Pjesa 1( V)

102 4 1
                                    

Peneli që kishte vënë ia theksonte aq shumë ngjyrën e syve saqë më beso, doja t’ia nxirrja me pirun dhe t’ia haja aty në vend.
-Meg! Je bërë shumë e bukur.
-Faleminderit Sidrit. Në fakt, sa do të të komplimentoja unë ty! Je bërë shumë i pashëm sot. Parfumi shumë zgjedhje e mirë.
-Oh, faleminderit! – ia ktheva. Në fakt u vura në turp, por u ndjeva shumë mirë që asaj i pëlqeva, sepse isha në ankth. I kisha një kafe borxh Tanit tashmë për këtë të mirë që më bëri me veshje  dhe gjithçka. Teksa i ledhatoja duart, shikoja që ajo qëndronte në stres dhe vështronte vërdallë. Sikur nuk donte ta shihte njeri.
-Meg, je mirë?
-Po, mirë jam. Thjesht po shikoja mos del ndonjë që njoh.
-Pse nëse del dikush që ti njeh, është problem të të shohë me mua?
-S’ka lidhje Sidrit! Thjesht s’është momenti. Ta sqarova mbrëmë më duket. Mos duhet ta përsëris prapë?
-Ok! Më fal, ke të drejtë. Si je sot? Si ndihesh nga nata e kaluar?
-Mirë, pak çuditshëm. S’kam reshtur së menduari për mbrëmjen. Ndihem ndryshe. S’e mendoja që do isha kaq në dilemë dhe do e mendoja kaq të vështirë gjithçka.
-Ke të drejtë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt Meg. Unë e di që asgjë s’do të jetë e thjeshtë. Por ama di që kur të shoh ty gjithçka thjeshtësohet për mua. E kupton që je qetësi për qenien time? Dhe shpëtim për zemrën time? Meg, ndoshta do të të dukem idiot, por unë ndiej që ndoshta... të dua!
Ajo më hodhi vështrim të butë dhe më përshkoi dorën rreth fytyrës siç ajo më bënte zakonisht.
-Ah, Sidrit! Me ty ndihem vetvetja! Ti më bën të ndihem unë. E adhuroj fizikun tënd që ngjason si i palestruar. Sytë e tu të zinj dhe të thellë. Drejtësinë tënde, maturinë. Kam kuptuar shumë për ty, për një natë. Ti më shkakton grimca të mëdha pasioni që shumohen e shumohen dhe ndiej që... që të dua. Po, po... të dua!
Ç’duhej të bëja unë në ato momente?! Doja të vdisja nga lumturia! I dëgjova ato fjalë nga ajo femër e zemra mu drodh. E përqafova fort, duke fshehur kokën në qafën e saj të bukur dhe s’doja ta lëshoja kurrë. Lutesha me veten për diçka. Zot mos ma largo kurrë këtë aromë nga shqisat e mi!
-Hej Sidrit! Më vrave!
Kishte të drejtë. Unë e kisha përqafuar aq shumë, saqë e lëndova pak padashur. Isha harruar në qetësinë e qafës me aromë të mrekullueshme derisa zilja e telefonit i ra. Ishte mamaja e saj.
Ajo nuk ia hapi.
-Hape Meg!
-Jo, jo! Do e marr pastaj. – më tha.
Ajo i ra ziles përsëri, përsëri, përsëri. Më në fund ajo e hapi. U përgjigj:
-Po ma... Kam dal...Do e bisedojmë kur të vij. Dakord? – e mbylli e revoltuar.
-Ç’pate Meg? Të tha ndonjë gjë?
-Jo asgjë. Thjesht acarohem kur më marrin. – ama e kuptova që ajo më gënjeu, sepse e mbylli shumë e revoltuar. Për një natë, kisha nisur ta kuptoja dhe t’ia njihja mimika mirë, më shumë se ç’mendoja. U dallua që ajo u shqetësua prej telefonatës së të ëmës prandaj nuk e vazhdova më. Teksa po përkëdheleshim unë shijoja parajsën e saj. Ajo foli ngadalë duke shuar atë moment qetësie midis nesh:
-Sid, më fal por më duhet të iki në shtëpi. Më fal që nuk qëndrova shumë me ty. Të ngel hatri?
-Meg, ç’pyetje që bën! Unë s’do doja të ndahesha as edhe një sekondë nga butësia jote. Por e kuptoj që të kërkon familja dhe nuk ka problem. Vetëm më parë më lër të të jap diçka. -Nxora nga karrikja poshtë trëndafilin e kuq dhe dhuratën.
-Për mua?! Oh sa e lezeçme! E kuqa është ngjyra ime e preferuar. Trëndafili qenka një gonxhe shumë e bukur. Të falënderoj! Po kjo tjetra ç’është? – dhe e hapi e ekzaltuar. – Hahaha një varëse çelësash me gjarpër?!
-Nuk të pëlqeu apo jo? (bobo e katranosa më duket se i kam bërë dhuratë idiote mendoja).
-Jo! Qetësohu, mos u tensiono, por hera e parë që më dhurojnë... gjarpër. Nuk kisha marrë një dhuratë me një simbol të tillë.
-Shiko, unë ta dhurova sepse që mbrëmë të thirra sy gjarpëruese dhe gjithçka e jotja: shikimi, lëkura, qëndrimi, keni rrezikshmërinë dhe bukurinë e një gjarpri. Ke dhe helmin dhe vrerin por ama të butë. Dhe ti je një gjarpër me vrerin që nuk dua ta humb kurrë. Dua të më vrasësh çdo ditë, sepse s’më tremb.
Më dëgjonte duke iu flakëruar sytë dhe më puthi plot pasion. Sa herë që ajo më puthte unë digjesha flakë. Ah Meg, Meg ç’më ke bërë kështu!
-Mezi pres të të marr sërish në krahët e mi!
-Këto ditë të premtoj që do të qëndrojmë vetëm. Tashmë më duhet të ik’.- më tha.
-Do të të shoqëroj unë?
-Jo, s’ka nevojë.
-Po Megi, ka!
-Sidrit, nuk jam bebe! Gjithashtu nuk dua që të na shohin. S’është momenti.
Në fakt më bezdiste fakti që duhet ta bënte rrugën vetëm dhe ishte pa makinë. E dija që s’do ngelte mashkull pa e gjuajtur dhe kjo gjë më ngacmonte nervin. Fundja nuk kishte gjë të keqe, sepse ajo femër ishte. Femra për tu admiruar është krijuar. Por unë sigurisht që s’e konceptoja. Ndjeja që xhelozoja shumë për të dhe nuk ishte gjë e mirë. Duhej të mësohesha me idenë se si duhet të funksiononte një raport i shëndetshëm lidhjeje pa skena idiote xhelozie. Duhet t’ia mbushja mendjen vetës për këtë gjë.
-Në rregull! Më lajmëro kur të arrish.
-Po, patjetër. Faleminderit për dhuratën, je shumë romantik.
-Ishte kënaqësi, sirena ime. – Në fakt ishte hera e parë që i dhuroja diçka një vajze që shoqërohesha dhe më vinte mirë që ishte Megi ajo e duhura. U nisa për në godinë të merresha pak me provimin e fundit që kisha dhe më pas kisha mbrojtjen. Arrita në dhomë. Tani nuk ishte. Fola pak me mamanë dhe motrën të cilat së shpejti do të vinin në ceremoninë e diplomimit tim. Dëgjoj tingullin e mesazhit nga Megi.
“Unë arrita. Dëgjohemi më vonë.”
Në moment më shkoi mendja tek babai i saj. Çdo bëja?! Ishte stres më vete ajo gjë. Duhej ta lija atë punë pa tjetër. S’kishte kuptim të vazhdoja të punoja me të kur ndërkohë shoqërohesha me vajzën e tij pa dijeni. Ishte e turpshme dhe kjo gjë më vriste shumë. Ndihesha shumë i turpëruar para tij, por dhe të lija Megin nuk mundesha. Ajo tashmë ishte si drogë për mua. Si më ndryshoi bota dhe jeta për një natë?! Ajo e bëri të gjithë të mundur këtë magji. Prandaj s’mund ta lejoja të ikte për asgjë në botë. Më mirë leja punën dhe aq. Ndërkohë duhej të shikoja për një punë tjetër. Pasi mbarova praktikën në spital iu kam pëlqyer, ndoshta më marrin atje disa orë punë si ndihmës. S’e di...s’e di...shumë...shumë problem ishte. Ama, një gjë duhej ta bëja me patjetër. Të takoja pedagogun të nesërmen e të leja punën urgjentisht, sepse sedra ime s’ma lejonte të vazhdoja më. Sa e vështirë është jeta jonë ndonjëherë! Jeta luan aq pisët me ne dhe ne ç’duhet të bëjmë? Duhet t’i përballojmë të gjitha! Por si mundet t’i përballojmë? Por nëse nuk i përballon nuk kupton rëndësinë dhe thelbin e saj. Duke më ndërprerë mendimet e thella, Tani hyri në dhomë:
-Hë plako, si shkoi peshkimi sot, se je bo çun i dalë, s’mbahesh më?!
-Mirë Tani. – ia ktheva serioz që të mos më ngacmonte më dhe bëja sikur merresha me shënimet.
-Kur do të ma tregosh zogëzën tënde plako?
-Kur të vij momenti Tani.
-Aha! Tepër sekrete domethënë? Po ku e njohe ore qerrata? Sa i fshehtë paske qenë? Skuth i vogël paske qenë!
Ai sigurisht që bënte çmos të më hiqte seriozitetin edhe pse unë nuk i hiqja sytë nga telefoni. Prisja mesazh nga Megi, por ajo ndoshta kishte punë. Nuk po e shqetësoja. Do prisja edhe pak që ajo të më shkruante vetë. E mbaja veten që të mos bëhesha ngjitës. Dhe pse isha i magjepsur marrëzisht! I marrosur pas saj. Kisha dhe një xhelozi të tepruar idiote që s’më pëlqente që e kisha. Por ja që e kisha. Ç’ishte ajo dashuri ashtu që më pushtoi si budalla? Vallë ajo ishte dashuria? Tani i besoja të tjerët kur flisnin për të. Kur i dëgjoja më parë më dukeshin ekzagjerime, gjëra të kota, sikur kopjonin telenovelat, librat, filmat, por tani e kuptoja duke e vërtetuar që ishte ndjenja më e bukur dhe më e frikshme në të njëjtën kohë. Ajo ndiejnë që ndonjëherë duhet të dish ta menaxhosh, kontrollosh, për mos t’i çuar gjërat në djall. Unë tashmë isha bërë si robot që truri i është programuar vetëm në aspektin “Megi”. Doja pa tjetër të isha në çdo moment me të, t’ia dëgjoja zërin, praninë, të më ledhatonte fytyrën, mjekrën, siç vetëm ajo dinte ta bënte. Nuk kishte pjesë të ditës që nuk mendoja dhe ëndërroja për momentet e kaluara me të dhe vetëm ideja që mund ta humbja për shkaqe të ndryshme, qoftë babai apo disniveli jonë më ngacmonin shumë trurin dhe më kapte ankthi nga ai mendim. Kaluan orë të tëra dhe ajo nuk u bë e gjallë. Më ne fund i dërgova mesazh. I dërgova përsëri, përsëri nuk më kthehu. U bëra shumë merak. Nuk po duroja më edhe i rashë telefonit. Ma mbylli. Më dërgoi mesazh:
“Flasim nesër të lutem. Natën.”
Ou sa e prerë mu duk! Ç’të ketë ndodhur? Mos ka ndodhur ndonjë problem në familje? Ose ndoshta ajo ishte lodhur?! Oh, nuk e di, nuk e di! Mendimet po më çmendnin më shumë. Mesazhi i saj nuk më la shije të mirë. Gjumi atë natë nuk më zuri fare. S’e kuptova as vetë pse u shqetësova aq shumë, por sikur ndieja një shtrëngim në kraharor dhe një ndjesi sikur gjithçka do të mbaronte. Ky mendim më shkaktonte atak në tru. Imagjino të ndodhte me të vërtetë?! Me pesëqind mendime në kokë, gjumi mund të më kishte zënë në orët e para të mëngjesit. Dhe në atë pak orë që mund të kisha fjetur pash një ëndërr të frikshme sikur po mbytesha në ujë. U zgjova dhe gjëja e parë që bëra ishte t’i çoja mesazh asaj. Kuptohet që isha bërë i varur tashmë. I urova mirëmëngjesi e u nisa për në fakultet të mbyllja hesapet me provimet. E beson dot që për herë të parë nuk i përfundova shpejt pyetjet e tezës? Isha tepër i shqetësuar për Megin dhe nuk përqendrohesha dot. S’më kish ndodhur kurrë të shqetësohesha për diçka më të rëndësishme se shkolla. Ah femrat! Pasi mbarova tezën dola. Pashë telefonin, një mesazh. Ishte Megi. Me të qindtat e sekondave e hapa i emocionuar. Zemra mu drodh. Lexoj mesazhin:
“Sidrit mirëmëngjesi! Nuk kam pasur mundësi të të shkruaja dje pas takimit, por doja të të thoja që nuk e vazhdojmë dot këtë marrëdhënie. Nuk ndiej për ty. Nuk mendoj që ndiej  mjaftueshëm për ty për të pasur një lidhje bashkë dhe gjithçka ishte një gabim, prandaj më mirë të mbyllet pa u thelluar më shumë. Më vjen keq nëse të kam dhënë shpresa që ndërmjet ne të dyve mund të ekzistonte diçka më shumë, por nuk mund të ndodhi kjo gjë. Pres mirëkuptim nga ty. Nuk kam mundësi takimi me ty, sepse do ishte e kotë. Kaq sqarim besoj është mjaftueshëm. Uroj që mos e diskutosh as me Tanin këtë njohjen e vogël që patëm dhe me askënd që mund të më hapë probleme. Të uroj shumë suksese në jetë. Ishte kënaqësi. Megi”
Jo, Jo, kjo nuk ishte e mundur! Duhej të ishte 1 Prilli, mendova. Mu thye bota. S’dija ku hidhja këmbët. Një makinë gati më shtypi. Dëgjoja njerëzit që më thonin: Idiot! Nga xhami i makinave. Nuk e besoja se si. Ajo rrezik po bënte ndonjë shaka. Ç’ishte kjo ditë kështu?! Çdo gjë ishte kaq në rregull. Mos e kishte prej babait? I dërgova mesazh:
“Meg, më thuaj që po tallesh. Çfarë të bëri të merrje këtë vendim? Mos babai mori vesh ndonjë gjë? Unë jam i aftë të flas me babain tënd që tani dhe gjërat të rregullohen. Mjafton që të kem prezencën tënde në jetën time. Të lutem mos ma bëj këtë. Unë marr parasysh gjithçka për ty. Kur të kesh mundësi më telefono dhe të takohemi, të sqarohemi. Mos ma bëj këtë të lutem! Unë, të dua!”
Ajo kthehu mesazh:
“Shiko Sidrit! Nuk ka lidhje as babai dhe asnjë tjetër. Ai s’di asgjë dhe nuk ka pse të dijë. Unë thjesht kuptova që s’ndjej asgjë për ty. Ishte rrëmbim i momentit, por reflektova në kohë. Mos u bëj fshatar duke u munduar të gjesh përgjigje atje ku s’ka vend për të. Thjesht unë s’dua ta vazhdoj më. Mos u ngjit. Dhe ky është mesazhi i fundit që të kthej, sepse siç të thashë, nuk kam as pse të flas në telefon me ty dhe as pse të takohem me ty. Gjithashtu mos e lodh veten duke i rënë telefonit, sepse unë do të ndërroj numër. Për herë të fundi, gjithë të mirat! Megi.”
O Zot! Pse po ma bënte këtë?! Unë mendoja që i pëlqeja. Që ndiente diçka për mua, sado e vogël që të ishte. Tentoja duke i rënë telefonit, por ai tashmë më dilte i fikur. Sa i pafat ndjehesha! Atë ditë eca tërë kohës kuturu, i humbur nëpër rrugët e qytetit duke refuzuar të pranoja realitetin dhe duke menduar që gjithçka do të kalonte. Sa e dhimbshme që ishte! Ndjehesha fiks sikur dikush i dashur kishte vdekur. E njëjta ndjesi kur më humbi babai! Aq shumë i trishtuar ndjehesha! Një pjesë e imja nuk e besonte dot akoma. Si ta besonte njëherë?! Si mund të bënte një vajzë atë lloj loje, si fëmijë, si adoleshente. Me një përpëlitje sysh, ajo të shkatërron botën. Si një telekomandë. Dhe ajo natë na paska qenë një kapriço? Sa të lehta i paskan gjërat disa njerëz. Me një mesazh u mbyllka gjithçka! Ajo ishte arrogante, kapriçoze por të mbyllte atë lidhje në atë mënyrë... me një mesazh?! Sikur unë isha diçka tejet e ngjitur dhe ajo po mundohej ta hiqte qafe atë barrë. Kjo ishte seç ishte! Ndjehesha dhe një idiot, por edhe i fyer brenda qenies time. Inati po më mbulonte. Doja të haja veten me dhëmbë. Po çmendesha! Në godinë arrita në mbrëmje vonë.
Tani direkt nisi me të tijat sapo më pa.
-Të lutem, jo sot.- i thashë – flasim nesër.
Ai shtangu totalisht i shokuar dhe nuk bëri zë fare. Rashë për të fjetur dhe fika dritën. S’doja që të dalloja asnjë dritë. Doja të mbyllesha në errësirën e dhomës, të qëndroja në vetminë e kujtimeve të mia. Meqë po pranoj të gjitha këto, do të të tregoj që dhe qava! Po qava! Qava për herë të parë për një vajzë! Dhe shumë madje! Ndoshta një djalë duket i dobët të qajë, sidomos për një femër, por ndodhi. Nuk i mbajta dot emocionet. Brenda meje diçka e vogël më jepte shpresë që gjithçka do të rregullohej. Mundohesha dhe të gjeja gabimin tek vetja. Ndjehesha totalisht një idiot. Sa i paaftë! Nuk bëra dot një vajzë të më pëlqente. Ajo thjesht dëshironte të luante. Të bënte qejfin e saj dhe unë rashë pre si budalla. Sa budallenj janë meshkujt. Unë jam i pari i tyre.
Dita e re kish zbardhur. Unë sigurisht s’kishte vënë gjumë në sy fare. Vështroja tavanin e vjetër të dhomës me mure të rëna dhe mendoja mos arsyeja ndodhej brenda në to. Ndoshta s’kishte nevojë për shumë shpjegim, isha thjesht unë problemi. Ajo thjesht nuk më pëlqeu më dhe unë ngela thjesht një fshatar që ajo kaloi natën kur ishte e pirë. Unë si budalla i fala zemrën sa hap e mbyll sytë. Ashtu siç i fal një fukarai dhjetë lekë në rrugë. Pavarësisht se kisha shumë të drejtë dhe mendoja një qind gjëra negative për të, përsëri nuk e merrja dot inat brenda meje. Doja të gjeja një arsye tjetër. Por fatkeqësisht nuk e gjeja dot. Tani u zgjua. Direkt më pyeti:
-Sidrit, më fal që po të bezdis por sinqerisht që jam bërë merak. Erdhe shumë rëndë mbrëmë vëlla. Ndihesh mirë? Ke ndonjë hall me ndonjë? Ta rregullojmë? Apo ka lidhje me vajzë?
-Me vajzë. – iu përgjigja.
-Ça ka?
-Më la.
-Hëm...s’di ça të të them vëlla, por është hera e parë që të shoh të shprehesh kështu dhe të flasësh për ndarjen nga një vajzë. Mos kishe rënë në dashuri?
-Kështu besoj.
-Keq puna, por e di sa herë zihem dhe ndahem unë? Ndoshta është thjesht diçka momentale.
-Nuk besoj, nuk është e njëjta situatë.
-Në fakt, hera e parë që nuk di ç’të them, sepse s’të kisha parë ty ndonjëherë të dashuruar. S’e mendoja që do vinte një ditë që ti do dashuroheshe me dikë tjetër, përveç librave të tu.
-Doli, doli. Por siç doli, iku.
-Vëlla, e njoh unë këtë?
Stepa për një moment dhe iu përgjigja:
-Jo, nuk e njeh.- Ç’ti thoja? S’dija ç’ti thoja. Nuk doja të bëhesha legen, t’i tregoja cila ishte, pasi ajo më kishte kërkuar të mos e bëja.
-Po cila është ajo vëlla? Përse nuk ma tregon?!
-Nuk dua të flas për këtë temë. S’e them dot tani. Ndoshta ta them ndonjëherë tjetër. Më fal ë...
-Në rregull. Ti e di. S’ka problem. Dëshiron të dalim?
-Jo jo rrofsh. Do të rrijë në dhomë.
Ai e kuptoi që unë dëshiroja të qëndroja vetëm dhe bëri sikur donte të ikte në dyqan. Unë ndërkohë tentoja të merrja në celular Megin, por ajo më dilte i padisponueshëm. Duhej të kishte ndërruar numër me të vërtetë. Si t’ia bëja? Po çmendesha. E di kur e kupton njeriu sa e do një person?... Kur e humb!
E kisha dëgjuar aq shumë si frazë këtë fjali saqë e provova. I kisha ngrënë totalisht thonjtë nga stresi. I kafshoja si i çmendur. Ecja lartë e poshtë nëpër dhomë, por kot që endesha, se mos zgjidhja gjë. Dhe Tanin që e kisha, s’e qaja dot hallin tamam me të. Jetë m... Të bëhesh kështu për një vajzë. Ah Sidrit Trapi! Shaja veten ta vrisja në sedër, por ishte e kotë, sepse truri dhe zemra kishin mbetur tek ajo. Më ra telefoni. Më ngriu zemra, mendova se ishte Megi. Në fakt ishte babai i saj. U stresova, me siguri që ai e kishte kuptuar. Ç’do t’i thoja? Si do t’ia shpjegoja në telefon?! Që unë rashë në dashuri me vajzën e tij dhe ajo më la se nuk më pëlqeu. Më në fund ia hapa. Ai me zërin e tij të qetë, serioz, tingëllues si gjithmonë më pyeti normalisht:
-Sidrit si je?
-Mirë, faleminderit. Si je ti? Je lodhur?
-Po...nga pak. Kam pasur ca shqetësime nga shëndeti, por asgjë serioze. Plakja.
-Mos e fyeni veten! Ju keni aq nerva dhe forcë, energji si njëzetë vjeçar.
-Ah djalosh! E ku të isha edhe një herë aq! Nuk të kam ngacmuar këto ditë, sepse e kam ditur që po përgatitesh për diplomimin. E dhe provimin sot? Kishe të fundit.
-Po, po.
-Suksese! Edhe pse s’e vë në dyshim.
-Faleminderit.
-Do të vish tek zyra të më ndihmosh?
-Patjetër!
-Ok! Takohemi atje.
Mbylla telefonatën i çliruar. Uf... ai domethënë nuk dinte gjë. Po të dinte, nuk do më fliste aq qetë dhe mirë. Ndihesha aq keq në lidhje me të. Ai sillej kaq mirë dhe ishte kaq i respektueshëm me mua dhe s’më kërkonte çdo ditë në punë e prapë më paguante mirë. E di që do të ndihesha gjithmonë në faj që kisha dalë me vajzën e tij. Duke dashur dikë ti ndoshta i hyn në hak ose mërzit atë që të ka zgjatur dorën. Këtu lind të kuptojë njeriu që s’mund të ik’ kurrë i pastër nga kjo botë! Pa një mantel të veshur mëkati. Ne të gjithë mëkatojmë, lëndojmë pa dashur dhe pa kuptuar dhe vazhdojmë e bëjmë dhe nëse kuptojmë për diçka që duam. Më thjeshtë, kemi lindur për të tradhtuar të tjerët. Në një mënyrë apo një aspekt, gjithmonë e bëjmë. Kështu na qenka i ndërtuar njeriu! Dhe pedagogu im, doktori im zemërmirë kushedi sa do të lëndohej po ta merrte vesh këtë gjë. Unë nuk e kisha bërë me qëllim, por ai nuk do e kuptonte. Gjithsesi unë do largohesha nga puna si asistent i tij, sepse nuk do e shihja dot në sy. Uroja të gjeja një punë tjetër sa më shpejt dhe të bisedoja me të si burrat. Madje do ia tregoja dhe që e kisha dashur vajzën e tij dhe vërtetë s’e dija. Do të doja ta ndaja këtë gjë me të. E ndieja si detyrë. Paçka se zonjushës nuk i pëlqeva. Arrita në zyrën e tij dhe e gjeta duke korrigjuar disa teza. Sa në turp që ndihesha nuk e ke idenë. S’e shikoja dot. S’i i fëlliqur. Si një skuth. Një situatë tejet e poshtër. Nuk kish më kuptim që unë të vazhdoja punën me të, sinqerisht ishte pa sens.
-Ç’ka Sidrit djali?! S’më duket mirë.
-Jo absolutisht. Të më falësh se hyra pak si pa mendje. Thjesht stresi i diplomimit.
-Ti me stres provimesh?! Ti provimet i ke antistres more djalë.
-Hahaha! Po... ishte ndryshe këtë herë se janë të fundit dhe ti e di që i dua notat e mira.
-Ç’ke në plan për më tej? Ku do e bësh specializimin?
-Nuk e di!
-Si nuk e di?! Ti do e vazhdosh apo jo?!
-Po sigurisht. Unë nuk i ndahem mjekësisë dhe sigurisht që do fokusohem në fushën e kardiologjisë.
-Sidrit! Dëgjo! Ti e di që të kam shumë përzemër. Tashmë kemi aq kofidenca bashkë sa që kemi marrëdhënien shok-shok. Ke qenë studenti im i preferuar në tërë këto vite dhe një djalë i mrekullueshëm. Dhe prandaj ke fituar një vend të veçantë tek unë. Ti tashmë diplomohesh pas kaq shumë vitesh shkollë dhe praktikë dhe unë si dikush që kam përzemër, si një djalë madje, kam menduar një dhuratë për ty. Do jetë në dorën tënde ta pranosh ose jo.
Kur ai po fliste kaq qetë dhe seriozisht, unë mendova që ai kishte kuptuar diçka dhe po më largonte nga puna. Por...ai po më bënte dhuratë mua?! Unë doja të largohesha nga aty dhe ky më fliste për dhuratë. U bëra dhe shumë kurioz ndërkohë.
-Ti Sidrit, dhe po të vazhdosh karrierën tënde këtu, specializimin, sigurisht që do kesh mbështetjen time si gjithmonë, pa diskutim. Madje e kam për nder. Por këtu nuk ke shumë mundësi për të zhvilluar më shumë. Unë sigurisht që dua të të kem rrotull. Të përfitoj nga rinia jote, zelli yt për të punuar dhe të të lë ty punët të mi menaxhosh. Të jemi një skuadër. Por ti më kujton veten. Unë nuk kisha krahë për të më shtyrë njeri, por ia dola. Dhe mua në rrugën time, pas shumë disfatave doli dikush më pas dhe më dha një dorë. Tashmë dua ta bëj unë këtë gjë për ty. T’i hysh mjekësisë do të thotë të merresh me studime gjithë jetën. Ama është magjike djalosh. Ti, vitet më të vështira ia dole me sukses dhe iu përkushtove kësaj shkolle. Ambicia jote për dije është e admirueshme. Që në fillim ke pasur synim të qartë. Tashmë të ka mbetur dhe pak rrugë të mbyllësh dekadën tënde të suksesshme që këtu e ke të garantuar, por unë kam menduar diçka tjetër. Këtu nuk shpërblehet gjithmonë dija, profesioni, por edhe konkurrenca është e lartë për një vend të vogël si ky dhe të gjesh një punë të mirë, sigurisht që do dhe një mik të mirë. Kështu duket se funksionon gjithkund, fatkeqësisht. Kohë të ndyra. Por ti ke atë materien e veçantë që gjithmonë do ia dalësh dhe do të lulëzosh. Unë e di këtë gjë. Dhe prandaj kam biseduar me disa kolegë jashtë, që i kam takuar në seminare të ndryshme dhe ata marrin një numër të vogël studentësh nga e gjithë bota dhe specializohen në fusha të ndryshme të mjekësisë. Ata kanë pranuar menjëherë. Këtu në zarf ke të gjithë letrat e nevojshme, aplikimin, çdo gjë dhe vitin e parë e ke gratis çdo gjë pasi rezultatet e tua të larta vit pas viti këtu kanë qenë ekselente, atëherë edhe ata e kanë parasysh këtë gjë, sigurisht edhe unë bisedova, bëra pjesën time, sepse e di gjendjen tënde ekonomike. Ta siguroj që atje është vendi i duhur. Një ndër tre më të mirët që ti duhet të bësh specializimin. Aparaturat janë më të fundit dhe nuk po flas më, sepse ti do i lexosh më në internet të gjitha të dhënat e nevojshme. Është kryevepër. Unë kam qenë me këta miqtë e mijë doktorë dhe kam ngelur me gojë hapur. I kam folur aq shumë për ty dhe sesa i zoti ke qenë në praktikë, saqë ata të presin me shumë zell. Habiten që në një vend të vogël si ne, mund të ketë studentë kaq të talentuar. Kjo tashmë është në dorën tënde. Besoj se është mundësia më e mirë që të është shfaqur ndonjëherë për karrierën tënde. Mendohu dhe më thuaj. Aplikimet fillojnë pas një muaji. Duhen dhe këto përgatitjet e dokumenteve, por pa merak, do të të ndihmoj dhe unë. Bisedoje dhe me familjen dhe zgjidh më të mirën për ty. Unë kaq kisha për të të thënë se fola shumë.
Dhe heshti pas një fjalimi aq të gjatë priste reagimin tim. Unë isha totalisht i shokuar. S’e mendoja që një dhuratë e tillë do të të më vinte ndonjëherë. Unë e kisha ëndërr të bëja specializimin atje. S’kishte fjalë për të thënë para kësaj mundësie.
-Faleminderit...Shumë...Nga zemra, profesor. Kjo ishte një ëndërr për mua dhe ju më menduat mua dhe më zgjodhët mua. Unë nuk e di sesi mund t’iu shpjegoj sesi ndihem, sesa me fat që kam fituar respektin dhe dashamirësinë tuaj.
-Mos e diskuto djalosh! Ti je tejet i dashur për mua. Unë i dua njerëzit e zgjuar. Ata që dashurojnë dijen dhe mjekësinë. Unë tashmë jam plakur dhe do të doja shumë që fëmijët e mi të kishin zgjedhur mjekësinë, por ja që nuk më ngjanë në këtë fushë. Preferojmë të dyja gjëra dhe degë të tjera. Nuk e gëzova tek fëmijët profesionin tim, të paktën ta gëzoj tek ty.  Jetesa është paksa e shtrenjtë si fillim, sa t’ia marrësh dorën, prandaj për këtë bisedo me familjen dhe më lajmëro nëse të duhet ndihmë. Tashmë më duhet të iki të pijë kafe me disa kolegë. Shihemi djalosh. Po të lë të mendosh këtë ëndërr.
Më rrahu shpatullat dhe mori drejtimin drejt derës. I vakur e përshëndeta. Sa më kishte ndryshuar jeta në një kohë aq të shkurtër. Tani e kuptoj që filmat, telenovelat që qarkullojnë, u bazuakan në realitet! Jeta ime po merrte kthesa të çuditshme. Unë kisha fjetur me vajzën e tij që më la pas tre ditësh pastaj ai mirë që më ka mbajtur në një punë por më jep këtë mundësi që është ëndërr për njerëz. Ç’duhet të them tani? Ta quaj fat? Apo tallje? Të dyja bashkë ndoshta. E kupton që ishte një super mundësi për mua? Aq sa e pamundur. Unë s’kishte dalë kurrë jashtë vendit. Nuk e dija sesi funksiononte. Më duheshin shumë para si fillim, por normalisht që do filloja një punë më vonë. Këtu kisha familjen. Kisha Megin...Megin...Megin që s’e kisha më saktë. Por mendja dhe zemra ime e kishte. Në gjithë këtë gjë të bukur që më kishte ndodhur e beson që unë akoma shpresoja kthimin e saj dhe mendja qëndronte tek ajo pjesë? Oh! Nuk e dija se çdo bëja. Po mamanë dhe motrën, si do i lija vetëm?! Ato vetëm mua më kishin edhe pse nuk më takonin shpesh, të paktën më kishin afër. U futa në një luftë mendimesh. Me siguri nuk do e pranoja. Mendoja shumë faktorë që do të më mbanin këtu. E kisha me pak frikë të largohesha. E di si ndihesha?...sikur nuk e kisha lartësinë dhe nivelin e duhur për ta merituar këtë dhuratë. Ku t’i gjeja paratë? Mezi ia dilja këtu. Të qëndroja si leshko atje. Ah sikur Megi të kthehej! Vetëm për këtë më funksiononte truri. Unë nuk e kisha parë drogën time...s’e kisha marrë. Si do ia dilja pa imazhin e saj pranë meje. Nuk mund të jetoja gjithmonë me imagjinatë. Ndoshta do të më shuhej imazhi i saj. Si do i shtyja ditët pa drogë? Dëgjoja zhurmën acaruese të mendimeve si miza që krijon druri dhe e gërryejnë atë vetë pak e nga pak. Ashtu po më gërryenin mendimet si dhe mungesa e saj, mua. Po asaj a po i mungoja? Përse kisha këtë besimin e budallait që ajo do të kthehej? Isha totalisht i hutuar saqë kisha një ditë të plotë që nuk flisja me mamanë në telefon, si dhe kisha dy ditë që nuk isha ushqyer, pasi nuk kisha uri. Vazhdoja, tentoja, i bija celularit të saj me shpresën se ajo do e hapte numrin. Doja thjeshtë ta takoja, të mi thoshte përballë ato fjalë të tmerrshme, jo në atë mënyrë fëmijërore, me mesazh.
Ditët kalonin. Asgjë s’ndryshoi. Unë mendova që kalova në depresion. Gjithçka po vështirësohej për mua. Nuk bëja më gjumë. Zgjohesha shumë herët kur flija. Bëja xhiro në çdo lagje dhe rrugë që ta rastisja. Isha aq rëndë saqë asnjë idiotësi e Tanit s’më bënte të buzëqeshja qoftë dhe vetëm një herë. Ndihesha i paaftë për ta luftuar atë ndrydhje që kisha. Rashë nga pesha, të paktën isha trup i fortë, i bëshëm, por rashë ca kile. Ditët që kalonin nuk ma lehtësonin mungesën e saj por ma shtonin. Të dashurës së Tanit s’i kërkoja dot ndihmë se do të dukesha shumë idiot po ta spiunoja, madje ajo do të acarohej më shumë me mua. Po e besoja që asaj nuk ia kishte ndjerë për mua, ndryshe do të kishte bërë diçka, ndonjë xhest. I kisha lënë aq shumë mesazhe dhe thirrje të humbura dhe nuk merrja asnjë përgjigje. A kujtonte ndonjëherë për natën që kaluam? A më mendonte sado pak? Nga ato pesëqind herë në minutë që unë e mendoja sikur ajo të mendonte vetëm një herë në aq orë të largoja pak atë dhimbjen që nuk kisha qenë thjesht një hiç, një fshatar që ajo bëri qejf.
Dita e diplomimit erdhi. Mamaja dhe motra më nderuan me prezencën e tyre. Iu dola para dhe i mora. Kisha një muaj e ca që nuk i shihja. Mamasë iu mbushën sytë me lot dhe nuk ndalonte së përqafuari dhe më puthuri. Nuk i linte as motrës radhë.
-Djali i mamasë, qengji im. Je dobësuar. Ç’ka ndodhur me ty? Përse je dobësuar kështu?
-Jo mama, mirë jam. Thjesht pak stres nga përfundimi i provimeve.
-O djali im i gjorë sa je këputur me këtë shkollë, por ndihem aq e lumtur dhe krenare për ty saqë i falënderohem Zotit çdo natë që kam një djalë të tillë. 
-Mirë mama, mos qaj tani. Të bisedojmë tamam. Ulemi diku. Se dhe motrës nuk i lë radhë.
U ulëm në një kafene pranë. Nisa të pyes motrën se si kish kaluar. Ajo ishte shumë çapkëne. Ishte shumë e gojës. Më kishte marrë malli shumë për të. Vilma ishte sheqerka e vëllait. Motra lajkatare dhe mos kokëçarëse për jetën. Ajo ndryshe nga unë, nuk shquhej për mësime. Ishte simpatike, e qetë e ëmbël. Vdiste të bridhte, të shëtiste dhe kishte ëndërr të merrte burrë të huaj. Të jetojë mirë në një vend të bukur. Shihte gjithë ditën filma dhe telenovela dhe e merrte jetën si të tillë. Ishte rritur duke u përkëdhelur nga ne dhe nuk i kuptonte vështirësitë e jetës. Sa më kishte marrë malli për familjen! Ishin dy femrat e shtrenjta që më kishin ngelur në këtë botë. Mamaja nuk mi shqiste sytë duke më shikuar, përkëdhelur dhe shikuar me mall. Motra lëshonte komentet e saj qesharake dhe ngacmonte mamanë për mua. Kishim ca të afërm në qytet, por mami nuk dëshironte t’i shqetësonte, t’iu bëheshim barrë dhe i sistemova në hotel. Ajo ishte ngarkuar plot me ushqime për mua e gjëra të tjera. Sa mundohej e shkreta! Ishte telendisur nga rruga dhe prapë buzëqeshte dhe thoshte: “Jam mirë.” I lash të pushonin në Hotel dhe unë u largova për në konvikt të bëhesha gati për ceremoninë. Tani ishte shumë i lumtur për mua. Do të vinte së bashku me Lirën në diplomimin tim. Kur ai thoshte se do të vinte me Lirën, unë ëndërroja mos vinte edhe Megi surprizë. Shpresoja të ndodhte. Ndoshta do të ndodhte. U bëra gati dhe shkova të marrë motrën dhe mamanë. Ato ishin zbukuruar. Vilma sa nuk fluturonte që merrte pjesë në ceremoninë e diplomimit tim. Mamaja ishte në siklet dhe ishte skuqur nga emocionet. Mund të kishte mbi dy orë që ishte veshur dhe qëndronte gati. Tani na shoqëroi për atje. Pasi u përshëndet me mamanë dhe motrën time që ishin takuar dhe herë të tjera na la në vendin ku do të organizohej dhe iku të marrë Lirën. Sa shumë njerëz që kishte. Shihja familje, të rinj, tufa njerëzish me aparate, telefona nëpër duar, me lule qëndronin të lumtur e të buzëqeshur në gatishmëri për të fotografuar momentet e njerëzve të tyre të dashur. Nisën dhe mua të më kapnin emocionet sidomos në vende me shumë njerëz unë vihesha në siklet. Nuk isha dhe ndihesha komod. Të afërmit u rehatuan në karrige dhe ne qëndronim. Pas perdes ngjyrë blu nisën të thirreshin emrat tanë dhe për çdo emër që thirrej dëgjoheshin duartrokitje pafund. Vetëm zhurmat e aparateve sa dëgjoheshin në shkrepjet e tyre. Motra ime nuk e kishte një të tillë për të shkrepur dhe ajo një foto me gëzim për vëllain e saj të sapo diplomuar. Sa keq të bën fakti i të qenit i varfër ndonjëherë. Sikur të kujton që s’i përket dhe ngjason të tjerëve. Sado që ti mundohesh, diçka të veçon nga ata. Nga rrethi i njerëzve të tjerë. Ti nuk ecën dot në hapin e tyre, ndaj zgjedh e qëndron në cepin tënd me kokën lartë duke shpresuar që një ditë do realizosh ëndrrat dhe do i kujtosh botës që ti ekziston dhe vlen!
Emri im u shqiptua. Para qindra vetave që prisnin të lumtur diplomimin e të dashurve të tyre. Unë me hapa të ngadaltë, sigurisht, pak i zënë në siklet dhe turp, tërhoqa kartonin e diplomës. Dalloja Dritanin nga larg i cili ishte ngritur në këmbë dhe fishkëllente e bënte foto me telefonin e tij. Lira, motra, mamaja duartrokisnin pafund bashkë me disa të tjerë në sallë. Të paktën kisha dhe unë pak persona që lumturoheshin dhe ishin aty në ditë të rëndësishme. Ndihesha mirë madje dhe që dikush po më bënte foto mua. E di pse? Sepse, do të kisha të stampuar atë moment që kisha harxhuar aq shumë vite të jetës time për të arritur atë moment në foto. Dhe e di çfarë dëshiroja? Të arratisesha. Që gjithçka të mbaronte me atë karton në duart e mia. Midis fjalimeve që mbaheshin për çdo student të sapo diplomuar, i turpëruar duhet të pranoj që shikoja dhe kërkoja me sy atë, midis asaj turme. A kishte ardhur vallë ajo të më shihte? Por po të kishte ardhur, unë do të nuhasja aromën e saj midis gjithë asaj turme. U trishtova, u zhgënjeva, sepse gjatë atyre ditëve kisha një lloj shprese të fshehtë që ajo do të vinte në diplomimin tim. Mos prania e saj dhe mungesa, më bën të ndjehesha keq. Nëse ajo do të ishte e pranishme, do e kisha shijuar plotësisht atë ditë të shumë pritur. Sigurisht, që ndër fjalime nga Dekani, u lajmërua që do të merreshin çmime, vlera monetare dhe bursa për pesë studentë të ekselencës. Ai, foli:
-I pari ekselent, krenaria e Universitetit gjatë këtyre viteve - u dëgjua emri im. Dëgjuam përsëri brohoritma e Tanit, ndërkohë fytyrat e kolegëve të mi të rinj, vështronin me zili. Disa vajza, dhe duartrokisnin. – Dua t’iu jap këtë çek të financuar nga Bashkia për studentët e ekselencës si ty dhe ju njoftojmë se kemi edhe një bursë për specializim këtu. – Dalloja mamanë në radhë, e cila ishte skuqur nga lotët e gëzimit, ndërkohë ndjehesha krenar për veten. Ia kisha arritur qëllimit. Ndjehesha edhe si i turpëruar, dhe ndjehesha gjithashtu në faj që isha vetëm unë në pesë. Por stresi më i madh ishte kur unë mora mikrofonin në duar për të thënë disa fjalë falënderimi ku u bëra si një pulë e skuqur në hell.

Sonte po ta tregoj vetem TyWhere stories live. Discover now