79.

427 27 2
                                    

Pas disa minutash, të dy u gjendën në kuzhinën e shtëpisë. Ajo çka Megan vuri re, ishte dekori që gjendej në atë kuzhinë. Muri i kuzhinës kishte një ngjyrë të verdhë në portokalli. Rrethohej i gjithi nga një bufé e madhe në ngjyrë qumështi, ndërkohë që poshtë rafteve të sipërm gjendeshin raftet e poshtëm të bufesë, të cilët i bashkonte një pllakë e madhe mermeri përsipër, në ngjyrë të bardhë me pika të zeza, bashkë me frigoriferin e madh, ky i fundit diku i futur në një pjesë të bufesë. Kishte enë kuzhine të varura në disa pjesë metalike që ishin ndërtuar enkas për to, me qëllim kryesor dekorin gastronomik. Gjendej edhe një banak i madh i ndërtuar me të njëjtat materiale përbërëse si të bufesë, dhe me të njëjtën ngjyrë, në të cilin ndodhej edhe lavamani i madh me dy pjesë. Pak më tutje, në njërën anë ku përfundonte bufeja, gjendej një mini-kantinë në formë rafti, i mbushur kryesisht me pije alkoolike të forta dhe të lehta. Dhe sigurisht, atij rafti pijesh nuk mund t'i mungonin verërat, një pjesë e së cilave përdoreshin për gatim.

Njerëz që hynin e dilnin nga ajo kuzhinë, diçka tjetër që Megan vuri re. Kishte një mur që ndante kuzhinën me pjesën e dhomës së ngrënies në të cilën gjendej një hapësirë në formë dere që lejonte hyrjen dhe daljen lirshëm nga pjesa e dhomës drejt asaj të gatimit dhe anasjelltas. Një dhomë ngrënieje tipike e cila përdorej kryesisht nga shërbyesit, rojet dhe truprojat gjatë orarit të tyre të ngrënies.
-Ku ngeli ajo pjatë? Maria, të lutem përgatite shpejt atë pjatë sepse po më grin uria, - u dëgjua zëri i njërit prej truprojave, i cili në atë orë e kishte pushim.
-Ta sjell unë menjëherë, - u dëgjua zëri i një gruaje.

Flavio buzëqeshi sapo vështroi atë grua të cilën truproja i kish përmendur emrin.
-Jepi Maria, vrapo se e le çunin pa ngrënë, - thirri Flavio me një humor entuziast.
E shkreta grua, u tremb për pak, aq sa u hodh përpjetë.
-Flavio mor dreq! Më trembe, desh më zuri zemra. Nuk e dija që ishe këtu. Mendova se tani që u ktheve në shtëpi do të gjendeshe në zyrën tënde.
Flavio vazhdonte të buzëqeshte me entuziazmin e vetë.
-Epo... si mund të mbyllesha gjithë ditën në zyrën time pa takuar më parë Marian, këtë grua të mrekullueshme që mban një shtëpi të tërë në këmbë? Falenderoj Zotin që në këtë shtëpi ekziston një grua si ti. Më vjen inat që nuk je gjyshja ime. Sepse po të ishe gjyshja ime, do të thoja që je gjyshja më e mirë në të gjithë planetin.
Gruaja e pa me një vështrim ironik.
-Më plake para kohe mor bir. Pse, si gjyshe të dukem unë?
-Po tani... në moshën e gjyshes je. Të pesëdhjetat i ke kaluar me kohë.
-Hëh, nuk plakem unë mor bir. Kjo grua që ti i thua gjyshe është kockë e fortë, dhe kështu do të jetë deri kur të bashkohet me Perëndinë atje lart.

Mesatarisht e madhe në moshë, Maria kishte pamjen e një gruaje që të bënte për vete me karakterin e saj. Nuk ishte më e gjatë se 160 centimetra. Gjithmonë mbante të veshur fustane që i përshtateshin moshës së saj, dhe në kuzhinë nuk e gjeje asnjëherë pa një përparëse të bardhë në brez. Në flokët e saj të kafenjtë kishte tek-tuk disa thinja, por jo aq sa ta bënin atë grua të dukej tepër e plakur. Ishte grua që nuk plakej aq lehtë, një prej atyre grave të rralla që e shihje të ruante në fytyrë atë buzëqeshje prej njeriu të mirë. Maria kishte punuar në atë shtëpi për më shumë se 20 vite, që prej kohës kur prindërit e Flavios jetonin aty. Ishte kujdesur për atë djalë qëkur ai lindi, por Flavio nuk e ka konsideruar thjesht si një shërbyese apo si një dado. Më shumë se sa thjesht një grua që i kish shërbyer një shtëpie të tërë për vite me radhë, Flavio e konsideronte Marian si pjesë të pazëvendësueshme të familjes, pa të cilën nuk do të mundej të ishte ky që është sot.

-Maria, a janë përgatitur ushqimet që të pororsita të gatuheshin pak para ardhjes sime në shtëpi? - e pyeti Flavio.
-Po mor bir, të gjitha gati janë. Nuk kam lënë asgjë mangët. Vetëm se duhet të presësh pak sa t'i çoj pjatën djalit, se ka 20 minuta që po pret të hajë i shkreti. Nuk duron dot më shumë, - u përgjigj Maria duke lëvizur duart teksa po i shpjegohej Flavios.
Pasi Maria mori pjatën për t'ia çuar truprojës, Flavio u kthye nga Megan.
-Ok, më prit këtu në kuzhinë, sepse nuk vonohem, - tha ai, dhe u largua për pak.
Kështu, Megan ngeli vetëm për pak sekonda në gjithë atë kuzhinë të madhe.

Haters - Lovers (Shqip)Where stories live. Discover now