𖥸V

132 29 51
                                    

Sapo silueta e tij filloi të shfaqej e të afrohej drejt meje, ngrita kokën për ta vërtetuar atë prezencë. Lashë stolin e drunjtë për t'i dhuruar një përqafim, si të kisha ditë që nuk e kisha parë. Gjithçka kishte filluar të rëndohej brenda meje aq shpejt, sa nuk isha e sigurt nëse do të rezistoja në vazhdim. Kjo mbetej për t'u përjetuar.

-Mendova se do të të gjeja sërish duke lexuar, - i buzëqeshi fytyrës sime të ngrysur, që nuk jepte asnjë reagim.

-Kjo që po jetoj është më e pabesueshme se vetë libri, - flisja kokëulur, pa provuar të ndeshesha me vështrimin e tij kërkues. Mundohej gjithmonë të më zgjonte nga bota e zymtë ku jetoja dhe shikoja se si gjithçka e kryer po kthehej në gënjeshtër e fantazëm shumë shpejt. Dhe çka e shqetësonte atë më shumë, ishte se nuk më interesonte aspak. Nuk përpiqesha kurrë ta rregulloja situatën, apo të ndihesha më e lumtur. Thjesht pranoja atë që më sillte jeta.

-Gjithçka në rregull? - më ngriti kokën për të më parë drejtpërdrejt.

-Përveç faktit se po jetoj, po, - qesha me veten kur tregohesha aq mizore me të.

-Më dëgjo këtu! Do të kalojë. E gjitha do të kalojë. Mjafton të presim. Në rregull? Do të presim bashkë. Ti je më e fortë se kaq, të njoh mirë. Por nëse dëshiron të heqim dorë para se të fillojmë, jam më ty. Thjesht më thuaj që s'mund të vazhdosh, - më kapi duart për të më vërtetuar se ishte aty, pranë meje, duke pritur për një tjetër fjalë.

-Jo Ro! Nuk do të rresht së kërkuari derisa ta gjej këtë të vërtetë. Nuk mund ta lë të zhduket si të mos këtë ekzistuar kurrë. Jam apo jo gati për këtë, e vërteta nuk do të presë për t'u shfaqur, kështu që bëj mirë ta zbuloj vetë, - e tërhoqa drejt stolit për të qëndruar ulur para se të perëndonte dielli dhe të na duhej të largoheshim. Do të më pëlqente ta kaloja natën aty, por jo atë ditë. Doja të flija që të mund të kalonte shpejt, pa e ndier lëvizjen e kohës.

-Thjesht dije se çdo vendim që do të marrim, do ta marrim bashkë, - Roi ishte ndër të paktët njerëz që më interesonin. Mundohej gjithmonë të më optimizonte dhe të më bënte të ndihesha më mirë, dhe e arrinte vërtet këtë. Nuk mund të prisja tjetër gjë prej tij dhe e kuptoja shumë mirë pse shqetësohej gjatë gjithë kohës për mua. Herën e parë që më pa, isha gati t'i jepja fund vetes, pasi mora vesh se mami do të krijonte një tjetër familje.

Ishte një e premte në shkollë, dhe mezi po prisja që çdokush të largohej pasi të binte zilja, që të mund t'i jepja fund gjithçkaje që kisha arritur deri atëherë. Isha gati të lëshoja trupin tim drejt tokës, nga dritarja që ma lejonte këtë gjë. Por ndjeva një forcë të më tërhiqte pas brenda klasës dhe kur ktheva kokën, pashë fytyrën e tij të zbehur e të tmerruar nga ajo që mund të dëshmonte në ato momente. Nuk e kisha vënë re prezencën e Roit, sepse përndryshe do të isha hedhur që në momentin që do e shihja. Fillimisht u inatosa aq keq me të, sa fillova t'i thërrisja e tërbuar se pse duhet ta bënte atë gjë, kur as që nuk më njihte se kush isha dhe mund të vendosja për veten time për sa kohë që isha e aftë të merrja një guxim të tillë. Të gjitha nervat m'u shkarkuan në lotë, të cilët nuk i duroja dot, por as nuk mund t'i ndaloja. Ai thjesht u afrua të më përqafonte dhe të më tregonte se gjithçka kishte kaluar.

E bënte shpesh këtë të fundit që nga ajo ditë. Ndaj më thoshte shpesh se çdo hap do ta hidhnim sëbashku.

-A mendon se Nirani na tregoi gjithçka? Dua të them, nuk mund të ketë ndodhur aq papritur, apo jo? Pa lënë asnjë shenjë, asnjë reagim, asnjë planifikim. A nuk mendon edhe ti kështu? - nuk mund ta besoja se mund të na fshihte ndonjë informacion që do të na ndihmonte, pasi tek e fundit, përveçse imi, ishte edhe babai i saj.

-Ekzistojnë shanset, pasi ne nuk e njohim, dhe as që e dimë se çfarë qëllimesh mund të ketë. Por siç edhe ti e përmende, zoti Vladmar ishte edhe babai i saj. Çfarë mund të na fshihte? - teksa fliste shihte qiellin, që sa vjen e errësohej si të mos priste për të nesërmen, ashtu si unë.

-E drejtë! - pohova, ndërkohë që veproja në të njëjtën mënyrë.

Klaipeda, edhe pse një qytet i madh, ishte i qetë dhe relaksues. Ishte vendi perfekt për të jetuar dhe pavarësisht kësaj, nuk isha ndier kurrë sikur kisha fatin të kaloja jetën time aty. Kishte aq shumë elementë të tjerë që e prishnin imazhin e këtij qyteti, sa mbetej në fund të rreshtit si mundësi për t'u menduar. Ndihesha çuditshëm pa asnjë lloj arsyeje konkrete dhe për gjithçka që po ndodhte fajësoja vdekjen e tij. Nuk është se para kësaj të fundit, jetoja në mënyrë perfekte, isha e lumtur apo merresha me aktivitete të ndryshme si çdo bashkëmoshatar i imi. Kërkoja gjithmonë të qëndroja me veten, pasi ndonjëherë as asaj nuk i besoja. Njëkohësisht e urreja të isha e quajtur fëmija dramatik apo e depresionuar, vajza që ka gjithçka por nuk e vlerëson. Janë marrëzi që njerëzit vendosin t'i besojnë. Nëse do ta zgjidhja vetë se si do të jetoja, do të ishte vetëm. Në një shkretëtirë ku të mund të mos dëgjohej asnjë zhurmë e vetme. Por një shkretëtirë pa rërë. Një vend bosh, pa asgjë. Asgjë konkrete. Asnjë vend që aktualisht ekziston në univers.

Ajo natë, m'u duk nata më e gjatë e gjithë jetës sime. Qëndroja gjatë gjithë kohës duke parë nga dritarja se kur do të lindte dielli sërish, kur do të vinte koha që kjo të përfundonte. Por kur fundi të vinte, a do të ishte më e njëjta? Kur gjithçka të jetë zbuluar dhe misteri të ketë marrë fund, a do të jem në gjendje të vazhdoj një jetë normale? A do të jetë ky fund ndryshimi rrënjësisht i asaj që unë përjetoj? Kisha frikë ta prekja fundin. Aq sa dëshiroja. Sepse nuk e njihja atë fund. Përfundimin e rrugëtimit që kisha nisur. A do të më kushtonte kjo? Dhe nëse po, sa do të më duhej të jepja?

Këto mendime vinin rrotull meje si balona me hidrogjen, i cili nuk mbaronte kurrë. Vazhdonin të fluturonin mbi kokën time, dhe në pamundësi për të arritur të paktën një prej tyre, hiqja dorë duke i pranuar ose mohuar të gjitha. Vetëm 2 mundësi ekzistonin. Në gjithçka që ndodh, janë vetëm 2 zgjedhje, 2 opsione të mundshme, mbi të cilat është krijuar jeta. Ose Po ose Jo. Ose Ditë ose Natë. Ose Diell ose Hënë. Gjithçka ishte krijuar mbi 2 këmbë kryesore. Mund të gjeje gjithmonë një të kundërt, një antonim të caktuar që shprehte atë që tjetra nuk e bënte. Sa e pakuptimtë mund të ishte ta mendoje ketë? Ose Paqe ose Luftë. Jetë a Vdekje.

Mbulova trupin me pëlhurën e hollë mbi krevatin tim, dhe mbështeta kokën në jastëk. Gjithçka do të kalonte. Këtë Roi ma thoshte shpesh. Gjithçka e ka një fund, por e rëndësishme është se kur do të vijë një i tillë. Nëse është shumë larg, nuk ia vlen të vazhdosh dhe nëse është shumë afër, nuk ia vlen të nisësh. Paradoksale.

-Nuk më takon ta them, por u çudita kur të pashë këtu, pasi mendova se nuk do të vije kurrë. Pas një kohe aq të gjatë, nuk po të shihja më rrotull dhe mendova se ishit shpërngulur tjetërkund.

Fjalët e saj më kumbonin, e kisha të pamundur të flija. A ishte kaq e dukshme që isha vonë? Dhe a kishte rëndësi kjo? Mendoja të njëjtat gjëra prapë dhe prapë nga fillimi, saqë mbetesha brenda një zinxhiri të pafund, nga i cili nuk do të mund të shkëputesha për sa kohë ishta pjesë e kësaj situate.

Edhe pse më pëlqente vetmia, të qëndroja larg njerëzve që doja nuk më bënte të ndihesha më mirë. Pesha që binte mbi kokën time sa vjen e shtohej, rëndohej, bëhej e papërballueshme dhe megjithatë arrija ta përballoja. Nëse e bëja dot ketë, a mund të quhej e papërballueshme? Disa fjalë thjesht nuk kishin kuptim, sepse për sa kohë ti e shqipton atë, je duke përballuar.

Vendosa të fle. Të mbyllja sytë dhe të lëshoja veten në rrymën e ujit, që të mund të merrte me vete mendimet e mia. Të më lante nga ai makth që kishte pushtuar trupin tim, edhe pse gjithçka nuk kishte nisur ende. Isha kthyer në një njeri të mërzitshëm, që mendonte njëlloj gjatë gjithë kohës. Fliste po njëlloj, vendoste po ashtu, kërkonte por nuk arrinte të gjente kurrë, merrej me veten shumë ose e linte pasdore duke pritur për një mrekulli që të sillte fundin. I urreja ndodhitë pa një fund. Nuk e kisha takuar kurrë një të tillë. Po sikur të jetë më i bukur se fillimi?

Kaos: Teoria e FunditWhere stories live. Discover now