Pjesa 3 (l)

62 2 0
                                    

Gjeta pak ditë të lira mora Emën dhe shëtitëm gjithë rivierën. Ajo po dashurohej me këtë vend dhe gjithë qytetet, fshatrat peizazhet këtu.
-Sidrit e di, në fillim kisha frikë, por këtu më pëlqen çdo gjë. Jam ambientuar shpejt dhe nuk mërzitem. Gjithmonë ka lëvizje. Nuk ka një orar të caktuar ku mbaron gjithçka.
-Cila pjesë të pëlqen më shumë këtu Ema?
-Pjesa e veriut. Edhe jugu më pëlqeu shumë por pjesa veriore më la mbresa.
Kur mësova për shtatzëninë e saj vizituam disa ditë jugun dhe nën perëndimin e diellit i dhurova një varëse, një femër- në këtë rast Emën në profil dhe me një gur diamanti në bark.
Ema nisi të qante aq shumë atë ditë gjë e cila më linte të kuptoja sa po ndikonte shtatzënia tek ajo.
-Sidrit, dashuri, nuk kishe pse shpenzoheshe kaq shumë. Oh sa e bukur qenka!
-Ema, nuk është asgjë e shtrenjta ime. Asnjë dhuratë nuk krahasohet me dhuratën që mban ti brenda teje. Plus që, nuk është dhurata e vetme. Prit në vazhdim. Ka ende shumë të tjera, sepse pritja jote e ëmbël do të jetë e tillë në çdo detaj. Dhe kemi akoma disa muaj.
Ajo vezullonte nga lumturia që e ndriçonte dhe vetëm më përqafonte e lumtur duke u llastuar si një fëmijë. Përveç pjesës së veriut që asaj i kishte lënë mbresa dhe sigurisht, bregdeti i jugut, gjëja që ajo më shumë pëlqente dhe e kishte mahnitur ishin kafenetë. -Po përse të pëlqejnë kaq shumë lokalet këtu Ema? – e pyeta i habitur.
-Po këtu kafenetë janë kaq të bukura, të mëdha me hapësirë dhe kaq të stiluara! Ka kaq shumë lokale dhe kaq shumë njerëz që i frekuentojnë dhe ke si ta kalosh një ditë rutine në kafe. Nuk mbyllen shpejt, nuk të lënë të mërzitesh.
-Epo mendoja që do më thoshe ndonjë gjë të caktuar tjetër, po që do të të pëlqenin kafenetë më shumë nga çdo gjë, këtë nuk e prisja nga ty! – dhe nisa të qeshja duke e tallur me shaka.
-Po pse qesh me mua Sidrit? Çfarë ka për tu tallur këtu? – ma kthente me zërin e saj të llastuar.
-Po si mos të qesh e dashur?! Shih se ç’pëlqen ti! Kafet! Pretendoja të thoja...nuk e di ndonjë gjë tjetër që të shkon ty përshtat.
Ato ditë pushime u lodhëm aq shumë duke bredhur por na bëri aq mirë ai udhëtim saqë u kënaqëm dhe u relaksuam pa fund me vendet e vendit tonë të bukur. 
Familjarët na kërkonin dasmë por ne të dyve nuk na dukej moment i përshtatshëm. Nuk e dëshironim një të tillë dhe s’kishim pse ta shpejtonim për fëmijën. Meqë bebi jonë nuk priti dasmën që të vinte atëherë do ta prisnim ne atë që të vijë meqë e kishte me qejf të ishte prezent. Dy zonjat tona të famshme u mërzitën paksa por na mirëkuptuan dhe nuk na ndërhynin shumë pavarësisht se komentet e tyre tashmë të dyfishuara në të njëjtën kohë ishin të papërballueshme. Emës i propozuan menjëherë të bëhej drejtoreshë në një shkollë private si dhe të jepte leksione në gjuhën e saj. Ajo mezi priste në fakt sepse mërzitej duke qëndruar e pa angazhuar, sidomos sepse e dashuronte me shpirt profesionin e saj. E beson dot që kisha tre muaj e kthyer në vendin tim dhe nuk po ambientohesha dot?! Rutina më kish përpirë aq shpejt dhe unë nuk kisha pasur kohë të ulesha, qëndroja, mendoja dhe kuptoja që unë... U KTHEVA! E kupton çdo të thotë të ktheheshe? Të ktheheshe aty ku kishe rrënjët por tani u ktheva ndryshe. Tani u ktheva ashtu siç e kisha ëndërr të kthehesha. I kompletuar! Sigurisht që duhej të takoja edhe profesorin tim të nderuar i cili po mos të ishte, unë tashmë do të kisha qëndruar këtu pa u bërë ky që u bëra.
Numri i kontaktit që kisha nuk ishte ai që disponoja. Ndoshta e kishte ndërruar. Për këtë arsye mora rrugën për në Fakultetin Mjekësor ku sigurisht mund ta gjeja. Atje ishte bota e tij. Çdo gjë që e qetësonte. Sa vite kisha pa shkelur në atë shkollë, në ato godina. Dhe pse isha kthyer dhe Emës i kisha treguar gjithë rivierën, vendet e rëndësishme që unë shkoja, me Fakultetin tim nuk e kisha prezantuar. Thellë thellë kuptoja që më kishte munguar ajo godinë e madhe. Ngjita shkallët dhe kalova në të gjitha anët me nostalgji. Rastësisht para më dolën dy pedagogë të paharrueshëm që i lashë më të rinj e i gjeta të zbardhur.  Edhe ata e kishin si familje atë fakultet. Ishin krenuar me atë ç’ka kishin dëgjuar për mua. Lajmi i kardio-kirurgut që ishte diplomuar në këtë fakultet e specializuar jashtë me arritjet më të larta kishte bërë bujë aq më tepër tashmë që do isha drejtor spitali në vend. Sigurisht që disa pedagogë që dëshiroja t’i ftoja i kisha lajmëruar për eventin e inaugurimit. Në bisedë e sipër i pyeta për profesorin që po kërkoja. Ata më lajmëruan që profesori ishte jashtë vendit.
-Ka një muaj që ka ikur me vajzën për pushime te disa të afërm të tij. – më tha njëri pedagog që ishte i afërt me të.
Mu tha pështyma teksa e dëgjova pedagogun të thoshte atë fjalë: “vajzën”. Kisha kaq vite dhe sidomos muaj që kur u ktheva që bëja luftë me mendimet e mija dhe veten time mos ta sillja në memorie atë femër pa skrupuj por rikujtimi ishte i pashmangshëm në një mënyrë apo në një tjetër. Sa vite që kishin kaluar! Ç’bëhej me të?! Në fakt nuk kisha pyetur kurrë dhe s’doja ta bëja. Uroja që mos të ndeshesha kurrë me të edhe pse e dija që në një vend të vogël mundësitë janë shumë të mëdha për ta parë dhe ritakuar. Gjithsesi profesori mund të kishte ikur edhe me vajzën e vogël atje. Nuk ishte e thënë të ishte patjetër ajo. Nejse. I dhashë shumë rëndësi në ato momente por pak më pas nuk më interesoi më. Përveç mërisë dhe neverisë s’më vinte asgjë tjetër në mendje për të. Isha me fat që kisha Emën në krahë. Ajo femër më plotësonte. Në e-mailin që i kisha dërguar profesori më kishte premtuar që do ishte pa tjetër i pranishëm në ceremoninë e hapjes së spitalit. Dhe pak ditë do të finalizohej inaugurimi i spitalit. Ema ishte shumë e lumtur dhe më kishte ndihmuar jashtë mase gjatë këtyre tre muajve punë pa pushim. Ama netët mundohesha t’i kaloja gjithmonë pranë saj, sepse ajo ishte bërë edhe pak sa frikacake e më bënte të vija buzën në gaz për këtë fakt. Sa shumë e kishte ndryshuar shtatzënia! Menjëherë ishte përfshirë edhe me punën e saj të re që në fillim me aftësitë e saj profesionale. Kishte paraqitur ndryshime në mënyrën e mësimdhënies, organizimit dhe kishte krijuar e ideuar plane të reja. Këtu kishte ritakuar edhe një mik, autor të së atit. Ai, një plak tashmë, u bë nostalgjik që takoi vajzën e mikut të tij të vjetër. Ai e ofroi atë punë pasi pa që Ema kishte tërësisht virtytet dhe talentet e të atit.
Dita e inaugurimit të spitalit erdhi. Ajo ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për jetën time. Ndihesha i plotësuar profesionalisht. Nuk do të vdisja me pishman sikur ta bëja këtë, sepse e bëra, e arrita! Ishin shumë të ftuar. E di që më erdhën edhe disa studentë jashtë që më jepnin mësim? U kënaqa jashtë mase shumë. Më erdhën edhe disa kolegë të spitalit ku ende punoja atje. Nuk i prisja të vinin të gjithë, sepse kishin shumë ngarkesë dhe me mirëseardhjen e tyre më nderuan. Televizione, media, gazetarë ndodheshin aty pa fund dhe me thënë të drejtën mua nuk më pëlqente një situatë e tillë, madje bezdisesha. Sigurisht që ndjehesha mirë që tashmë kisha reputacion në vendin time por këto gjëra nuk ishin në natyrën time por më bëhej qejfi që kisha njerëz; Familjarë, miq kolegë që më vlerësonin për atë që isha dhe kisha arritur.
Ema, dama ime që më qëndronte në krahë, thjesht vezullonte. Ajo tashmë ishte një yll vezullues që ndriçonte kudo që shkelte me sharmin e saj. Ndjehesha krenar që kisha në krahë një femër si ajo. Kur e shihja të veshur me atë fustanin e gjatë blu klasik e cila ngjante si një princeshë që i rezistonte çdo dimensioni kohe. Kur e shikonin e komplimentonin pa fund. Më shikonin me zili për femrën që kisha. Sigurisht, një femër si Ema ishte fat që të të vinte dhe unë isha i përzgjedhuri ta kisha atë nder.
Nuk vonoi shumë dhe tutje pashë profesorin tim me dy miqtë e tij të respektuar. Sa mall që ndieja për atë njeri. Lash të ftuarit dhe u nisa drejt tij. Duke më parë gjithë kërshëri:
-Oh, djalosh! – më tha me zërin e tij të befasuar dhe me nostalgji.
Të them të drejtën ishte plakur shumë. Nuk mu duk mirë. Ai më rrahu shpatullat siç bënte zakonisht dhe më përqafoi. Kisha mall për atë profesor tashmë të plakur që zinte një vend të rëndësishme në jetën time. Madje madje dikur e shihja si një figurë atërore.
-O djaloshi im. Më në fund u ktheve. Mendova se s’do të ktheheshe kurrë!
-Pse do e dëshironit këtë profesori im, të mos shihnit më studentin tuaj e të krenoheshit me të?
-Po por, pak veta do e bënin dhe do e merrnin këtë vendim, të kthehen sërish e të linin atë jetë europiane për tu kthyer këtu, në këtë vend që gjithçka ka marrë të tatëpjetën. – e tha duke ngrysur fytyrën e trishtuar.
-Njerëzit, - profesori im – njerëzit e bëjnë vendin. Por njerëzit tashmë po e prishin.
-Po djalosh! Eh shok e shikoni. E kemi nxjerrë nga bankat e tani përkulemi duke e dëgjuar. -----Është krenaria jonë shoku! – ia kthehu dikush nga ata.
-Po, e vërtetë. – tundi kokën gjithë kohës i menduar.

Sonte po ta tregoj vetem TyМесто, где живут истории. Откройте их для себя