43.Gates of hell

439 44 84
                                    

Kenga lart i pershtatet shume pjeses se Kurtit😭



Këndvështrimi i Klausit

Më në fund kunata e tij tejet emocionale dhe e ndjeshme mund ta bënte gjumin e qetë natën përkrah vëllait të tij pa u ndjerë keq për "komplotet" e tyre siç i quante ajo. Puna e saj mbaroi me aq, tani do të merrej personalisht me Riçardin dhe fiksimin e tij shumëvjeçar me familjen Uollf. Pikërisht tani që gjërat po shkonin kaq mirë për të parën herë prej kohësh ndonjë skandal apo aksident tjetër i shkaktuar prej Riçardit ishte gjëja e fundit që i nevojitej qoftë atij e qoftë Kurtit. Mjaft telashe iu kishte hapur.

E fejuara e tij ishte mendjelehtë sa duhej për t'i treguar se ku mund ta gjente plakushin e çmendur. Kishte kaluar një periudhë relativisht e gjatë qëkur e kishte ndjerë gjakun aq të nxehtë në vena e duart aq në kërkim të diçkaje a dikujt për të goditur. Psikopati kishte për ta paguar vargun e fatkeqësive që kishte sjellë mbi të dhe familjen e tij.

Parkoi makinën ngadalë larg prej magazinës. Kush ishte njeri që shiste ilaçe për të shëruar jetët e të tjerëve dhe njëkohësisht komplotonte se si të shkatërronte ato të fëmijëve të pafajshëm? U mundua të përmbahej, nuk donte ta frikësonte përpara se të fillonte argëtimi i vërtetë.

-Mirëmbrëma, - përshëndeti ftohtë me të hyrë në magazinën me aromën karakteristike të produkteve farmaceutike.

-Jemi mbyllur, mund të shkoni të farmacia ngjitur nesër pas orës nëntë të mëngjesit, - i foli Riçardi pa denjuar ta kthente shikimin drejt tij.

-Ashtu? Po sikur t'ju thoja që nuk jam këtu për ilaçet tuaja por për ju?

-Më falni? - u rrotullua tjetri, - Oh, kënaqësi që të shoh i nderuar! - buzëqeshi ligë ai.

-Do të doja të thoja të njëjtën gjë, - tendosi qafën i nervozuar. E kishte pothuajse të pamundur t'i mbante duart të futura në xhepa e të mos i ngjiste pas mustaqeve të tij të thinjura.

-Pas kaq shumë javësh kërkime nuhatja jote prej ujku të nxorri diku? Ke ardhur për shpagim, hakmarrje ndonjë nga këto termat që ju të rinjtë e sotëm i pëlqeni kaq shumë?

-Po pleqtë e çmendur të fiksuar me gra të martuara çfarë pëlqejnë t'i quajnë fatkeqësitë familjare që shkaktojnë? Huh, - e kapi nga xhaketa e kostumit duke dashur ta fluturonte drejt rafteve të ilaçeve, - T'u kënaq egoja kur e flake tim vëlla në jetimore? Nuk t'u shua etja jote për hakmarrje kur e shkrumbove jetimoren në të cilën investove për aq shumë vite vetëm e vetëm për të traumatizuar një fëmijë? Përbindësh! Kush ta dha ty të drejtën të më ndaje mua nga im vëlla more? Kush ta dha ty të drejtën të shkatërroje jetën e tij me justifikimin e dashurisë së madhe për nënën tonë? Mashkull i pështirë!

Riçardi qeshi me të madhe pa e vënë ujin në zjarr para se të thoshte:

-I vetmi mashkull i pështirë dhe pa ndjenja ishte yt atë! Dhe po të mos qe për atë vëllanë tënd trazovaç yt atë s'do ta kishte marrë vesh kurrë për marrëdhënien time me Kejtin! Po të mos ishte për të, Fredi s'do të ishte çmendur, s'do ta kishte humbur drejtimin e asaj dreq makine dhe Kejti do të ishte gjallë!

-Dhe çfarë bëre ti? More përsipër të vendosje drejtësinë në vend duke i nxirë jetën një fëmije të pafajshëm vetëm sepse foli për diçka të cilën as nuk e konceptonte dot? - ulëriti Klausi, - E kupton se çfarë ke bërë? E kupton se ku do të përfundosh pas gjithë këtyre që ke bërë? Kush mendon se je, gjykatësi hyjnor? Sepse të betohem që kam për të të çuar me këto duar drejt gjykatësit hyjnor!

-Bëje i dashur, por do të ketë pasoja, më beso, - i shkeli syrin tjetri.

-Të dukem si dikush që preket lehtë prej kërcënimeve?

Hades ShqipWhere stories live. Discover now