10.The first mistake

911 110 281
                                    

-Ku e ke lodrën tënde për sonte? - ishte pyetja e parë që i bëri me t'u ulur në të njëjtën tavolinë me të.

-Përballë, - mblodhi vetullat lozonjar ai.

Kurse ajo i ngriti si për t'i thënë: Kjo është më e mira që mund të japësh?

-Ah, e kishe fjalën për Nikolën? - bëri ai sikur u kthjellua, - Mikeshat e tua iu afruan duke këmbëngulur se kishin qenë në të njëjtin kolegj.

I bëri mendërisht shënim vetes që t'i vriste më vonë ato të dyja. Në kolegj së bashku? Po çfarë dreqin iu kishte thënë mendja?

-Më vjen keq nëse kanë ndërprerë mbrëmjen tuaj romantike.

Pse duhej ta thoshte me patjetër atë "romantike" në fund? Për ta provokuar? Për të pritur nëse ai do ta kundërshtonte apo pohonte?

-Nikola është një pretendente e mirë.

-Dukej.

-Për t'u bërë menaxherja ime e ardhshme.

Sytë e tij shkëlqenin. Djallushi i dreqit! Ishte ai që po e provokonte dhe jo ajo!

-Aq i padurueshëm je sa e ke detyruar paraardhësen të japë dorëheqjen?

-Paraardhësin, - e korrigjoi, - Ti e di mirë se çfarë engjëlli jam unë. E si mund të bëja dikë të hiqte dorë prej meje?

-Si nuk ia kisha bërë më parë vetes këtë pyetje? - vazhdoi po aq ironikisht sa Kurti edhe ajo.

-Ia ke bërë, por s'do t'ia pranosh vetes dhe mua, sigurisht, - foli me një arrogancë të këndshme, të paturp e aspak të tepruar.

-Ti ke ngelur po aq fëmijë sa dikur, vë dorën në zjarr për këtë.

-Ti ke ngelur po ajo inatçie dhe xheloze e vogël! - dhe mblodhi buzët si të ishte duke imituar fytyrën që ajo bënte sa herë nevrikosej. Këtë e bënte sa herë grindeshin që ajo të qeshte e rrjedhimisht të pajtoheshin.

-Xheloze? Më fal, po kush ishte ai që i mbushi Tedit pizhamat me krimba vetëm sepse ndryshe nga ti, ai e ndau kekun me çokollatë me mua! - u kujtua aty për aty.

-E mbanke mend edhe se me çfarë shije ishte keku, huh? - fërkoi mjekrën ai gjysmë i impresionuar e gjysmë duke u tallur.

-Nuk është kjo çështja!

-Pranoje, fytyra e tij kur filloi të nxirrte krimba nga prapanica ishte aq madhështore sa e mban mend edhe sot!

Rrotulloi sytë para se t'i thoshte:

-Rrengjet e tua s'ishin aspak madhështore.

-Pse? Ngaqë përfundoja duke u rrahur gjithnjë në fund apo sepse të fusja edhe ty në telashe bashkë me mua?

-Sepse i bëje për të rënë në sy dhe për të treguar se ishe më i mirë se Tedi, - i kryqëzoi krahët në gjoks për ta sfiduar.

-Ç'mund të them? - ngriti ai duart i dorëzuar, - Kam qenë territorial që fëmijë. Doja që të gjithë ta dinin se çfarë ishte imja, ishte vetëm imja dhe e askujt tjetër! - fjalët e fundit i rrokëzoi ngadalë, që t'ia nguliste mirë në tru.

-Ufa, ke qenë i rrezikshëm që atëherë, - tha me ton tallës dhe hodhi flokët pas.

-Mos m'i hidh mua flokët ashtu pas Kajla.

-Pse? - pyeti pa e kuptuar, - Sepse tregoj që jam e pavarur dhe s'më intereson se çfarë thua ti?

Kurti ktheu kokën majtas dhe nënqeshi me ironi.

Hades ShqipWhere stories live. Discover now