Katër

178 27 47
                                    

Prill 2019

Ishte festivali i parë që kalonte në azil. Buzëqeshjet aq të pastra drejtuar askujt i dukeshin si retë e purpurta gjatë perëndimit. 

Historia e Elionit po e torturonte duke e zvarritur në kujtime që i varrosi kur shkeli brenda. Kujtime që lëngojnë në heshtje, por djegin si dreqi.

Sikur kjo të mos mjaftonte një re përqafoi diellin e lëshoi zymtësi ngado. Edhe gruaja e zhveshur e tablosë mori një çehre tjetër.

-Loradona Ruda është vajza me flokët e shkurtër që për ne ka vizatuar diçka të mrekullueshme. Le ta ftojmë të ngjitet në podium e të na tregojë më tej kuptimin e kësaj gruaje pa skrupuj mbi tablo, që më duhet ta përsëris, është art i mrekullueshëm.

Tani në podium nuk ishte më infermierja me zërin acarues, por psikologia e cila mbante veshur një buzëqeshje të ëmbël në fytyrë.

-Eja!- i zgjati dorën si të ishte duke i premtuar liri. Iluzionet e ngërthyen e mendja e dërgoi në boshllëk pa cepa. Aty dëgjohet veç zëri po i saj teksa e udhëheq drejt hapsirës së pafundme. Çdo hap pambuku lëshon tinguj lotësh faqe-gërvishtës, e zgjon shpresë.

Lori u kthjellua kur dëgjoi një zë ti thonte "mund t'ia dalësh" e kërkoi të lëshonte mikrofonin prej duarve që asaj i dukeshin sikur kishin marrë flakë.

-Jepi!- përsëriti psikologia pa e shkepur pozitivitetin nga fytyra.

Një pikë shiu i ra në ballë. Kur ngriti kokën lart nuk gjeti më asnjë tufë rrezesh të shponte grinë qiellore. Veç zymtësi e më pas kaos.

-Të gjithë, fshihuni! Strehojuni poshtë karrigeve, ose vraponi për të hyrë brenda! Forca, forca.

Gloria bërtiste e kërkonte të fshinte prej faqeve disa pikla shiu a lotësh. Buzëqeshja e mëparshme i ishte venitur e tani vendin e saj e kishte zënë paniku.

Infermierja e shtrëngoi në përqafim duke i thënë se gjithçka do të shkojë mirë, se është vrtëm shi, dhe me hapat e saj urdhërues po e shoqëronte brenda.

Aty mori udhë gjithçka.
Gloria me sytë e bardhë hapur, iu vërsul infermieres, e pasi u ul përmbi ia nguli thonjtë në fytyrë si të donte të nxirrte djallin poshtë lëkurës së Xhorxhias.
Të qarat e ulërimat filluan të tundnin retë e të egërsonin qiellin. Një shi me gjyma zbuti fijëzat e barit që tek tuk ishin larë më gjakun e Xhorxhias, e cila i lëshoi një të sharë Glorias kur infermieret e tjera e neutralizuan dhe e dendën me qetësuese.

Lori ndërkohë kishte mbetur në këmbë, përjashta, pikërisht mbi podium. Ngjitur kishte tablonë e cila ishte shpërfytyruar prej shiut. Ngjyrat kishin zgjatur krahët përtej telajos si të donin ta ngrinin gruan në këmbë. Lori bëri dy hapa pas. Shiu nuk e frikësonte, por fuqia e heshtjes së saj po.
Kur ngjyrat i prekën në majë të këpucës vrapoi për tu fshehur në dhomën e saj.

****
Janar 2017

Pallatet e larta e të ngjeshura  i dukeshin sikur zymtësonin ajrin, e me hijet e tyre nuk i linin akujt e trotuareve të një nate më parë të shkrinin. Ecte ngadalë sepse një herë e kish pësuar shumë keq në një cep të rrugës të mbuluar në akull. Mbante mend që kishte veshur çizmet e saj të preferuara të zeza deri në gjunjë sepse kujdesi për ato çizme bëri që të rrëzohej e të thyente krahun. Qeshi duke kafshuar buzën që të tjerët të mos e merrnin për të marrë, ngriti volumin e muzikës që po dëgjonte dhe la mendjen ti përplaste teori të pazbatueshme në atë copë rrugë.

Kur mbërriti tek dera e librarisë, para se të hapte derën, hoqi kufjet dhe ashtu të mbështjella i mbante shtrënguar në duar. Përsëriti nja dy herë titujt e librave që donte të blinte dhe veshi një buzëqeshje.
Një buzëqeshje që i ngriu kur hasi në sytë e errët të njeriut të fundit, që mendonte se do ta gjente në një librari.

-Çkemi Xhon!

-Çkemi Rufolfëz! Dukesh sikur ke parë një fantazmë.

-Nuk prisja të të gjeja ty këtu.

-Babai im e zotëron këtë librari, gjatë pushimeve dimërore e zëvëndësoj unë që ai të mund ti shijojë pushimet.

Për një moment i uli sytë përdhe, larg hijes së Loradonës, me një zjarr mbledhur në grykë.

-Mmm, doja Triologjinë e Mjegullës nga Zafon, dhe të famshmen Lolita.

Futi nja dy fijëza të flokëve pas veshit dhe kafshoi lehtë buzën, tërësisht pa vetëdije. Kishte filluar të sillej çuditshëm pranë Xhonit që prej herës së fundit kur ishin takuar në bibliotekë. Të gjithë takimet e tyre rastësore të mëvonshme kishin qënë  po aq të çuditshme.

Kur e ftoi Lorin të shkonte pas banakut për të parë raftin e ri me disa libra që i konsideronte si të preferuarit e tij muret e tyre filluan të shkriheshin e u bënë rrafsh me kohën, përtokë. Aty buzëqeshjet mbushën me lumturi të përkohshme dy të rinj që nuk e dinin si ishte të jetoje jashtë dyerve te asaj librarie. Dy të rinj që mendonin se historia e tyre ishte aq e shkurtër sa të mbyllej në kopertina.

-Nuk e mendoja kurrë që Xhonit i pëlqekërka të lexojë.

Buzëqeshja u mbyt në buzët e Xhonit që gjetën prehje mbi të sajat. Dora ishte vendosur lehtshëm në faqen e Lorit e melodia shpërthyer në librat që u rrëzuan përtokë.
E puthi gjatë, duke shijuar buzët që i kishte ëndërruar prej muajsh, i kishte prekur me frymë e dashuruar me përpëlitje sysh.

Kur u shkëputën Lori nxitoi të fshihte sytë  duke vendosur kokën në kraharorin e tij. Ishte një vajzë e hareshme por turpin e kishte me shumicë gjithashtu.

-Lor, po ma torturon zemrën.

I vendosi dorën nën mjekër dhe më pas nguli sytë në të sajat. Gjithçka u bë një vorbull e zezë por plot gëzim e nën këmbët e tyrë kishin mbirë re.

-Mos mi fshih më sytë Lor. Nuk ja dal dot pa to.

Qëndruan të përqafuar, me duart shtrënguar, duke vulosur premtime nën heshtje. Premtime që asnjëri nuk e dinte që një ditë do peshonin mbi supe më shumë se ç'mund të mbanin.

Shtrëngatë Resh |✔|Where stories live. Discover now