Melodi errësire

42 22 4
                                    

XII

Pavarësisht përpjekjeve për të fjetur sadopak, e ndieja që ishte e pamundur. Mundohesha të imagjinoja jetën para se të ndodhnin të gjitha këto; a kishte patur nonjëherë Roçesteri rrugë të sigurta? A kishte patur ndonjëherë paqe për fëmijët e vegjël dhe prindërit e tyre? A kishte filluar e gjitha vetëm dy javë më parë, apo kishte shekuj, përjetësi që ndodhte? Dukej sikur kjo e fundit kishte më tepër kuptim. Qetësia e plotë që e kishte pushtuar dhomën ishte katrahura më e zhurmshme që kisha përjetuar ndonjëherë. Në kokën time çdo mendim gumëzhinte, luftonte, çirrej e përpëlitej për të dalë mbi të tjerët, duke përmbysur e ringritur vazhdimisht mendjen time. Sytë i kisha mbyllur, por ndihesha sikur po shikoja çdo gjë nga e para. Sërish, vazhdimisht dhe pa më lënë kurrë në një çast qetësie. Ato momente më sulmonin sërish e përherë e më fuqishëm se hera e kaluar, duke më kthyer në një qenie njerëzore përherë e më të dobët.

Ajo melodi e mallkuar saksofoni nuk më linte të qetë, por kësaj rradhe më përpinte me zhurmën e dhimbshme që kalonte dhunshëm në mendjen dhe veshët e mi. Kësaj rradhe, ndihej më e vërtetë se kurrë; aq e vërtetë sa më përshkonte gjithë trupin duke më lënë mornica dhe ethe të ftohta nëpër të. Frika më bllokoi papritur çdo qelizë të trupit, duke ma bërë të pamundur të veproja kundër asaj marrëzie që po më çmendte dhe po më vriste ngadalë. Arrija të ndieja çdo notë, dhe çdo notë të asaj melodie errësire e njihja shumë mirë. Çdo tingull i çjerrë dhe therës kishte pushtuar pjesët e mia më të dobëta, duke më lënë të pafuqishme dhe të humbur para sulmit vrastar të tyre. Në çastin që rifitova kontrollin mbi veten time, brofa më këmbë e tmerruar.

Duhet ta kisha menduar më parë. Ajo melodi që ndihej aq e vërtetë, duhet të ishte e tillë. Dola me nxitim nga dhoma dhe ndeza dritën. Melodia e saksofonit nuk ndihej më. Duke gulçuar në përpjekje për të rregulluar frymëmarrjen, hodha sytë anëembanë në krëkim të diçkaje, që nuk e dija se çfarë. Në dhomën e vogël çdo gjë kishte mbetur po njësoj: divanët e vegjël në ngjyrë kafe, perdet bezhë, filxhanët e çajit të vendosur me rregull në anën e kuzhinës, rafti i vogël me libra, çdo libër në vendin e tij, delja prej pellushi dhe gjithçka tjetër ishte po aty. Kërkova në çdo cep të shtëpisë. Asgjë nuk kishte ndryshuar, çdo gjë ishte në vendin e vet, por Izi ishte zhdukur.

Mu desh një çast ta konceptoja atë fakt. Kontrollova sërish, për herë të dytë, për herë të tretë, nisa të bëj rrëmujë e të shkatërroja gjithçka, por Izi nuk ishte asgjëkundi. Izi ishte zhdukur, sado të përpiqesha ta mohoja. Fillova të kërkoj rreth e rrotull për celularin tim. Nuk dija ç'të bëja, por duhet të bëja diçka. Çfarëdo të kishte qenë gjëja që kërkoja të shihja kur ndeza dritën, nuk ishte zhdukja pa asnjë gjurmë e shoqes sime më të mirë. I pari që më erdhi në mendje të telefonoja ishte Hedeni. Nuk e dija se si, por ai ishte i vetmi që mund të më ndihmonte. Hedeni nuk përgjigjej, dhe pas kushedi se sa përpjekjesh u kujtova se ai ndodhej në burg. E gjitha për fajin tim. Tashmë pranë meje nuk ndodhej askush. Në momentet kur mendoja se nuk kishte si të bëhej më keq, jeta më përplaste me mundësitë e pafundme që ekzistonin. Nuk mund t'i njoftoja prindërit. Ata do t'i kaplonte paniku dhe do të lajmëronin menjëherë policinë. Nëse melodia që kisha dëgjuar ishte e vërtetë, ajo ishte zhdukur shumë pak kohë më parë, së bashku me Izin. Kjo do të thoshte se Izi ishte afër. Nëse ajo ishte mirë dhe ende gjallë, kisha ende kohë për ta shpëtuar. Në atë moment nuk mendoja dot për rrezikun. E vetmja gjë që doja ishte të gjeja Izin. Nuk doja ta pranoja, por ishte duke ndodhur. Diçka i kishte ndodhur shoqes sime më të mirë. Frika dhe makthi im më i madh ishte bërë realitet, shumë pak metra larg meje.

Kisha shumë pak kohë. Mora celularin dhe dola menjëherë nga shtëpia, por u përballa me errësirën që kishte kapluar natën. Nuk e dija sa kishte shkuar ora, por duhet të kishte kaluar mesnata. Vrapova disa herë rreth e rrotull, me shpresën se do të gjeja diçka, ndonjë gjurmë a ndonjë shenjë që të më tregonte se ku ishte Izi. Për herë të parë, po shpresoja si asnjëherë që ta dëgjoja sërish atë melodi saksofoni. Ishte e vetmja gjë që dija, e vetmja gjurmë që mund të më çonte diku. Ndërkohë, diku tutje, pikasa një dritë të zbehtë. Dukej se ishte larg meje, aq larg sa nuk mund të dalloja asgjë, por më dha shpresë. Ndoshta do të ishte një elektrik dore. Ndoshta dikush ishte atje.

Melodi errësireWhere stories live. Discover now