19.The other Wolf

Start from the beginning
                                    

Iu deshën disa minuta për ta përshkuar të tërin me sy nga koka te këmbët. Ishte më i pastër, i rruar e i hekurosur se kurrë. Shumë e pabesueshme për një si ai që gjysmën e jetës e kalonte në palestër duke u stërvitur derisa të shtrihej përtokë i vdekur. Kishte tentuar t'i shtrinte flokët e tij të pabindur me një farë modeliduke bërë që tiparet e fytyrës t'i theksoheshin akoma edhe më shumë. Ai e vuri re vështrimin e saj të mahnitur dhe i shkeli syrin teksa duart i mbante të fshehura thellë në xhepa.

Gjithë femrat e pashoqëruara u sulën drejt tij sapo ai vuri këmbë në sallën e madhe. Ato s'dukeshin aspak të interesuara për dekorin modern, muzikën që s'kishte të sharë apo zotërinjtë dyzet e ca vjeçarë që diskutonin tërë sharm e me gota shampanje mes duarve. Tërë zjarri i qenieve të tyre ishte fokusuar te një njeri i vetëm dhe ajo nuk iu vinte faj.

-Zonjusha, zonjusha, me radhë ju lutem, - buzëqeshte ai hijshëm teksa puthte duart e gjithësecilës prej tyre.

Do t'i lash buzët dhe duart 10 herë para se të më prekësh mua sërish me to. - i vajti në mendje t'i dërgonte një mesazh, që e shkëputi atë për një sekondë nga turma frymëmarrëse e grave të pangopura. Ai nxorri celularin, qeshi me të madhe dhe e pa të shkruante:

Ndoshta ndonjëra prej tyre ma merr mendjen dhe s'të prek më ty, por atë me to. Fundja, jam një burrë i lirë, femra ime s'është përkrah meje që të më duhet të përmbahem.

Ujk i pangopur. - i shkruajti ajo para se ta vendoste celularin në portofol e të bënte drejt tavolinës me pije.

Momenti kur ai do të zinte një vend përballë gjithë të ftuarëve për të thënë dy fjalë rreth incidentit të Klark Uollfit erdhi shumë shpejt. Pas fjalës përshëndetëse të organizatorit të eventit dhe financuesve të ndeshjeve në Londër, ishte radha e tij të ngjitej në podiumin e improvizuar në mes të sallës.

-Mirëmbrëma të gjithëve! - ia nisi ai me atë buzëqeshjen rrëzëllitëse që nuk i ishte shkëputur nga fytyra gjatë gjithë mbrëmjes mes koketave të cilat i rrinin nga pas si kone të lumtura, - Siç duhet ta dini, jam më i mirë me grushtat sesa me fjalët, - tha duke fituar një të qeshur të publikut, - Megjithatë, për mikun dhe kolegun tonë të ndjerë Klark Uollfin ia vlen të merret iniciativa për të thënë pak fjalë. Ishte një boksier i guximshëm, që vendosi të bëhej pjesë e rrethit tonë duke i ditur mirë pasojat dhe të gjithë e vlerësojmë për këtë.

Tri të shtëna çartën qetësinë e asaj nate e u ndoqën nga klithma tmerri. Gratë ulën kokat të frikësuara, disa u fshehën poshtë tavolinave.

-Policia e Londrës, duart lart! - bërtiti Skajler duke ngritur në shenjë paqeje a kërcënimi distinktivin që e mbante përherë me vete pavarësisht se prokurorët nuk e kishin një të tillë.

-Kajla! Ulu poshtë! - i ulëriti Kurti.

-Më trembët, ju betohem, - foli me ironi nga gjiri i turmës një burrë që në veshje nuk dallonte shumë nga të tjerët. Nuk ngjante si ndonjë psikopat apo vrasës serial. Nuk dukej jonormal apo i marrosur si shumica e maniakëve me të cilët i ishte dashur të punonte gjatë viteve të saj në polici. Përkundrazi, ishte më i pashëm e normal se gjysma e burrave aty pa marrë parasysh faktin se kishte një pistoletë në dorë.

-Të gjithë jashtë! - jehoi zëri i tij para se ta shkrepte edhe një herë armën në ajër.

-Ule armën nëse nuk do që kjo të përfundojë keq, - i foli Kurti me t'u siguruar se gjithë të tjerët ishin të sigurt jashtë vilës.

-Një bythë e zgjebosur ujku si jotja nuk është në pozita për të dhënë urdhra këtu, nëse nuk e ke vënë re ende.

-Se kush është i zgjebosuri këtu kjo duket, - u tall Kurti.

Hades ShqipWhere stories live. Discover now