Letër babait...

215 8 13
                                    

Shumë "i dashur" baba,

Kam nisur shumë herë të t'a shkruaj këtë letër por, ka ngelur gjithmonë veç një mendim... Një ide e mendjes sime të papjekur- siç më thoje ti shpesh.

Kam menduar të të them shumë gjëra, por tani kam ngrirë e gjitha... E di pse? Sepse po mundohem të zgjedh fjalët e duhura, fjalët e përshtatshme. Po bëj dhe një përpjekje të fundit që ti të më afrosh sadopak, sepse të duash është një fjalë që ti se njeh, se kupton.

E ja, pikërisht tani marr guximin të të bëj një pyetje që s'ta kam bërë kurrë: Pse nuk tregove kurrë një grimcë dhembshurie ndaj meje? Pse nuk më përqafove kurrë? Pse nuk më pyete një herë të vetme"si kalove në shkollë?" Pse nuk më përkëdhele kurrë? Një fjalë të ëmbël pse s'ma the? Eh, sa pse kam në mendje tani... Pse-të e 26 viteve jetë.

Besoj për të gjitha këto pse ka vetëm një përgjigje! Ti nuk më deshe kurrë! Nuk provove të më doje apo të më kuptoje për asnjë çast të vetëm. Pse? Pse kur unë e kam bërë këtë gjatë-gjithë kohës.

Gjithmonë e kam justifikuar sjelljen tënde prej harbuti( po nuk më vjen keq ta them tanimë, ashtu je treguar me mua: një harbut i vërtetë) dhe e kam kërkuar fajin gjithmonë brenda meje. Por e di çfarë o ba? Nuk gjeta asnjë faj. Asnjë...
Po, unë isha ai fajtori pa faj, që ti fajësoje për çdo gjë të mundshme. Unë isha ajo që gaboja në çdo fjalë që thoja, në çdo gjë që bëja...

Çdo mohim që ti më ke bërë ba, ka lënë gjurmë të thella në shpirtin tim. Dhe e di cila është më e keqja? Që këto gjurmë nuk u shërokan aspak. Me sa duket koha nuk shëron gjithçka, siç thonë, të paktën tek unë jo. Sepse, ende sot, pas 26 viteve unë ndihem e vogël në sytë e tu, e pamjaftueshme. Shumë e pamjaftueshme.

Nuk di më çfarë ndjej për ty. Por një gjë është e sigurt: dashuri nuk është! Mendoj se është mëshirë, keqardhje për njeriun që nuk diti të më dojë kurrë. Kam me mijëra pyetje për të të drejtuar, pyetje që po më lëvrojnë mendjen e shpirtin. Pyetje që s'më lënë të qetë. Pyetje që kërkojnë shpjegim por... hoqa dorë. Nuk do të t'i bëj më!

Nuk e di as nëse kjo letër do të të bjerë ndonjëherë në dorë por edhe nëse ndodh dua të dish diçka: unë të kam falur, ta them me gjithë shpirt. Vazhdova rrugën time edhe pa e patur dashurinë tënde, ndoshta ka ardhur koha t'a bësh edhe ti.

Ah, dhe diçka: arritja ime më e madhe është që nuk u bëra si ti... e ftohtë, pa ndjenja.

Po e mbyll me urimin që pavarësisht të gjithave të jesh mirë.

Bija jote e pamjaftueshme.

Letër babait.Donde viven las historias. Descúbrelo ahora