𖥸XIII

109 23 32
                                    

Nuk mund ta besoja. Ajo kishte arritur të na fuste në kurthet e saj sërish. A të ishte kështu? Mos vallë kishte falsifikuar takimin që ndoqa për të më larguar nga spitali? Ishte aq dinake sa nuk e kisha të sigurt nëse do të vepronte ndryshe atje. Duke njohur naivitetin e Roit, ose do të bëjë që ai dhe plani ynë të dalë sheshit, ose do ta bëjë ta kuptojë situatën në tjetër mënyrë. Ndaj s'më mbetej zgjidhje tjetër veçse të gjeja si do të arrija në spitalin e Klaipedas sa më parë. Pavarësisht kësaj, kuptova se do të humbisja një pjesë të mirë të shfaqjes, kur Roi përmendi që ajo kishte shkuar tashmë.

-Svajone? - ngriti zërin sërish për të më sjellë në vete. -Gjithçka në rregull?

-Jo Roi, asgjë nuk është në rregull. Thjesht bëj të sigurt që të mbash mend gjithçka që ajo do të përmendë. Më duhet ta mbyll. Duhet të largohem prej këtush sa më shpejt. Shpresoj të mos jetë shumë vonë, - paskëtaj futa telefonin në xhepin e gjerë të pantallonave dhe nisa të kërkoj me sy ndonjë automjet që të mund të bënte të mundur mbërritjen time në Klaipeda. Më në fund, më zë syri një taksi të vjetër që mbaj mend ta kem parë rrotull në qytet dhe po shpresoja që të mos kishte dalë akoma jashtë përdorimit.

-Më falni, - iu drejtova shoferit plak që mund të kishte mbi dy orë në gjumë të thellë. -A mund të më shoqëroni deri tek spitali i Klaipedës? - ai thjesht më hodhi një shikim zhgënjyes që më në fund kishte një klient, por kishte ardhur në momentin e gabuar, sa kishte filluar të merrte një sy gjumë. Më tha një "hip" të thatë para se të dëgjohej zhurma acaruese e motorit të vjetër të makinës.

Nuk e dija se çfarë po ndodhte me Roin, por po lutesha që të kishte marrë vesh diçka efektive. Nëse dikush do të dëgjonte për bëmat tona, do të mendonin se unë kisha luajtur mendsh që pas vdekjes së tim eti, ndërsa ai ishte i detyruar të qëndronte pranë meje. Këtë të fundit kisha dëgjuar ta përmendnin shpesh, si të ndjenin keqardhje për të.

Mendimet m'u larguan vetëm kur zhurma e padurueshme e taksisë pushoi. Ngrita kokën dhe gjeta veten para spitalit. Isha shumë vonë. Mund të kishin kaluar mjaftueshëm minuta për ta humbur atë çast dhe nuk kisha dyshime mbi këtë. Nëse Niran kishte planifikuar vajtjen time atje, do të kishte llogaritur edhe se sa kohë do të më duhej të kthehesha, për të përfunduar punë sa më shpejt.

Zbrita e lehtësuar që më në fund ndodhesha sërish në Klaipeda, pasi ndihesha më e sigurt në atë vend. Edhe pse po kthehej në një makth të vërtetë për mua, nuk do të preferoja të largohesha, të paktën jo derisa të zbuloja gjithçka. Diçka brenda vetes më thoshte se ajo çka po bëja ishte e tepërt dhe se ishte thjesht një fiksim i momentit, por nuk ndihesha aspak kështu. Sa më shumë kohë të kalonte, aq më e huaj ndihesha mes të tjerëve, mes botës që vazhdonte të kishte një jetë normale, nuk i dihet se deri kur. Nëse ajo dosje kishte lidhje me Teorinë e Fundit, duhet ta shtija në dorë të paktën edhe njëherë.

Nuk isha e sigurt nëse duhet ta telefonoja Roin apo duhet të prisja, pasi do t'i prishja punë nëse ishte afër Niranit. Të paktën, ta linim të mendonte se nuk kishim qenë prezentë në spital.

Jo shumë minuta më pas, ndjej një dorë të më prekë supin prapa, dhe e tmerruar se mund të shihja fytyrën e Niranit nga momenti në moment, hezitova të ktheja kokën.

-Jam unë, - u çlirova kur dëgjova zërin e tij. Më në fund do të kuptoja se çfarë kishte ndodhur. Ndërkohë që të dy filluam të ecnim, ai më shpjegonte.

-Gjithçka ishte një zhgënjim Svajone, - nuk prisja të ishte kjo fjalia me të cilën do të fillonte, por isha kureshtare të dëgjoja me tepër.

-Ç'do të thuash me zhgënjim?

-Nuk arrita të kuptoj asgjë nga ato që ndodhi. Kur Niran po vinte drejt spitalit, arrita të fshihesha pas një korridori që të çonte në tjetër udhë dhomash, dhe prisja që të përfundonte punë tek recepsioni. Por ndryshe nga ç'ishte e planifikuar, hyri në një zyrë të izoluar, si të donte të shmangej nga gjithçka rrotull saj. Ndaj nuk arrita të dëgjoj dhe të shoh asgjë nga ato që tha e bëri brenda saj. Ishte e pamundur, - mund të dalloja qartë atë që ai quajti zhgënjim në fytyrën e tij, sa ende nuk mund ta besoja se menduam se ajo do të zgjidhte të bisedonte diçka të rëndësishme në ambientet e hapura të spitalit. Kjo më shtyu edhe më shumë të mendoja, se takimi që ndoqa unë, ishte i rremë.

-Ajo nuk do të ndalet, apo jo? - iu drejtova me një pyetje retorike, si të mos kisha një tjetër reagim për atë që dëgjova.

-Ndoshta pas kësaj, nuk do të këtë më lëvizje. Dua të them, nëse vërtet ajo dosje përmbante një informacion të rëndësishëm dhe se tashmë ka gjetur një vend ku të qëndrojë, gjithçka mund të harrohet si të mos kishte ndodhur kurrë, - ky mendim nuk më pëlqente aspak. Nëse ata kishin siguruar një vend të mirë për atë dosje, do ta kishim të pamundur ta merrnim sërish.

-E gjitha kjo po më bën të mendoj se faqet e humbura kanë qenë gjithmonë aty. Brenda asaj dosjeje. Ndaj nuk kemi gjetur asnjë shenjë të tyre. Ndoshta as vetë Niran nuk e dinte rëndësinë e saj. Mund të ketë kontrolluar brenda dosjes vetëm pas interesimit që shfaqëm ne për të. Ajo mund të mos i ketë pasur kurrë faqet e grisura të bllokut. Babi mund të ketë kuptuar se një informacion i tillë ishte shumë i rëndësishëm për të qëndruar brenda bllokut të tij të zymtë, duke bërë kështu një ide më të zgjeruar të hedhur në një dosje. Megjithatë, është e qartë se ka dashur që dikush ta dijë rreth teorisë së tij, për sa kohë e kishte lënë atë titull të shkruar mes të tjerave.

-Është më e besueshme nga sa mendojmë ne, - kisha përshtypjen se të dy ishim të lodhur duke ndjekur çdo hap të saj, duke besuar se gjithçka fshihej aty. -Po tani, ç'do të bëjmë? - kësaj pyetjeje i druhesha. Nuk e dija. Kisha menduar se do të arrinim ta merrnim prapë atë dosje të mallkuar dhe gjithë pyetjet në mendjet tona, përfshirë edhe këtë të fundit, do të kishin një përgjigje të mirëfilltë e të përmbledhur.

-Duhet ta marrim atë dosje me patjetër, por ende nuk e kam menduar një mënyrë se si. Mund të ishim kaq afër! Kaq afër asaj që mund të zbulonim, por zgjodhëm të besonim se nuk mund të ishte aq e thjeshtë dhe se gjithçka ishte e komplikuar, - gjithë fajin ia hidhja vetes, pasi edhe ai vetë kishte shprehur një farë vëmendjeje mbi atë dosje në momentin kur e pa.

-Hej, mos e rëndo veten për këtë. Duhet të ketë një mënyrë. Nëse e kishim aq afër dikur, mund ta kemi sërish apo jo? Asgjë nuk është e pamundur, - më kapi dorën si të donte të transmetonte energjinë e tij pozitive tek unë. Asgjë nuk është e pamundur. Sa e vërtetë mund të ishte kjo? Të bënte të mendoje se pavarësisht kohës, gjithçka e kishte një zgjidhje. Por të bënte të mendoje gjithashtu, se gjithçka që më parë na dukej një përrallë, mund të ishte vetë realiteti.

-Ta kam thënë ndonjëherë se e dija që ai po punonte në diçka? Ishte i fokusuar në punë që kur jetonim bashkë, që kur isha thjesht një fëmijë i vogël i pafajshëm, që nuk kuptonte asgjë nga ato që ai mundohej t'i shpjegonte. Kishte vite që punonte mbi ketë teori me sa mund të bëj lidhjen. Vite të tëra pune dhe vras mendjen nëse e përfundoi këtë detyrë të nisur prej kohësh. Shpresoj që t'ia këtë vlejtur, - e kisha përmendur disa herë punën e përkushtuar të tij që para se e gjitha të fillonte të bëhej më konfuze. Gjithçka do të ishte më e lehtë për mua, nëse do të vazhdoja të jetoja në të njëjtën shtëpi si më parë. Edhe pse pjesën më të madhe të jetës sime e kisha kaluar në shtëpinë time aktuale, në atë vend jeta dukej ndryshe. Mbaj mend të mos më jetë shuar kurrë kurioziteti për punën e vërtetë që im atë bënte brenda studios së tij të mbyllur. Ëndërroja ta zbuloja një ditë ose shpresoja dita ditës që ai të vinte pranë meje dhe të fillonte të ma tregonte si një përrallë. Isha pothuajse e sigurt që kjo e fundit do të ishte e preferuara ime.

-Po sikur t'i japim fund të gjithës dhe të shkojmë e të pyesim Niranin ballë për ballë se çfarë po ndodh? - kishte ide shumë kreative, por kisha arritur ta njihja time motër mjaftueshëm për të kuptuar se nuk kishte për të ndodhur në këtë mënyrë.

-Gjithçka që do të na thotë është se nuk ka një përgjigje për këtë dhe se as vetë nuk po e kupton sjelljen tonë. Kemi biseduar disa herë në lidhje me këtë dhe do të dalë gjithmonë në temën se jemi ende të vegjël për të kuptuar.

-Po Kai?

Kaos: Teoria e FunditOù les histoires vivent. Découvrez maintenant