Dukej se ai nuk mund të hiqte dorë nga ajo lojë fjalësh që sapo kish nisur me të.
-Gjithsesi... je e mirëpritur të vish në dhomën time sa herë të duash... dhe në çdo orë të duash. Fundja... je e vetmja femër që do e pranoja me gjithë dëshirën time ta kisha brenda asaj dhome...
Ngadalë u kthye e gjitha me fytyrë nga ai, dhe e vështroi me një shikim joshës.
-Çfarë do të ndodhë nëse vij atje?
-Këtë duhet ta zbulosh vetë... Meg. Mjafton që ti të vish. Pastaj... një Zot e di... se çfarë mund të ndodhë... mes nesh... në atë dhomë. Këtu jemi në territorin tim... dhe këtu bëhet ajo që them unë. Kështu që... do apo nuk do... një ditë do të të duhet të bësh ekzaktësisht çfarë të them unë të bësh.
-Uh... që tani po më fut frikën... zoti Fernandez.
-Thjesht po ta bëj të qartë se çfarë të pret që sot e tutje.
-Pra... ky ishte plani yt? Të më merrje këtu që unë të mos kisha asnjë mundësi të shpëtoja prej teje? Sepse këtu çdo gjë kontrollohet nga ti?
-Ndoshta.
-Hmm... atëherë... më duhet të të them se... je ti ai që duhet të frikësohesh. Megani që ke njohur deri më sot... nuk është ajo që duket... - i pëshpëriti ato fjalë mbi buzët e tij.

U shkëput prej tij dhe shkoi drejt derës së dhomës, duke e parë në sy.
-Atëherë, do më prezantosh me pjesën tjetër të shtëpisë?

***

Pasi i tregoi pjesën më të madhe të shtëpisë së tij, u gjendën të dy përballë një tjetër dere. Flavio e hapi dhe të dy hynë brenda. Ambienti kishte një pamje pak më ndryshe. Muret e asaj dhome ishin të lyer në një gri të lehtë. Në njërën anë të murit, në të djathtën e hyrjes në derë, gjendej një tavolinë e madhe pune në ngjyrë kafe në të zezë, një karrige tipike zyre në ngjyrë të zezë, dhe dy kolltukë të errët në anën tjetër të tavolinës së punës, përballë karriges. Në murin përballë me tavolinën, në të majtë, ishte një raft i madh në të njëjtën ngjyrë si e tavolinës, i mbushur plot me libra, me dosje të mëdha pune dhe me dokumenta e fletë të bardha. Një dritare e madhe gjendej midis këtyre dy mureve, në murin përballë derës. Pranë dritares gjendej edhe një tjetër tavolinë më e vogël bashkë me dy karrige të tjera, ku mbi të ndodhej një lojë shahu, gurët e së cilës shkëlqenin nga ngjyra e argjendit në të cilin ishin të lyer. Në disa pjesë të asaj dhome, kishte disa vazo të bardha dhe të zeza, me bimë të mëdha e të gjelbra. Kjo dhomë ishte zyra personale e punës në shtëpinë e Flavios.

Teksa hynë të dy brenda, Megan vuri re edhe një tjetër raft më të vogël të vendosur në mur. Në të kishte disa çertifikata, dhe disa trofe në ngjyrë të artë. Ky raft gjendej në murin pas karriges së tavolinës së punës.
-Mesa duket, ti nuk merresh vetëm me punët e zyrës, apo jo? Çertifikatat dhe trofetë e tua e vërtetojnë këtë më së miri, - tha ajo.
-Epo... kam edhe unë mënyrat e mija të argëtimit. Nëse zbuloj se është duke u organizuar diçka që më tërheq, atëherë marr pjesë në të, dhe synoj të fitoj, - u përgjigj ai, teksa shkoi të ulej në karrigen e zyrës.
-E shoh... je vërtet i suksesshëm thuajse në çdo gjë të mundshme, - buzëqeshi Megan.
Flavio i ktheu një buzëqeshje mbrapsht.
-Atëherë... a mund të ulesh për pak minuta në njërin nga kolltukët e kësaj tavoline? Duhet të të sqaroj diçka.

Pa hezituar më tepër, Megan bëri çfarë i tha Flavio. Në atë moment, Flavio hapi njërën prej dosjeve që gjendeshin në tavolinën e tij dhe nxori një dokument prej saj, të cilin ia drejtoi Meganit.
-Më duhet firma jote në atë dokument.
Megan e mori atë dokument në dorë.
-Për çfarë shërben ky dokument?
-Dokumenti vërteton se ti je e punësuar nga unë si sekretare për një afat kohor të caktuar. Ndërsa firma jote vërteton se ky dokument është i vlefshëm për sa kohë që ti punon për mua. Përveç firmës tënde, në dokument gjendet edhe firma ime.
-Prit një minutë. A... nuk të duhet edhe CV-ja ime e punës? - e pyeti Megan, konfuze.
-E kam CV-në tënde të punës, - përgjigja e Flavios e bëri atë vajzë më konfuze.
-Por... unë nuk mbaj mend të ta kem dhënë me duart e mija.
-E zgjidha vetë këtë punë, nuk ishte e nevojshme të shqetësoheshe shumë. Atë darkë që më gjete në zyrën e Ledrit atje në lokal, pak para se të vije atje, isha duke kërkuar dosjen ku gjendej CV-ja jote e punës. I hodha një sy të shpejtë, dhe... gjithçka që gjeta në atë CV përshtatej me këtë punë. Kështu, vendosa ta printoja edhe një tjetër CV tënden që ta kisha për vete. Aleks u kujdes më vonë që ta vendoste atë CV në këtë dosje. Pra... jemi në rregull, - buzëqeshi ai.

Haters - Lovers (Shqip)Where stories live. Discover now