9

12 2 0
                                    

Kapitulli 9

Ishte ulur pranë pemës me mimozat verdhoshe dhe mbi gjunjtë e përthyer mbante duart varur me mendjen fokusuar tërësisht mbi degët e pemës, që po lëkundeshin aq lehtë, e prapë së prapë ajo mundej ta dallonte. Edhe vapë bënte goxha.

Sikur të ishte gjithçka kaq e lehtë sikurse lulet e kësaj peme, të bukura, të freskëta, por jo, as ajo e as të tjerë njerëz nuk e kishin një fat të tillë. Ajo donte vetëm pak qetësi, e kjo qetësi zor se gjendej në fshatin, në shtëpinë, në detin me kaq shumë kujtime. 

Po e mundonte shumë ëndrra prej së cilës ishte zgjuar në mëngjes me një peshë munduese të çelur në kraharorë. Rrezari. Ky qëndrim, kjo distancë e shfaqur prej tij, i kishin kaluar shumë ditë e ajo donte kaq shumë që të paktën t'i thoshte se çfarë kishte bërë gabim, që nuk donte t'i fliste më siç  kishin nisur të flisnin. 

Duke u endur në një rrugë mbushur me mendime...

"Moza!" zëri, që nuk priste kurrsesi ta dëgjonte, i foli. 

Ktheu kokën menjëherë e mbushur me nota shokimi dhe dalloi personin, që tashmë mbante mbi supe titullin si "ish-bashkëshorti" i saj. Ja tek qëndronte përpara saj njeriu që e deshi për më shumë se 25 vite dhe ende e donte si e marrë, por kishte mbetur një dashuri me thellësi të mëdha e me kore të zëna, që në pamje të parë mund të dukej e marrë fund.

Panatallonat e kadifta kishte veshur dhe një këmishë, veshja e zakonshme e tij, me mjekrën e hequr dhe flokët e shkurtuar. Iu drodhën sytë kur e panë. Ta kishte përballë e të mos mundej t'i thoshte dot diçka, një fjalë. Asnjëherë nuk kishte qëndruar larg tij për kaq gjatë, e kishte kuptuar që dhe mund t'ia dilte tashmë, por ta shihte sërish, dukej sikur po e kthenin në fillim, në krye të rrugës, që kishte ndërmarr për të rikuperuar çdo gabim të bërë në jetë.

"Sam?" 

Mund ta mohonte goja, e ta fshihte entuziazmin, por sytë jo. Sytë filluan t'i shkëlqenin si dielli në agim. Donte t'i kapte duart e nxehta shpuzë, e të mbështillte faqen e saj me to, të ndjente edhe një herë pas kaq shumë kohësh butësinë e tyre. Hapat e tij drejt saj ishin të vendosur, e vendosshmëria e tij vihej në balancë me drithërimën e saj, sikur të mund t'ia shpjegonte atij sesa i vështirë po i dukej ky ballafaqimi, nëse mund ta quante kështu.

"Gëzohem që po të shoh sërish!" i flet ajo e para, edhe pse fjalët e para që i erdhën ndërmend për ta pyetur, ishin se çfarë kërkonte ai aty, pranë saj.
Ai hapi krahët dhe e rrethoi trupin e saj duke mbështetur kokën mbi supin e saj. Fryma e ndrydhur u lëshua njëherësh.

"Edhe unë...nga nuk kam kërkuar për ty, e kurrë nuk ma merrte mendja se do të gjeja këtu."

Të dëgjonte se ai kishte kërkuar për të...po përse?...ia mbushi kraharorin me një ndjenjë të re, që po e gufonte përbrenda.

"Të më kërkoje...përse?"

"Përse thua ti? U bëra merak për ty. Kaq ditë pa dëgjuar asnjë lajm prej teje."

E këto ditët nuk e kishin mbushur ende muajin...

Nuk po dinte në duhej të ndihej e përkëdhelur prej këtyre fjalëve, apo të inatosej më shumë se përse ata të dy kishin marr këtë rrjedhë pa e dashur vërtet. U distancua pak prej tij dhe uli kokën si të peshonte më mirë mendimet që po i trazoheshin në kokë ato çaste. Pak më parë ishte e qetë, të paktën kështu pretendonte, e tani ardhja e tij kishte sjell sërish furtunën.

"Si po shkon me punën?" iu duk mënyra më e mirë për të çuar veten drejt një bisede pa shumë gjëmba.

"Ia kam lënë Desit në ngarkim, derisa të kthehem. Mund edhe të mos kthehem më atje."

Violina nën maskëDonde viven las historias. Descúbrelo ahora