𖥸X

110 26 53
                                    

Filloi të vështronte njëherë Roin dhe njëherë bllokun, si të mos e bënte dot lidhjen midis atyre që ishin duke ndodhur. Nuk i vija faj. Gjithçka po ndodhte aq shpejt sa as vetë nuk e kisha kuptuar se si kishin përfunduar ato fakte në duart tona. Prisja të mos ishte aq e surprizuar, prisja ta kishte lënë vetë atë në sirtarin e zyrës. Do të ishte më e thjeshtë.

Dukej sikur nuk e kishte kuptuar akoma pyetjen, kështu që zgjata dorën për ta marrë nga duart e Roit. E pozicionova para syve të saj, për ta bërë të sigurt që po e shihte.

-E gjetëm në zyrën e babit, - i thashë shkurt. Nëse kishte ndonjë informacion të besueshëm, ishte koha ta tregonte.

-A është ky i tiji? - po e vështronte sikur nuk kishte parë kurrë diçka të atij lloji dhe kjo disi më bëri konfuze. Gjithçka ishte kaq e gënjeshtërt. Çfarë ishte duke ndodhur në të vërtetë?

-Po. Nuk e kishe parë kurrë më parë? - kisha aq shumë pyetje për t'i bërë, sa isha e sigurt që koha nuk do të më mjaftonte për këtë. Roi thjesht po vështronte si të ishte duke shijuar ndonjë skenë filmi mister, ndërkohë që unë vërtet isha duke u ndier si personazhi kryesor i një të tilli.

-Nuk më lejonte kurrë ta shihja nga afër. E kam vënë re kur shkruante, por nuk e kam kuptuar se çfarë. A jeni të sigurt që ishte aty? Kërkova kudo, - për herë të parë nuk i shihja sytë e saj gënjeshtarë. Negativitetin që e kishte pushtuar atë, fillova ta ndjej edhe unë përballë saj. I hodha një shikim Roit pasi ishte personi i cili e gjeti atë.

-Të siguroj për këtë. Isha po kaq i surprizuar kur e gjeta. Dhe gjithçka që po mendoja ishte se si ishte e mundur që nuk e kishe vënë re që qëndronte aty më parë, - sa fillova të shpresoj se do të gjenim përgjigje për pyetjet e ngritura, gjithçka rrëzohej para syve të mi, për të krijuar të reja.

-Kjo është e pamundur, - la karrigen në të cilën ishe ulur, duke filluar të ecte sa andej-këndej dhomës së ngushtë. As ajo nuk po e përballonte mirë një gjë të këtillë. -Blloku nuk ishte aty. Jam e sigurt për këtë. Nuk do ta kisha lënë asnjë sekondë më shumë në atë vend, - mundohej të gjente diçka që mund të bënte sens, por sado, e kishte të vështirë.

-Përtej kësaj, - nuk mund të harroja diçka që më kishte tronditur më shumë, -Pse nuk kishe shkuar më parë në spital për të marrë sendet e tij? - mund të dukej e pafajshme në një anë të saj, por nuk do ta rëndoja më shumë veten kur mund të merrja disa përgjigje.

-Nuk më interesonte për to, - m'u drejtua si të kisha bërë gabim që e kisha pyetur, por menjëherë pas kësaj e kuptoi se kishte gabuar, ndaj mori frymë dhe u kthye sërish. -Dëgjoni, në fillim, nuk mendoja se ekzistonte një mundësi e dytë për vdekjen e tij. Munda thjesht ta pranoj ashtu si ndodhi. Sepse ishte e pavlerë të kërkoja për një person që kishte ikur.

Të besoja do ta quaja veten naive dhe nëse jo, do ta quaja të pabindur. M'u duk e pakuptimtë si gjithçka tjetër që po fillonte t'i përshtatej asaj atmosfere drithëruese me të cilën po familjarizohesha pak nga pak, por më shpejt seç e kisha imagjinuar.

Hapa bllokun në faqen e fundit në të cilën shënonte ajo që nuk kishte kuptim. Ia drejtova për t'ia bërë më të qartë se çfarë ishim duke kërkuar dhe se ishte koha t'i jepnim fund paqartësive nëse dëshironim ta përfundonim këtë kapitull.

-A e ke dëgjuar të flasë për diçka si kjo? - Roi dukej i entuziazmuar kur pa se si ia shpreha qartë problemin që po na shqetësonte aq shumë.

-Jo. Me shumë mundësi është një nga punët e tij të zakonshme, - mënyra se si nuk i jepte rëndësi asgjëje më bënte t'i shfryja gjithë inatin që po ziente brenda meje.

-Të duket punë e zakonshme të shkruash gjithë teoritë e hedhura mbi vdekjen dhe më pas të shpikësh tënden? Të duket normale kjo? Apo mos vallë kishte pasion vdekjen? - ndjeva dorën e Roit të prekte timen duke u munduar të më qetësonte disi, por asgjë nuk po më mbante përbrenda.

-Nuk e thashë një gjë të tillë! Ai ishte një njeri i çuditshëm. Të gjithë e dimë këtë. Ndoshta po mundohej të na paralajmëronte për diçka, - ngriti zërin si të ishte duke më imituar mua.

-Pikërisht për këtë jam duke folur! Për çfarë na ka paralajmëruar? Dhe nëse ka dashur të na tregojë diçka, përse do ta bënte në këtë mënyrë? Nëse nuk kishte guxim mjaftueshëm për të na i thënë ballëpërballë, të paktën të na kishte lënë diçka më të qartë. Përse duhet të kërkojmë kaq shumë? - e kisha të vështirë t'i përmbahesha vetes dhe mendimeve të mia në një situatë të tillë, në të cilën nuk po mundohesha të përmirësohesha ndopak.

-Svajone, qetësohu! - po mundohej të më përmbante. Më njihte mirë. Nëse vazhdoja me atë ritëm nuk do të rreshtja kurrë se shtuari shkaqe që mund të më çonin drejt një rruge pa kthim. Kishte ndodhur disa herë, dhe ndoshta nuk do të isha e aftë mjaftueshëm për ta përballuar këtë herë. Nëse nuk do të ishte për Roin, nuk do të qëndroja pranë saj as një sekondë më shumë. -Qetësohuni! Kjo nuk do të na çojë gjëkundi. Vetëm do të përkeqësohet. Jemi këtu për të njëjtin qëllim, apo jo? Përse duhet t'i mbajmë të fshehta njëri-tjetrit kur mund ta ndihmojmë?

-Sepse asaj nuk i intereson Roi. Nuk ka pse t'i interesojë në fakt. Nuk është fundi i botës. Ajo dëshiron të vazhdojë jetën e saj perfekte me qenien e saj të adhurueshme. Nuk ka asgjë që mund ta pengojë! - po ndjeja trupin të më dridhej ndërkohë që isha pranë tij. As vetë nuk po e kuptoja se si kisha përfunduar në atë mënyrë brenda disa minutave.

-Ndoshta duhet t'i anashkaloni takimet me mua nëse doni të ndiheni më mirë, - më pa sërish si t'i vinte keq për mua, çka më acaroi akoma më shumë kur u ngrit për t'u larguar në dhomën tjetër, me qetësinë më të madhe.

-Niran, të lutem! - ishte i vetmi që po mundohej të përmbahej në një bisedë të tillë, në të cilën përveçse nuk u mor vesh asgjë e nevojshme, përkeqësoi rrugën e vetme drejt fundit. -Nuk mund të vazhdojmë kështu. A nuk ishe ti ajo që na flisje për pjekurinë? Nëse vërtet mendon se je e aftë mjaftueshëm, nuk duhet t'ia mbathësh në këtë mënyrë. Ju jeni motra, apo jo? A nuk duhet të ishit duke e ndihmuar njëra-tjetrën? - fjalët e tij nuk do të ndryshonin asgjë, dhe ai e dinte shumë mirë këtë, por nuk kishte zgjidhje tjetër. E kuptoja shumë mirë kur mendonte se duhet t'i mbanin të gjalla lidhjet me Niranin për sa kohë donim të zbulonim më shumë. Në të kundërt, do të na hapte shumë probleme.

Ajo nuk i ktheu përgjigje. Pritej. Ishte lloji i personit që sado i matur të ishte, sillej sikur gjithçka ishte në dorën e saj dhe se në një mënyrë a në një tjetër do të ishim sërish ne ata që do të kërkonim ndihmë nga ajo. Dhe kishte të drejtë për këtë deri diku. Por duhet ta dinte, se nëse nuk bëhej fjalë për tim atë, nuk do të më shihte kurrë përballë, e jo më të më dëgjonte teksa fliste me të. Vetëm mënyra se si më qortonte me vështrimin e saj më acaronte tejmase. Isha e sigurt se gjithmonë kur më shikonte, mendonte se sa e pafat ishte mamaja ime që i duhej të rriste një fëmijë si unë. Sa e pafat isha unë që isha rritur midis tyre?

-Do të kthehemi sërish! - nuk do të doja ta thoshte këtë, por isha e lodhur mjaftueshëm për të kundërshtuar në ato momente. -Shpresoj të mendohesh më gjatë për këtë, - u ngrit, më kapi dorën dhe para se të largohej, ktheu kokën nga kuzhina duke pritur për një përgjigje nga ana e saj. Kur nuk e mori një të tillë, hapi derën dhe hodhi hapat drejt daljes. Pritej.

Si të mos donte të më rëndonte më shumë emocionalisht, nuk më foli ndërkohë që ecnim. Nuk më tha asgjë të vetme, madje as nuk më tha se ishte i zhgënjyer nga ajo që dëgjoi atje brenda, edhe pse e ndjeja që do e bënte këtë. Nëse do të isha ai, do të kisha hequr dorë nga vetja kohë më parë. Gjithçka që i sillja ishte mërzia dhe stresi, dhe nuk e kuptoja se si, por gjente gjithëmonë një mënyrë për t'i kapërcyer.

Qëndroi para stolit në të cilin pushonim gjithmonë. Kur u ul, pesha që varej në dorën time më bëri që të bëja të njëjtën gjë, teksa ai nuk fliste. E shija që diçka e mundonte dhe mundohesha gjithmonë ta kuptoja, por përfundoja duke qenë ajo të cilën ai duhet ta kuptojë.

-Kemi harruar dosjen, - pëshpëriti pa hequr vështrimin që i kishte ngulur një peme.

Kaos: Teoria e FunditOù les histoires vivent. Découvrez maintenant