë për veprimin që bëri me unazën ashtu. Ajo duhet ta vlerësonte që unë për herë të parë i dhashë asaj një unazë propozimi. Ç’ishte ai veprim i shëmtuar ashtu! Pse ashtu marrin fund gjërat?! Isha i sigurt që do vinte të më kërkonte ndjesë -shfryja i turfulluar.
Kaluan pesë ditë. Po çmendesha. Asnjë lajm , asnjë mesazh nga ajo. Prisja telefonatë, por ajo nuk e bëri. Pra, ajo më la. Mendova që ajo thjeshtë po më mbante turinj, por më kishte lënë. Ndoshta s’më donte siç thoshte! Martini më kishte thënë për këtë temë me logjikën e tij të drejtë, që faji ishte totalisht i imi.
-Ti je çift tani me Emën Sidrit. Keni një lidhje serioze. Është e vërtetë që ti ke kaq kohë vetëm dhe merr vendime vetëm. Por ti s’mund të marrësh vendime për jetën e saj. Ju duhej ta diskutonit dhe vendosnit bashkërisht. Unë e kuptoj totalisht Emën dhe kjo që ti po i kërkon është e tepërt. Përse e quan atë gabim kur ti nuk heq dot dorë nga gjërat e tua? Madje ti Sidrit, e ke më të lehtë, sepse këtu ke gjithçka dhe është shumë herë më mirë se atje. Këtu ke të gjitha kushtet. Si mund të tregoheshe kaq egoist shoku kur ajo këtu ka themelet e gjithë jetës së saj? Sinqerisht nuk ka asnjë faj. Ja ke futur kot nga fillimi deri në fund. Ajo nuk është një pronë apo send që ti ta marrësh me vete kudo ku të teket të shkosh. Është shoqja e jetës tënde, e dashura, nesër pasnesër do jetë gruaja. Nëse e do vërtet, zgjidhi ndryshe situatat, jo kështu. Ajo merr frymë më vete! – Martini më foli ashpër atë ditë. S’e mendoja që ai do të më fliste në atë lloj mënyre. Por dita ditës po kuptoja që ai kishte të drejtë. Ndoshta isha sjellë dhe kisha menduar në mënyrë të pahijshme. Tashmë ndihesha aq bosh pa praninë e saj. Në punë kisha marrë disa ditë leje, sepse isha shumë nervoz. Nuk përqendrohesha. Isha në një dilemë të madhe. Në një anë ishte qëllimi i jetës sime dhe në anën tjetër dashuria. Zoti e dinte sa ëndërr e kisha të punoja në vendin tim. Të avancoja mjekësinë atje. Nuk mendoja që do të kisha të tilla pengesa. Ema ishte një femër e rrallë, nuk kishte të dytë si ajo. Tashmë ajo më kishte lënë dhe një zbrazëti kishte pushtuar qenien time. Është shumë e vërtetë ajo shprehja e vjetër, që e kupton sesa e do dikë, në momentin që e humb. Unë e humba Emën dhe tashmë nuk e di seç do të bëja.
Atë natë piva shumë të kaloja trishtimin. U zgjova me dhimbje koke të tmerrshme por ama asaj do t’i telefonoja. Më doli sekretaria. Mbarova dushin dhe u nisa drejtë shtëpisë së saj. Ishte fundjavë atë ditë dhe nëse fati do të ishte në anën time, do e gjeja në shtëpi. Arrita pranë portës dhe derën ma hapi vjehrra ime. Qëndroja i turpëruar para saj, mendova se do të më kishte marrë inat, por ajo u soll shumë përzemërsisht. Biseduam pak në kopsht dhe ajo më tha që Ema nuk çohej nga shtrati, nuk hante, rrinte pa folur.
-Por do e marr me pahir këtu në kopsht. – tha zonja e shëndoshë. – Gjithsesi nuk e lajmëroj që je ti këtu dhe ndoshta vjen. – më tha duke ulur zërin.
Kisha marrë me vete një tufë lulesh dhe karamele. Ajo vdiste për karamele. Pas disa minutash, ajo doli e bezdisur në kopsht me sytë e ënjtur dhe kur më pa ngrysi vetullat. Vjehrra na la vetëm.
-Ema, si je? Përse e ke telefonin e fikur? – e pyeta me gjysmë zëri.
-Sepse po pushoj Sidrit. Është fundjavë.
-Unë erdha të bisedojmë.
-Për çfarë? – ma kthehu.
Iu afrova më pranë duke i parë me imtësi fytyrën që më kishte munguar aq shumë këto ditë, sytë e saj të mëdhenj të lodhur, mollëzat e saj të trishtuara. Me kostumin e gjumit ngjante si çupëlinë. Nuk durova dot dhe e përqafova fortë duke i marrë aromë. U mbusha me frymë, më kishte munguar aq shumë! Zemra nisi të më punojë pasi mora dozën e përqafimit nga ajo.
-Ema po çmendem për ty, e kupton? Mungesa jote po më vret!
Ajo nuk jepte asnjë koment. Qëndronte në këmbë.
-Ema ime, të lutem ulu. Dua të bisedojmë. Duke i mbajtur duart e saj të bukura pranë vetes, i thashë:
-Jam budalla, e di. E di gjithashtu që je penduar që u fejove me mua dhe ke të drejtë. Por unë nuk jam bërë asnjë ditë pishman që të kam njohur dhe ndjekur ty. Ti erdhe dhe i dhe ngjyra tablosë së jetës time bosh. Më dhe një mësim shumë të mirë e dashur. Nuk e dua një karrierë ku zemra ime do të punojë vetëm si mekanizëm. Nuk dua të shpëtoj njerëz kur do rrënoj dhe plak zemrën time pa praninë tënde. Nuk kam çfarë e dua kur në mbrëmje nuk kam një engjëll si ti të kujdeset për mua. Nuk kam çfarë e dua nëse kraharori im s’do mbajë kokën tënde. S’mund ta dua këtë jetë të re nëse një ditë kalon dhe nuk dëgjoj zërin tënd. Zëri yt është ujë i bekuar për shpirtin tim. Këto ditë jam një lule e tharë e vyshkur. Të ndjesh humbjen tënde, është si të ndjesh etjen në një shkretëtirë të pafundme. Dama e zemrës time! Jepi një puthje këtij të gjorit që egoizmi e verboi dhe harroi ilaçin e shpirtit të tij. Ujite të lutem shpirtin tim me dashurinë tënde. Ai ka shumë nevojë për ty, që sytë e tij të shohin ngjyra përsëri.
-Oh, poeti i zemrës time! – më tha duke lotuar, duke qeshur pakëz. Më puthi fort. Zemra nisi të më punonte sërish. Rilinda përsëri pasi kisha rilindur një herë kur kisha rënë në dashuri me të.
Më në fund mu rikthye humori që më kishte munguar gjatë atyre ditëve. Lavdi Zotit, gjithçka po shkonte në rrugën e duhur përsëri. Vjehërri ime u lumturua shumë që ne u bashkuam sërish, edhe Martini gjithashtu. Ndërsa mamaja dhe Vilma, nuk ishin në dijeni të ngjarjeve. I kisha ruajtur vetë nga një shqetësim më shumë.
Një natë teksa festonim datëlindjen time, gjë që mezi e festova, sepse nuk më pëlqen kjo lloj feste, më acaronte ideja e festës apo e ditëlindjes. Nuk e di, nuk më shkojnë të tilla gjëra. Edhe pse Ema dhe Martini kishin përgatitur gjithçka. Në apartamentin tim, kishte ardhur mamaja, motra dhe disa miq që shoqëroheshim. E kuptova që diçka e dyshimtë ishte në horizont, që kur në punë nuk më uroi njeri që atyre nuk iu shpëtojnë këto gjëra. Ema kishte organizuar një mini-festë në shtëpinë time, por unë u ndjeva i turpëruar që kur hyra në apartament dhe të gjithë më uronin datëlindjen sikur të isha fëmijë. Ishte një festë shumë e bukur! Sigurisht, sepse e kishte organizuar ajo. Çdo gjë që bënte, e bënte në mënyrë perfekte dhe pa u ndjerë. Ishte gjëja më e bukur që më kishte ndodhur ato vite hyrja e Emës në jetën time. Përtej shakave, humorit të pafund, dhuratave gazmore nga miqtë e plot të tjera që më kishin sjellë të afërm e të njohur pa fund, Ema më dhuroi një kuti me një zemër të derdhur e gjitha në ar, e projektuar në mënyrë perfekte, ashtu siç në të vërtetë ishte zemra reale e një njeriu. Ajo e kishte realizuar në argjendarinë më të mirë të vendit. Brenda kutisë ndodhej një shkrim:

“Zoti Kirurg, kujdesu mirë për zemrën time. Është gjithçka që kam për të të dhuruar. Uroj të të mjaftojë.”
Të dua, Ema.

Si ishte e mundur, që ajo femër të më emociononte gjithmonë në mënyrë aq të papritur dhe të mrekullueshme. Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje një dhuratë e tillë. E përqafova fortë dhe i thashë që e dëshiroja pa fund si dhe i premtova që do të kujdesesha përjetësisht për zemrën e saj. Ajo tashmë ishte aq e shtrenjtë në jetën time! Të gjithë na duartrokisnin, na ngacmonin sikur ne po martoheshim. Mezi po prisja ta vija atë dhuratë të bukur në tryezën e zyrës sime.
Ishte një natë e këndshme e kaluar mes njerëzve të dashur. Surprizat nga Ema nuk mbaronin. Ajo kishte dhe diçka tjetër. Më tërhoqi veçmas dhe më tha:
-Kam një kërkesë për ty doktori im i pashëm.
-Po dama ime, çfarë të dëshirosh ti më thuaj. Dëshirat e tua janë urdhra për mua. –ia ktheva.
-Si thua të blejmë një apartament të ri dhe të jetojmë bashkë?
-Zemër këtë e kisha në plan vetë, pa merak. Jo doktori im, apartamentin ta blejmë në një vend tjetër, jo këtu. Si thua je gati për  një aventurë të re, një jetë të re atje ku ke rrënjët?
-Ema, çfarë? Ti po më kërkon seriozisht këtë gjë? –nuk më dilnin fjalët.
-Po Sidrit, nuk ke përse i thua jo investitorëve gjermanë. Nëse ti je dakord akoma mund të nisim një jetë atje dhe nëse nuk funksionon, do të rikthehemi përsëri.
Përpëlita sytë i shokuar. Seriozisht nuk po i besoja veshëve.
-Dëgjo Ema, ti je shumë e çmuar për mua dhe nuk dua që ti të marrësh këtë vendim vetëm për qejfin tim. Unë e pata gabim dhe nuk është e nevojshme të sforcohesh për mua.
-Jo Sidrit, e kam vendosur. E kam menduar gjatë dhe kam biseduar edhe me mamanë. Madje ajo më shtyu më shumë që të të thoja po. Tek puna madje i lajmërova që do të ikja disa muaj më parë.
-Ema zemra ime, përse e bëre këtë?
-Sidrit, unë ty të dua më shumë se gjithçka, prandaj. Ti ke një profesion magjik. Shpëton jetë. Dhe nuk mund të lësh pas qëllimet e tua humane, sepse unë s’dua të ndryshoj vendin. Unë dua të ambientohem, punë do të gjej fare thjeshtë. Do të jetojmë mirë. Kisha vetëm hallin e mamasë, por edhe atë do të vij çdo ditë ta vizitoj. Do të jetë e lodhshme, por ja vlen.
-Ema ti po i bën gjërat kaq të thjeshta, po i thua gjërat në mënyrë kaq normale? Kaq thjesht? Kaq shpejt? Si u transformove kështu për mirë?!
-Po Sidrit. Ti më mësove që gjërat thjeshtëzohen nëse qëndron e bashkuar me atë që do. Një jetë është. Në këtë mundësi të vetme që na jepet e drejta e shtrenjtë për të jetuar, duhet të mundohemi të shkojmë në atë botë me sa më pak pengje. Kam dëshirë ta marr këtë ndryshim në jetën time. Dua ta jetoj jetën time atje me ty.
-Ema ti po e bën këtë sakrificë për mua?
-Nuk e quaj të tillë zemra ime, e quaj thjeshtë dashuri.
Duke e puthur në ballë dhe shtrënguar fortë i thashë:
-A të kam thënë ndonjëherë sa të dua?
-Po zemër, ma thua sa herë që të bëj qejfin për ndonjë gjë. – tha ajo duke buzëqeshur.
Ishte ditëlindja e parë që kisha festuar dhe më e bukura. Nëse duhet të falënderohet Zoti, natyra apo fati në jetë, duhet të falënderohet vetëm për shëndetin dhe kur të jep një grua të mirë në krahë. Nuk ka gjë më të rëndësishme në jetë sesa të kesh një femër të denjë krahë teje! Isha i përzgjedhur nga fati dhe dashuria e Zotit. Isha i bekuar!
Na prisnin muaj angazhimi. Kishim shumë punë. Plane pa fund. Do niseshim më parë që të sistemoheshim e më pas do të ktheheshim sërish. E beson dot që pas kaq vitesh, po i hipja avionit përsëri për në tokën time! Zemra kishte nisur të më rrahë fortë. Nuk doja të përshëndetesha me kolegët apo njerëzit, sepse nuk më pëlqejnë përshëndetjet. Fundja nuk ishte një ikje përfundimtare. Unë do të kthehesha shpesh atje. Do më mungonte ai vend, por mezi po prisja të merrja ajrin e tokës time, të vendit tim. Shumë më pyesnin pse s’isha kthyer më atje që atëherë, por merrja vetëm mamanë dhe motrën andej. Ishte shumë e thjeshtë. Isha betuar që një ditë do të kthehesha i plotësuar. Dhe aq më tepër do kthehesha i shoqëruar me një damë si Ema.
Pasi hipëm në avion Ema më pyeti:
-Si ndihesh që po kthehesh?
-Mirë, i lumtur, i përmalluar.
Koha na kaloi shpejt në avion. E shkuara mu kthye si një film në dritaret e vogla të avionit. Pas kaq vitesh, unë po kthehesha sërish. Isha emocionuar dhe i lumtur, por pak i pasigurt. Isha shumë mirënjohës ndaj Emës që sakrifikoi gjithë jetën e saj për të plotësuar ëndrrën time. Tani kishte dalë të na priste në aeroport. Ai mezi priste të më shikonte. Shiheshim tashmë rrallë. Sa më kishte marrë malli! E dallova menjëherë teksa lëvizte kokën si fshirëse xhamash. Madje kishte vënë edhe syze. U përshëndet me Emën dhe më pas më përqafoi fortë.
-O vëlla sa më ke ndryshuar! – tha ai me zërin e tij tipik.
-Me këto syze Tano, më dukesh si profesor doktor vëlla.
-Tani të lutem shumë, kështu është kur studion shumë gjithë jetën!
Atij nuk i pushonte goja.
-Sidrit, je kaq ndryshe vëlla. Si i thonë pjeshkat këtu: “Je i kuruar.”- dhe holloi zërin si femër.
Filluam duke qeshur në makinë me shakatë që ai këpuste.
-Epo sa të bukur e ke zgjedhur gruan more. Vonove atje po ja bëre Bam ë... E qen bir qeni!
Ema qeshte. Fatmirësisht ajo kuptonte gjithçka dhe Tani i dukej shumë gazmor. Morëm rrugën drejt e për në fshatin tim. Si fillim do e çoja atje Emën. Mamaja dhe motra mezi na prisnin. Kishin përgatitur absolutisht gjithçka. Gati bëja gjashtë vjet pa u kthyer në vendin tim. Nuk mund të ta shpjegoj me fjalë se çfarë ndjesie ishte, sepse nuk e kupton dot pa e provuar. Ama një gjë është e sigurt: Nuk ka njeri që nuk e do vendin e tij!
Emës i pëlqeu shumë vendlindja ime, por sigurisht që nuk i pëlqente për të jetuar, madje i shihte me keqardhje njerëzit që kalonin në rrugë.
-Është e këndshme, por pak e trishtueshme të jetosh këtu.
-E di zemër, por qyteti nuk është kështu.
-Po, po. E di e di. – më tha paksa në dyshim.
Mezi po prisja të shkoja në varreza të vizitoja babain. Sa më kishte marrë malli për të. Të njihte dhe nusen e djalit. Sa do e donte po të ishte gjallë! Ai e kishte shumë ëndërr të mbante nipërit dhe mbesat në krahë, por jetës nuk mund t’i bësh plane, sepse ajo i ka bërë para teje.
Pasi qëndruam pak, Ema nisi të trishtohej, sepse atë e trishtonin shumë varrezat e nuk doja t’ia shtoja. U larguam. Ditën tjetër u nisëm për në qytet. Sigurisht, Tani ishte bërë shoferi ynë personal dhe kishte qëndruar edhe ai me ne atë natë. Pas disa orësh arrita në vendin ku kisha kaluar rininë, ku isha shkolluar, ku kisha qenë një hiç. Një ankth më kishte pushtuar teksa shihja rrugët që kishin ndryshuar aq shumë, ndërtesat. Po më dukej si ëndërr që isha kthyer sërish. “Sidriti në botën e çudirave.” Qendra kishte ndryshuar aq shumë. E kisha parë në foto, në internet, por bukuria që ishte shtuar dukej më tepër më bukur kur e shihje gjallë. Nuk kishim plan për të vizituar vende apo sorollatur atë ditë për shkak të numrit të madh të punëve. Më vonë, kur të shpërnguleshim plotësisht donim të shëtisnim më shumë.
Në internet kishim parë disa komplekse të reja pallatesh e planifikonim të shkonim të shihnim njërin që na kishte pëlqyer në foto. Kontrolluam tërë ditën. Gjithsesi, kur na pëlqen diçka, nuk mendohemi shumë dhe e zgjedhim menjëherë. Ema pëlqen apartamentet e mëdha me shumë hapësirë, ballkon të madh dhe të tillë e blemë. Zgjodhëm atë që Ema dëshironte. Kontaktuam me disa inxhinierë për arredimin dhe zgjodhëm dhe ato më të rëndësishmet si fillim. U lodhëm shumë ato ditë, ama mbaruam shpejt punë. Sigurisht, kur ke paranë gjithçka e zgjidh shpejt!
Bëmë letrat e apartamentit që e morëm në një zonë shumë të mirë, të cilin e vendosa në emrin e saj. Ema nuk e priste një xhest të tillë nga unë. Por unë sigurisht që do e vendosja në emrin e saj e nuk e mendoja dy herë. Ishte minimumi që mund të bëja për sakrificën e saj të madhe për mua. Përveç kësaj ishte kënaqësi t’i tregosh mirënjohjen dhe t’i bëje dhurata dikujt që nuk ishte përfitues si ajo. Ishte një vajzë që ishte rritur mes të mirash dhe nuk ia ndiente shumë për pjesën e parasë dhe materiales. Thjeshtësia me të cilën vishej e gjithë qenia e saj, më bënte ta dashuroja edhe më shumë. Pavarësisht se kishte lindur jashtë, ajo në thelb kishte parime tradicionale të ndërthurura me kulturë moderne. Një kombinim i jashtëzakonshëm që e kthenin atë në një femër fenomenale. Siç po të tregoja mbaruam për disa ditë me arredimin dhe gjithçka. Ema kishte shumë gusto. Ajo i kishte idetë e qarta se si dëshironte të vendoste sendet.
Takuam dhe Lirën me djalin e tyre të vogël. Më kishte marrë malli dhe për Lirën. Ema u emocionua shumë nga bebi. U lidh aq shumë me atë fëmijë sa që nuk donte ta lëshonte nga krahët. Lira dhe Ema u miqësuan shpejtë. Tani krenohej me djalin e tij dhe bënte sikur vetëm ai kishte lindur djalë në gjithë Universin. Kaluam shumë ditë të këndshme dhe Emës po i pëlqente shumë jeta atje, pasi u demoralizua pak nga fshati im. Teksa po qëndronim të mbështetur në krevat pranë njëri tjetrit, ajo më shprehu se nuk i dukej aq keq këtu. I pëlqenin njerëzit dhe i dukej bukur. Dhe fakti që babai i saj kishte lindur aty, e bënte më të dashur këtë vend për të.
Spitali kishte nisur të ndërtohej. Ndërtesa ishte bërë, kishin mbetur vetëm disa gjëra të vogla si dhe për tu kompletuar me aparaturat e fundit dhe sigurisht ngelej të plotësohej me staf. Isha i kënaqur me punën e vrullshme që ishte bërë si dhe investitorët gjermanë ishin shumë të lumtur për këtë bashkëpunim.
U kthyem sërish në vendin ku jetonim më parë. Do merrnim makinat dhe sendet e fundit që kishim lënë atje, do merrnim edhe një person me vete. Martinin. Ai kishte biseduar me mua para disa kohësh dhe kishte pranuar me dëshirën e tij të vinte të punonte në spitalin e ri të më ndihmonte të më ndihmonte dhe sigurisht do bënte vajtje-ardhje në vendin e tij, sigurisht. Vilma nuk dinte gjë, pasi ajo kishte dëshirë të jetonin atje. U gëzua shumë kur  e pa Martinin dhe në të njëjtën kohë i bëri furishëm pyetjen:
-Martin, mos më thuaj që ne do të jetojmë këtu?!
-Jo e dashur, nuk do të jetojmë këtu. Thjeshtë unë do të vijë herë pas here për operacione të rëndësishme që puna të ecë mirë. Pa merak, do të jetojmë atje. – iu përgjigj Martini duke e ledhatuar.
-Pfff... e di unë, Sidriti është autori i gjithë këtyre gjërave. Uroj që mos të ta fusë dhe ty në gjak qëndrimin këtu.
Ai e adhuronte Vilmën. Nuk lodhej kurrë nga tekat e saj dhe i plotësonte çdo kapriço. Ishte shumë njeri i qetë. Ema e pati shumë të vështirë ndarjen e mamasë dhe e vija re që ishte shumë e trishtuar për këtë fakt, pavarësisht tentativave të saj deri në perfeksion për të mos u vënë re.
Një gjë nuk kisha kuptuar unë, përse zonja e shëndoshë nuk ishte mërzitur për largimin e së bijës. Madje as nuk qau, siç bëjnë nënat zakonisht. Aq më tepër ajo dhe marrëdhënia e pandashme që kishin me njëra tjetrën. Vjehërri ime më dukej shumë e çuditshme ndonjëherë. Gjithsesi më dhimbsej Ema. Mezi priste tashmë kur të shkonte ta takonte atë. Ndihesha në faj, saqë një natë i ofrova sërish të riktheheshim atje.
-Jo Sidrit, do e kaloj zemër. Thjeshtë , gjithçka ndodhi kaq shpejtë! Por më mirë sepse nuk e kuptojmë më thellë dhimbjen dhe largimin. Do më mungojë shumë. Puna, studentët, jeta, por e di që do e kaloj. Madje dhe po të dëshiroja të kthehesha do të më dëbonte mamaja ime. Atë ditë kur bisedova me të më tha:
“Fëmijët janë si zogjtë. I ngroh pranë, më pas ata shtegtojnë drejt viseve më të mira. Ti shtegtove drejtë dashurisë dhe unë jam e lumtur që ti e gjete dashurinë. Unë bija ime e kam jetuar dashurinë. Prandaj jam e lumtur që po e jeton dhe ti. Është e vetmja gjë që mban gjallë njerëzit dhe nuk ke arsye për të qarë, sepse ne do të shihemi sërish. Pa merak, unë nuk do të vdes pa parë nipërit dhe mbesat e mia. Gjithçka do të rregullohet.” Këto i tha qetë Sidrit, këto ishin fjalët e sime më. Ajo është një grua kaq e mirë.
Ema kishte të drejtë, vjehrra ime ishte një grua kaq e mirë që kishte rritur dhe edukuar vajzën në formën më të mirë të mundshme dhe me edukatën më të shkëlqyer.
Pasi e kishim kompletuar totalisht shtëpinë dhe i bëmë ndryshimet e fundit, do të organizonim darkën për shtëpinë e re. Ema ishte shumë entuziaste. Do të vinte edhe zonja e shëndoshë nga jashtë.

Sonte po ta tregoj vetem TyWhere stories live. Discover now