1

187 21 10
                                    

Kapitulli 1

Autobusi zhvendoset përpara me shpejtësinë e lejuar, e ndërkohë ajo ështëe ulur në anën e kundërt me duart gjithë frikë shtrënguar mbi gjunjët mbuluar prej getave tyl. Nuk i duket sikur trupi po i bën para si gjithë të tjerët, por sikur fundi po i vjen pas shpatullave të ngushta e të rëna e po i kalon para syve si një vagon i pakapshëm prej saj. Ka zgjedhur qëllimisht të ulet me kurriz. Pati menduar se mos ndoshta kështu, duke i kaluar "fundi" kaq afër, do mund të kuptoj, por ajo ende nuk ka zgjidhur asnjë lëmsh krijuar në mendjen e saj. Janë lëmshe që vazhdojnë të përleshen me njëri-tjetrin në kokën e enjtur se kush prej tyre është më i vështiri për t'u zgjidhur, më i pamunduri për t'u kuptuar. Do të gjej atë lëmsh të strukur që mbart dilemën e faljes...nuk e gjen në këto çaste. As në çastet për pak të lëna në harresën thithëse.

Përbri xhamit, në të cilin tek tuk syri i kap disa njolla pluhuri të kalitura prej kohës, me njërin sup mbështetur në të, ngre trishtueshëm dhe e lodhur qepallat e rënduar për të parë sërish një pjesë të rrugës që po përshkon e mbrojtur prej mjetit ku ka zënë vend. Fusha përtej rrugës që po lënë pas. E pas fushave duhet të jenë malet me siguri. E pas maleve...nuk e di ç'mund të ketë. Humnerë ndoshta? Mbledh buzët të sforcuara dhe kafshon mishin nga brenda me dhëmbë e qepallat mundohet të mos i përpëlit. Sikur një herë të vetme të ndodh ajo përpëlitja, ajo rrahja e qerpikëve të tharë e lotët të gjendur në grykëderdhje janë, gati për vërshim moskokëçarës në faqet e saj ndezur prush tani. Do që të pickoj mishin në krah, të përmbajë veten e të risjellë ndërmend që të tregohet e fortë. Se nuk gjendet askush t'i vijë në ndihmë nëse e lëshon veten tani që gjithçka i është kthyer kokëposhtë.

Pa dëshirë e me përtesë lëviz vështrimin nga ajo rrugë që i kalon para syve mbrapsht dhe ndalet pa qëllim tek gruaja që ka përballë. Grua...është më shumë një vajzë. E re. E freskët. Harron se mund të duket e pasjellshme me këtë qëndrim që po mban, por sytë i ka të mbërthyer tek ajo. S'ka çfarë të bëjë tjetër. I sheh flokët e gjatë. Të butë si mëndafshë duken...si të sajat dikur...por tani jo, nuk i ka më. I ka të ashpër dhe prej vitesh majat e tyre veç virgjërinë e supeve kanë arritur të kenë. Ka harruar ndjesinë e të paturit flokë të gjatë. Lëkurën rinore, nis t'ia shoh me një dëshirë të përmallur...tani lëkura e saj është gjithë push dhe më e ashpër se flokët. Dhe rrudhosja ka filluar të dal në pah. Gishtat e hollë që i'a nxisin kureshtjen për t'ia prekur, i krahason me të sajat, i duken kollopaq dhe të shëmtuar, as thonjtë nuk i ka më të kuruar. E teksa ka lënë veten në harresë duke krahasuar këto detaje në kokën e saj, gjendet përballë vështrimit të parë sy më sy me vajzën e re flokëerrët. Pavarësisht buzëqeshjes që merr prej saj, ul sytë e turpëruar, i shtrëngon edhe më shumë duart me njëra-tjetrën mbi gjunjë e sërish kafshon buzën nga brenda. Nuk do të duket si një grua me smirë në sytë e vajzës së re. Sheh me bisht të syrit pas pak e kapur në flagrancë në të majtë të saj. Të tjerë njerëz që ndodhen në atë autobus. E të gjithë janë për të njëjtin stacion. Cila të jetë arsyeja që po shkojnë në tjetër vend? A ka ndokënd tjetër që mban mbi supe i zhytur me turpërimin mendjeprishës sikurse ajo, që tani mezi hedh hapat dhe ngre kokën? Edhe po të ketë, të dal dikush që t'i ketë lexuar mendimet dyshuese e torturuese e të pranoj, se po, ndajnë të njëjtin fat e për të njëjtën arsye kanë marr rrugë për në këtë stacion të ri. A do ndryshoj gjë kjo për të? Nuk do ndihet vetëm, justifikohet kur kërkon të jetë qoftë dhe një person i vetëm që do mund ta kuptoj.

Ndodhet në një autobus me njerëz të ndryshëm, e shumica po i duken hallexhinj. Uron të mos kenë probleme të mëdha, jo më të mëdha se problemi i saj. I kujtohet se syri i kishte parë disa djem të rinj, kur kishte hipur në autobus, gra me burrat e tyre, veç vajza e re që ka përballë dhe një grua me fëmijë. Shumica janë të shoqëruar, e ajo është vetëm. Rrugën po e bën vetëm. Tani kjo rrugë e bërë "mbrapsht" po e çon në mendimin se gjithë jetën e saj e ka jetuar kështu, "mbrapsht". Hidhërohet. E nuk është vetëm hidhërimi që po ia ndrydh zemrën e ndrydhur, por mendimi se çfarë ka për të bërë tani me jetën e saj.

Violina nën maskëWhere stories live. Discover now