27.Live and let die

597 66 90
                                    

-Çfarë kërkon këtu Gejb? - kërkonte më kot shpjegime nga vëllai i saj i vogël e trazovaç. E kishte gjetur në dhomën e Kurtit midis shokëve të tij duke u përshëndetur e përqafuar me ta si të kishin qenë shokë ushtrie dikur.

-Skaj! - thirri ai i lumtur kur e pa.

-Mos më thuaj që të ka dërguar Robi? - e shtrëngoi me mall në krahët e saj. Picirruku ia kishte marrë zemrën qyshkur mamaja ishte kthyer nga materniteti me të në duar. Edhe ata dy maskarenjtë e tjerë i donte e nuk arrinte t'i ndante nga njëri-tjetri, por Gejbin e kishte patur të sajin që prej fillimit, kurse ata i kishte njohur kur ishte relativisht e rritur dhe një e huaj e vërtetë për ta.

-Robi as nuk e di që jam këtu, - pëshpëriti sikur të kish frikë se mos Roberti ishte fshehur diku pas tij për ta kontrolluar siç bënte përherë.

-Si shumë i guximshëm je bërë kohët e fundit ti, - i përkëdheli faqet.

-Ti e di që nuk mund të refuzoja një biletë për në Kampionatin Kombëtar.

-Një çfarë? - pyeti, edhe pse e parashikonte lehtë përgjigjen e tij të mëpasshme.

-Hadi arriti të më niste biletën, e beson dot këtë?

-Për Zotin që s'mundem, - shfryu e lodhur. Si të mos i kishte mjaftuar ajo, tani ftonte edhe Gabrielin në ato ndeshje të rrëmujshme, që herët e fundit kishin filluar të mbylleshin në zënka aspak të pëlqyeshme.

-Ky s'është vendi i duhur për të kaluar pushimet e pranëverës Gejb, - e paralajmëroi.

-Mos më kthe në Londër, të lutem! - iu përgjërua me sytë e mëdhenj plot shpresë, - Nuk e ke idenë se sa i shpifur është bërë ai qytet pa Hadin... edhe pa ty, sigurisht, - shtoi shpejt për t'i prishur mendjen. Roberti ia kishte mësuar mirë "69 stilet për t'i prishur mendjen një femre" - siç vdiste t'i quante ai me mburrjen më të madhe.

-Po, po, pa mua patjetër. Kaq lehtë kujton se ke për të më korruptuar?

-Do bëj ç'të duash ti, vetëm mos i thuaj Robit.

-Frikacak, - e talli, - Nuk jam aq e keqe jo, s'do të të spiunoj. Vetëm më premto që s'do endesh rrugëve pas ndeshjeve, në të kundërt, e di mirë ti se ç'të pret, - iu kanos disi më autoritare.

-Je më e mira! Të betohem! - e puthi ai i kënaqur para se t'iu bashkohej sërish djemve.

Vëllai i saj i vogël mund të ishte i emocionuar si një fëmijë i pafajshëm në ditën e parë të shkollës i rrethuar nga padija e asaj që e priste në të ardhmen. Asaj nuk ia kishte ënda të ndeshej edhe një tjetër herë të pakëndshme me Riçardin e Klerin. U mundua të zinte një nga vendet më të humbura të ringut, prej nga do të ishte në gjendje t'i hidhte një sy edhe Gabrielit nëse do të qe e nevojshme. Po i dukej vetja më keq se Robi, ai do ta tallte po ta shihte aq mbrojtëse e të kujdesshme ndaj vëllait më të vogël. Zakonet e vjetra vështirë se vdesin, - mendoi me vete.

Ishte duke shkruar me Henrin e duke i dërguar në email disa raporte që kishte patur më në fund mundësinë t'i shkruante kur qe përvjedhur larg shtratit të tyre, prej nga Kurti s'donte ta linte të largohej pas ndeshjeve të lodhshme. Vetëm gjatë ndeshjeve gjente pak kohë për të komunikuar me Henrin e për të mësuar të rejat e fundit, sepse ujku i uritur me të cilin tashmë ndante jo vetëm shtratin, por edhe punën e jetën, nuk ngopej plotësisht me dashuri.

Sytë e lanë ekranin e celularit kur shqisat e saj u bënë të vetëdijshme për trazirën që ajo s'kishte vënë re. Një zjarr i madh qe ndezur përreth ringut duke gllabëruar brenda flakëve gjarpërushe disa prej kameramanëve e spektatorëve që ulërinin nën dhimbjen e padurueshme të trupit të djegur. E gjithë hapësira midis Kurtit dhe audiencës ishte përfshirë në flakë. Ato zmadhoheshin, përhapeshin e përpinin në gojët e mëdha sipërfaqen e ringut. Fillimisht, shumë i përfshirë në betejën me kundërshtarin, ai nuk e kishte kuptuar se çfarë bëhej disa metra larg tij.

Hades ShqipWhere stories live. Discover now