𖥸II

145 31 84
                                    

Më dukej sikur në momentin që preka dorën e saj, gjaku ndaloi së rrjedhuri në trupin tim dhe vizioni filloi të më ngushtohej, duke u mbytur nga një kornizë rrethore që sa vjen e zmadhohej më shumë brenda syve të mi. Ndjeva dorën e Roit të më prekte disa herë për të më sjellë në vete dhe për të më kujtuar se kjo ishte arsyeja pse kisha ardhur në atë vend, ndaj duhet të përballoja realitetin.

-Si kështu? - duhet të isha e përqendruar për të marrë vesh më shumë, por sa më shumë të mendoja, aq më i rëndë bëhej mendimi brenda trurit tim, që në ato momente po fillonte të punonte më ngadalë.

-Para se ai të krijonte një familje ku do të ekzistoje ti, babi kishte marrëdhënie me një tjetër grua, e cila ishte mamaja ime. Më tregonte shpesh se kishin qenë bashkë që në vitet e gjimnazit dhe kishin ëndërruar të krijonin një jetë të tërë, por ata nuk u martuan kurrë dhe mamasë sime iu desh të më rriste e vetme që 20 vjeçe. Kur ju u larguat pas shumë vitesh, ai kërkoi mbështetje nga unë, dhe edhe pse më kishte braktisur kohë më parë, nuk do të veproja njëlloj. U kujdesa për të, dhe nuk e di pse atij iu desh të kryente një akt të tillë, por nuk kam asgjë për të thënë rreth kësaj, - më tregonte teksa unë ende nuk e kisha mbledhur veten plotësisht nga ajo që mësova disa sekonda më parë.

-Mos kishte filluar të sillej çuditshëm më herët? - nuk e kuptoja se ku e gjente guximin Roi të pyeste pa u shqetësuar fare për ato që mund të mësonte. Ndoshta ngaqë nuk ishte pjesë e kësaj në fund të fundit.

-Jo në të vërtetë. Gjithçka shkonte si normalisht, ndaj dhe unë nuk e pata të lehtë të mësohesha me faktin se nuk ishte më. Atë natë kur erdhi nga puna ndihej i trullosur dhe më foli pak. Ndoshta ishte duke kaluar diçka, të cilën nuk e mora vesh kurrë. Ndoshta duhet të kisha kuptuar më shumë, por gjithçka ndodhi aq shpejt, sa nuk pata kohë as të qaja rreth asaj që ndodhi, - ishte momenti kur kuptova se prandaj ai nuk ishte sjellë kurrë i ëmbël me ne. Kishte një tjetër familje. -Nuk më takon ta them, por u çudita kur të pashë këtu, pasi mendova se nuk do të vije kurrë. Pas një kohe aq të gjatë, nuk po të shihja më rrotull dhe mendova se ishit shpërngulur tjetërkund.

E si mund t'i shpjegoja se nuk isha gati për gjithë ato që po ndodhnin? Fakti se përmendi se isha vonuar mjaft për t'u interesuar më inatosi dhe, ashtu siç isha, kapa dorën e Roit dhe u ngrita për të dalë nga ajo shtëpi. Arrita të dalloj fytyrën e tij të befasuar nga ajo që vendosa të bëj dhe e dija që nuk do ta priste mirë, por nuk mund të qëndroja më gjatë, në një vend të tillë. E pranoja apo jo, po më bënte të ndihesha xheloze dhe nuk do të dëgjoja asnjë moment të bukur që mund të kishin kaluar me njëri-tjetrin.

-Ne po largohemi! Shpresoj t'ia kalosh mirë, dhe do të të rekomandoja të lëvizje nga kjo shtëpi. Duhet të mësohesh me faktin që nuk është më, - nuk e dija se pse po e përjetoja aq keq atë moment. Dashuria për tim atë u shua që në momentin kur dola nga ajo shtëpi njëherë e përgjithmonë vite më parë, për të filluar një tjetër jetë.

Pa pritur për një përgjigje apo një reagim të sajin, shpejtova hapat për të dalë sa më shpejt, sepse vërtet po më bënte shumë keq ajo mori e re të vërtetash që erdhën njëherësh.

-Çfarë bëre? - më thërriste teksa mundohej të më ndiqte me hapa më të mëdha.

-Nuk më intereson fare për një person të tillë. Për sa kohë ishte i lumtur pranë vajzës së tij, nuk do të kishte nevojë për tjetër gjë. Pse duhet të shqetësohem për diçka që ka mbaruar? Sido qoftë vdekja e tij, e qëllimshme apo jo, - kisha kohë që mendoja të mësoja më shumë dhe nuk e prisja të reagoja në mënyrë të tillë, por siç dukej, isha afër për të hequr dorë nga e gjitha.

-Mos u bëj patetike! A nuk duhet të gëzohesh për faktin se nuk je vetëm? Ndoshta ajo do të na ndihmojë. Nuk bëmë mirë që u larguam aq papritur dhe ajo që i the në fund nuk ishte aspak e përshtatshme, - ishte e qartë se kisha gabuar, por duhet ta kuptonte se nuk ishte e lehtë.

-Është e padrejtë Roi! Fakti se nuk na ka treguar kurrë për të është e padrejtë! - thërrisja ndërkohë që atij i duhej të përballej me mua dhe ato ndjenja që doja aq shumë t'i shmangia, por nuk po ia dilja mbanë. -Pse është gjithçka kaq e vështirë? - thashë me gjysmë zëri dhe ngrita krahët për ta përqafuar. Vendosa kokën në kraharorin e tij, ndërkohë që mendoja se si do të rregullohej e gjitha kjo. Nëse do të më duhej të mësoja më shumë, do të më duhej të duroja më shumë.

Nuk mora asnjë përgjigje nga ana e tij dhe kjo disi më qetësoi. Thjesht më dëgjonte teksa i tregoja për gjithçka që urreja, se si fajësoja veten për çdo moment që kisha menduar për të dhe se nuk doja të kthehesha kurrë në atë vend.

-Gjithçka do të shkojë mirë, - më ngriti kokën dhe më pa në sy, për të më vërtetuar se do të përpiqej bashkë me mua për më të mirën, -Të kthehemi sa jemi në kohë.

Nuk më tingulloi shumë miqësore kjo e fundit, por isha e pafuqishme për të kundërshtuar, kështu që e ndoqa për tek rrugica sërish. Tashmë që ndihesha edhe më e turpëruar, supozohet t'i kërkoja falje, por nuk ndjeja asgjë brenda meje që të më ndihmonte ta bëja këtë, sepse nuk kisha gisht në asgjë që kishte ndodhur në jetën e tij.

Ajo ishte duke na pritur tek dera, sikur ta dinte se do të ktheheshim menjëherë. Më çudiste se si mundohej të ishte aq e ëmbël me njerëzit, kur një botë si kjo nuk e meritonte diçka të tillë. Pa më folur, më shoqëroi prapë brenda dhe priti derisa të ulesha për të nisur diskutimin.

-Kam qenë edhe unë si ti Svajone. Kur mora vesh se ai kishte krijuar një tjetër familje, gjykoja veten se si nuk kisha arritur të isha mjaftueshëm për të. Ti nuk e zgjedh nëse dëshiron të lindësh. Por njeriu rritet, piqet dhe kupton se nuk është faji i tij apo i dikujt tjetër për ato të cilat jeta ka rezervuar për ne, - teksa fliste vinte rreth e rrotull dhomës duke përfunduar ndonjë punë të vogël të lënë përgjysëm.

Roi më tundi kokën për të më treguar se ma kishte thënë këtë, ndaj duhet të isha më e kujdesshme për ato që do të dëgjoja më pas.

-Erdha të pyes vetëm nëse ke ndonjë informacion rreth vdekjes së tij. Nuk më treguan mjaftueshëm. Duhet të dish diçka më shumë, apo jo? - nëse mendonte se ishte e rritur mjaftueshëm për të kuptuar më shumë, duhet të më tregonte më shumë.

-Të kuptoj shumë mirë e dashur. Edhe unë mundohesha gjithmonë të kuptoja se pse ai u largua prej meje dhe mamasë sime, por nuk gjeta kurrë një arsye. Ndonjëherë nuk ka asnjë fakt të kryer apo diçka që të vërtetojë se pse ka ndodhur në të vërtetë dhe duhet të mësohesh me këtë. Megjithatë, - u ul për ta bërë të ditur se situata ishte mjaft serioze për t'u folur dhe për t'u dëgjuar, -E dija shumë mirë që një ditë do të vije. Kam muaj që pres. Tingullon e çuditshme. Me shumë mundësi je duke menduar se si është e mundur që të njoh kaq mirë. Epo, disa gjëra babi i tregonte hapur. Më fliste shpesh për ty dhe për mënyrën se si nuk ishte hapur kurrë me të. Se si qëndroje e ftohtë gjatë gjithë kohës dhe nuk të interesonte nëse kishte diçka që i shqetësonte prindërit e tu. Dhe ishte pikërisht momenti kur e dija se asnjë nga këto nuk bënin pjesë në realitetin brenda teje. Thellë thellë, të gjithëve na intereson. Thjesht nuk e shprehim këtë. Në mënyrën se si ai u largua, isha e sigurt se do të shpallte kureshtje brenda teje. Nuk mund të them se isha plotësisht e bindur se do të më pyesje rreth kësaj, por kisha shpresa se brenda teje qëndronte një dashuri e madhe për të, - ishte shumë e ëmbël dhe e pafajshme. Trajta e njeriut perfekt e shkrirë në trupin e saj, më bënte të mendoja se bota kishte njerëz të rrallë si ajo.

-Ç'rëndësi ka nëse e doja përbrenda apo jo? - por ëmbëlsia e shumtë nuk më pëlqente. Njerëzit e tillë dukeshin sikur shtireshin gjatë gjithë kohës, dhe për këtë arsye nuk i duroja dot.

-Svajone thjesht dëshiron të dijë nëse mund të na ndihmosh ta gjejmë arsyen që ti nuk e gjete kurrë. Ndoshta fati është më i mëshirshëm me ne, - Roi ishte pikërisht lloji i mirësisë dhe ëmbëlsisë perfekte, e balancuar dhe e frenuar deri diku, që për mua ishte gjithçka që më duhej për të vazhduar.

Kaos: Teoria e FunditWhere stories live. Discover now