5

19 2 0
                                    

Kapitulli 5

Ato re ishin ndryshe nga tjerat, ndryshe nga çdo re, që ajo kishte parë e kishte mundur të vinte re, a thua vallë se gjithë jetën e saj e kishte sheshuar duke parë retë në harresë. Vezullonin, ishin të bardha në ar, përhapur në gjithë territorin qiellor e derisa arrinin të puthnin buzët e ftohta të maleve gjatoshe.

T'i kapte me duar, e t'i bënte të sajat donte, por e dinte se ishte dëshirë e parealizueshme. E përballë dëshirave të tilla, tendenca e saj e vetme ishte të hiqte dorë.

Me diellin mbi kokën e enjtur prej lodhjes bezdisëse, u shkëput nga hija e  verandës, atje ku edhe freskia mikroskopike të vinte në ndihmë.
Kupat e gjunjve i kërcitën, e megjithëse kishte filluar të ambientohej me një zhurmë të tillë,  asaj iu hidhëruan pak buzët, për të kapëryer sa më shpejt dhimbjen e ndjerë.

Copa e lehtë e fustanit u rend në kangjellat e lyera me bojë të zezë, teksa ajo harkoi pak trupin për t'u mbështetur, ndërsa hidhte hapat e mundimshëm në shkallaret e pakta. Zgushia e kishte bërë të ndihej e trullosur e prapësëprapë kur sytë i zunë lulet tek qëndronin grumbull shoqesh, e bëri veten një hap të fuqishëm dhe eci para.  

Për lulet kishte nisur t'i shihte dhe kujdesej çdo ditë. Seç ndjente një detyrim moral ndaj tyre, për të shlyer gabimin që kishte bërë.
Pakujdesi shkaktuar shkatërrimin.
Këtë herë mundej të bënte diçka për lulet...

Kontrollonte nëse kishin nevojë për ujë a jo. Këtë herë, po, kishin nevojë. Duke i ujitur, qëndron me gjunjët e përthyer dhe i vështron e përhumbur, sepse mendja i rikthehet atje ku dhe trupi duhet të jetë. Hapat që dëgjon pas vetes e bëjnë të kthej kokën. U tremb për pak, por kur vuri re se ishte ai, zuri të qetësohej.

"Mos ik! Erdha për të parë vetëm nëse kishin nevojë për ujë." iu drejtua me ton lutës pasi kuptoi se ai ishte gati të largohej sërish prej prezencës së saj. Por ai nuk veproi sikurse e kishte menduar ajo.

"Faleminderit!" I tha dhe përkuli gjunjtë për të prekur petalet e luleve rreshtuar pranë njëra-tjetrës.

Moza kapsalliti sytë dhe me buzët e mbërthyera, përballoi në heshtje këtë afrimitet të dobët. E kishte kaq afër sa për një çast absurd iu duk se arriti të nuhaste erën e djersës mashkullore.

Asnjë aromë. Vetëm djersa që dukej tek i rrëshqiste në formën e biletave përtace.

Zhurmë deti.
Aromë deti.
Një shpuzë atmosferike që të torturonte.

"Dua të të kërkoj falje sërish për dëmin që u bëra, nuk doja, por ishte natë dhe..."
I uli sytë duke i treguar lulet që qëndronin më të gjalla se kurrë, edhe keqardhjen mundi t'a shpaloste denjësisht përmes atij shikimi.

"Nuk ke përse të shpjegohesh."

Ai foli, por përqendrimi i saj ishte i dhënë pas maskës që fshihte fytyrën e tij e pas syve që po i shkaktonin turbulenca brenda vetes.

Maska e bardhë është kaq afër saj. E një lëmsh i mbledhur shkatrriqe-shkatrriqe iu ngjit në grykë. Papritur donte të dinte për këtë njeri. Më shumë nga çfarë kishte dëgjuar.

"Duhet. E kuptoj që këto lule janë me rëndësi për ju, ndaj..."

Më shumë sesa për lulet, keqardhje ndjente për veten që ishte treguar fëmijënore atë natë me të tillë sjellje, dhe ja rezultati: dëmtimi i bukurisë dhe freskisë së luleve për të cilat dikush ishte kujdesur aq përzemërsisht.

Ai u ngrit në këmbë, e pa u ndalur ta shihte në sy, me kokën ulur tentoi të largohej prej saj, pa thënë as edhe një përshëndetje të shkurtër. Edhe ajo fjali e vetme që nxorri prej gojës dukej se ishte shumë. Që ishte fjalëpak këtë, për këtë ajo nuk kishte pasur vështirësi t'a kuptonte, por ja që donte të dëgjonte më shumë prej tij.

"Luani shumë bukur në violinë. E kam fjalën...në mbrëmje...dëgjohet kur luani". U ngrit vrik në këmbë duke shpërfillur tërësisht kërcitjen në kupat e gjinjve dhe fërkoi pak ballin. Flakëtimat diellore po bënin të vetën, e ajo mezi po qëndronte nën atë nxehtësi.

Ajo. Ai. Deti, që ua sillte aromën deri nën hundë. Asnjë tjetër. A nuk ishte çudi që asnjë nuk kishte dal për plazh?

Edhe këtë herë ai zgjodhi vetëm të tund kokën. Duket sikur fjalët e shumta nuk ishin për të. Moza donte të thoshte diçka më shumë, por po i dukej sikur qëndrimi i tij do bëhej i zorshëm prej saj nëse i fliste sërish, ndaj fjalë të tjera nuk i tha. Koka i rëndoi dhe e përkuli poshtë. E ai e gjeti veten të qetë, që të largohej.

Moza pa në pamje të plotë largimin e tij. Ecjen e tij. Një ecje me trupin mbajtur drejt, jo me shpatulla të rëna, me hapa hedhur bindshëm dhe strikt e duart që nuk i tundeshin kot nëpër ajër, por i mbante afër turpit.

Ka ecjen e një ushtaraku, mendoi ajo, e zanafilla e këtij mendimi do kishte dhe zhvillim.

Ajo mendoi për atë njeri. Se ç'kërkonte ai në atë fshat të largët, ende i kishte mbetur pikëpyetje e pazgjidhur. Jo se jeta e saj do përmirësohej nëse e merrte vesh përse-në, por kurioze ndihej, apo më saktë, mendonte ajo, se ai njeri kishte diçka të përbashkët me të. I vinte dhe për të qeshur, ndonjëherë kur arsyeja i thoshte se mendimi i saj ishte i pabazë, por një ndjesi e kishte, se kishte një "dhimbje" të përbashkët me të. Ndoshta ia lexonte në sy. Në ato sy që fshiheshin pas një maske të bardhë, e megjithatë ngjyrën e tyre ia kishte dalluar, një kafe e errët, por jo e zezë. Në ato sy që stepeshin t'a shihnin Mozën në sy.

Nuk u deshën shumë net, që ai të mësohej me prezencën e saj, tek dilte në ballkon dhe shihte atë tek performonte si një njeri i rëndomë, por me klas, përpara detit të zhytur në terrin e natës. Përherë përpara detit të fundëm. Ishte kaq i dhënë para tij, si të linte shpirtin e tij në atë violinë e detit t'ia dedikonte gjithë këtë.
Ajo dëgjonte.
E palodhur për atë melodi.
Ajo dëgjonte.
E vëmendshme. Sikur të kishte gjetur tek ajo vijë melodike copëzën e qetësisë. E të nesërmen, në kulmin e vapës, ajo duke e ditur se ai do vinte sërish si çdo ditë për të parë lulet aq shumë të përzemërta, priste ulur në tokë, derisa vinte ai, për të shkëmbyer disa fjalë. Fjalë, që në fjali në fillim merrnin rolin e një kryegjymtyrshes, e me pasimin e ditëve, edhe gjymtyrët e tjera hynë në rol. Nisi ajo të fliste për veten, por jo për të shkuarën. I tregonte se nga vinte dhe çfarë jete bënte. Se ishte një mami e zonja në profesionin e saj.
Ndërsa prej tij nuk doli një entuziazëm i tillë për të treguar për veten. Të paktën në fillim...

Prej çiltërsisë së saj, mori shtysë të fliste. Pak, por e mjaftueshme. Duke nisur kështu të bëhen "shokë" të mirë. Shokë që flisnin për çfarë ndodhte, e akoma plotësisht për veten e vetë. Qeshnin, argëtoheshin, shëtisnin e më pas, në fund të ditës, secili kthehej në shtëpinë e vetë. E sytë e fshatit nuk kishte sesi të mos e vinte re këtë atmosferë krijuar mes gruas së sapoardhur dhe burrit misterioz.

Njerëzit nisën të flisnin për ta përpara se ata vetë të nisnin të flisnin për njëri-tjetrin. Ndërkohë Moza dukej se ishte duke përjetuar të njëjtën gjë për së dyti herë, t'i mbahej emri në gojë të të tjerëve. E kuptonte në fjalët e Nënë Halimes, se tashmë ishin përhapur fjalë, e çudi nuk ishte, që ajo tashmë nuk vriste më mendje nëse të tjerët flisnin për të apo jo. Opinioni i fshatit nuk vriste më askënd. Jo më. Sa herë shihte ndokënd që kthente kokën nga shtëpia e saj dhe shikimet u ndesheshin, vetëm sa i përshëndeste, e ndonjëherë kur nuk merrte të njëjtën përshëndetje mbrapsht, nuk mërzitej.

As se rrinte gjithë ditën në shtëpi, nuk mërzitej. Merrej me pastrimin e shtëpisë, me ujitjen e luleve dhe plehërimin, të cilin e mësoi prej Rrezarit. Ai kishte kaq shumë durim sa ta mësonte deri në detaje se për sa përkujdesje të veçantë një lule kishte në dallim nga një tjetër. E oborri i shtëpisë mbushur me lule dhe pemë, ishte falë tij.

"Çdo lule e kupton se çfarë përkujdesje tregon ndaj saj, e nëse e meriton, ta shpërblen duke lulëzuar gjithë përsosmëri" i thoshte teksa duart i rrëshkisnin në gjethet e kërcellin e hollë të bimëve.

Moza ndiqte me bisht të syrit, delikatësinë treguar prej tij, edhe e admiruar përbrenda gjëmimet nisën t'i zbarkonin në tokën e mendimeve. Ai njeri e bënte të mendonte. Ndoshta më shumë nga ç'duhej të mendonte një grua si ajo, e divorcuar, larg njeriut të saj, larg jetës së ndërtuar prej kaq shumë vitesh, e tani...në ndonjë çast bëhej lëmsh prej Rrezarit.

Violina nën maskëWhere stories live. Discover now