18.The aftermath

818 78 103
                                    

-Çfarë dreqin ishte ajo që ndodhi atje? - e pyeti e terrorizuar.

Ndodheshin në dhomën e tij të zhveshjes, ku ishin mbyllur me shpresën se do të ishin të sigurt aty, larg mizërisë së njerëzve të harbuar, që bombardonin vazhdimisht Dokun e gjorë me pyetje të pafundme. Jashtë asaj dhome, kufirit mes qetësisë e zhurmës, gëlonin mijëra zëra të acaruar, të trembur a të etur për të marrë vesh më shumë rreth aksidentit fatal. Jashtë kishte plasur lufta dhe ai ishte ulur i patrazuar në poltronin e madh të kuq prej mbreti të vendosur në qendër të dhomës me një gotë alkool në dorë për të ardhur në vete siç bënte pas çdo ndeshjeje të zakonshme. Vetëm se kjo nuk ishte një ndeshje e zakonshme, të paktën jo për të.

-Duhet të mësohesh me këto Kajl, janë gjëra që ndodhin, - foli me kokën të anuar pakëz anash gjoja me keqardhje.

-E kupton se çfarë ke bërë? - nuk mundi t'iu besonte veshëve. Ai thjesht nuk mund t'i kishte dhënë fund aq lehtë jetës së një njeriu të pafajshëm. Kurti që ajo njihte jo, por Hadesi i ri e i frikshëm që shfaqej në atë vend të mallkuar, po.

-Mos e bëj kaq të madhe. Ka ndodhur edhe më keq. Shiko anën pozitive, ai nuk vuajti shumë.

-Mund të vish në vete të lutem! Vrave një njeri, arrin ta konceptosh këtë?

Filloi të fërkonte atë hapësirën e ngushtë midis vetullave duke dashur të qetësohej, edhe pse gjakftohtësia e tij nuk po i bënte aspak punë.

-Jo pa firmën dhe dëshirën e tij, - tha pasi ktheu gotën e dytë. Shpupuriti flokët ende të djersitur nga ndeshja dhe flaku tutjen mantelin e zi.

-Çfarë do të thuash me këtë? - iu shtua kureshtja.

-Dukesh që je ende një fillestare në këto punë Kajl.

-Unë të them se ke vrarë një burrë dhe ke nevojë urgjente për një avokat, kurse ti ke qejf të tallesh? Mjaft, se më çmende! - ngriti duart e dorëzuar.

-Ti po çmend mua e dashur, - përplasi ai pëllëmbët në të dyja anët e poltronit para se t'i afrohej, - Ende kujton se kjo që unë bëj është e paligjshme? Ja që gabohesh! Ai tipi që pe me trutë e plasur në tokë e dinte shumë mirë se në çfarë telashesh po e fuste veten kur nënshkruante kontratën e kësaj ndeshjeje, duke e bërë atë më se të ligjshme e më se të mbrojtur nga juridiksioni i Mbretërisë Angleze. Dhe përsëri e nënshkroi, duke e marrë parasysh se mund ta humbte jetën në çdo kohë ashtu si shumë të tjerë përpara tij kanë bërë, ashtu siç të gjithë ne kemi bërë!

Uragani i fjalëve e gjesteve që shpërtheu prej tij nuk i linte vend për argumente të tjera. Fundja kishte qenë një aksident. Kurti nuk e kishte vrarë, ai thjesht kishte përplasur pjesën e pasme të kokës keq dhe kishte humbur jetën nga shembja e pashmangshme. Nuk ishte i pari që pësonte një vdekje aq tragjike dhe s'do të qe as i fundit. Prandaj ajo tmerrohej dhe fillonte t'i projektonte frikërat e saj në debate acaruese. Po të pësonte ai diçka të ngjashme, qoftë edhe shumë herë më të lehtë e të parëndësishme se aksidenti i asaj nate, jeta e saj do ta humbte kuptimin dhe ai e harronte këtë fakt.

-Prandaj po të lutem që ta lësh këtë sport të mallkuar, - foli me zë të brishtë tek i përkëdhelte fytyrën. Nuk e dinte se ç'mund të bënte nëse vinte dita që s'do të ishte në gjendje ta prekte atë fytyrë e të sigurohej se ai ishte mirë, se ishte me të, - Mund të praktikosh çfarëdolloj gjëje të duash, futboll, zhytje, bilardo, qoftë edhe peshkim. Mjafton që të mos e vësh jetën tënde në rrezik.

-Kam një jetë të mallkuar që merrem me boks dhe ti më thua ta lë sepse kështu të teket ty?! Çfarë më the të bëj? - pyeti ai me ironi, - Të fus në rrjetë peshq me karrema? Të dukem si një burrë që mund të merret tërë ditën me krimba apo topa bilardoje?

Hades ShqipWhere stories live. Discover now