-Ti? Më shpëtove mua jetën? Mesa di unë, ti nuk e bën dot diçka të tillë. A nuk del kjo kundër rregullave të universit tuaj "lule mos më prek" ?

-Nuk është rregulli i parë që kam thyer, por, -miratimi ironik që bëri me kokë i la të kuptonte se e kishte parashikuar atë lidhëz, -teknikisht, kjo gjë do ta shpëtojë Kozmosin. Ne kemi nevojë për ty.

-Prit pak, prit, -vuri të dyja duart në kokë. -Në fillim më njihni me fundin tim të caktuar dhe të pandryshueshëm në asnjë lloj mënyre, -theksoi këtë të fundit qëllimisht, -më lini të besoj se s'kam asnjë shpresë për jetën time, më bëni të numëroj ditët një nga një në pritje të vdekjes sime, dhe kur kjo ditë vjen më në fund, vjen motra ime e vogël dhe më thotë se më ka shpëtuar jetën dhe unë në këmbim duhet të shpëtoj Kozmosin sepse Kozmosi u kujtua më në fund që ka nevojë për mua. Kështu?

-Kejli, po tregohesh arrogante. Kozmosi nuk është diçka që iu përket të Dërguarve. Kozmosi është e gjitha kjo, -bëri një gjest me dorë rreth e rrotull sipërfaqes për të krijuar idenë. -Ti, unë, dhe kushdo e çfarëdo tjetër sheh përqark teje, dhe gjëra edhe më të mëdha që ne nuk i shohim dot, janë pjesë e Kozmosit. Kozmosi jemi të gjithë ne, ndaj të gjithë mbajmë përgjegjësi.

-Nuk do të mbaj përgjegjësi për gabimet e tua, motër e vogël, -çdo fjalë që i thoshte e acaronte më tepër, ndaj nuk mund ta lejonte të fliste më tepër.

-Gabimet e gjyshes! -e korrigjoi. Kejli nga ana tjetër hezitoi të fliste; kësaj rradhe dukshëm nuk e kishte parashikuar një gjë të tillë. Leira gjeti rastin për të përfituar nga kjo heshtje.

-Ka diçka rreth të Dërguarve që i lejon ata të marrin vendime apo të bëjnë ndryshime të rëndësishme, e quajtur Dhuntia e Emrit. Është unike, nuk mund të ndalohet apo rikthehet dhe përdoret vetëm një herë të vetme. Dhuntia e gjyshes ishte të vendoste vetë se cila do të ishte pasardhësja e saj.

-Dhe ajo të zgjodhi ty, -plotësoi hidhur. Leira refuzoi ta gëlltiste këtë të vërtetë.

-Bëri zgjedhjen e gabuar. Unë nuk duhet të jem një e Dërguar. Nuk kisha qenë kurrë e denjë për diçka të tillë, aq të lartë për një vajzë që mezi kalon provimet e sezonit. Zgjedhja e saj e solli të gjithë këtë katastrofë. Ty nuk ta merr mendja se çfarë po ndodh atje lart. Por gjithçka është pasojë e veprimit të saj, gabimit të saj.

-Si supozohet ta zgjidh unë këtë? -i urrente fjalët e shumta dhe kërkonte të dinte vetëm përfundimin. Gjëra të tilla si detyrë dhe përgjegjësi i kishte dëgjuar me mijëra herë.

-Si e Dërguar edhe unë kisha mundësinë e përdorimit të Dhuntisë së Emrit. Kisha mundësinë të ndryshoja fatin tim me fatin e dikujt tjetër më të përshtatshëm. Ndaj je ende gjallë, Kejli. Tashmë je ti një e Dërguar, -mimika e saj ndryshoi menjëherë. Nuk ishte e sigurt se çfarë po ndiente, por ishte diçka që nuk donte ta pranonte.

-Ti ke ndryshuar fatin tënd me fatin tim? -Leira pohoi me kokë dhe një buzëqeshje e dhimbshme erdhi nga ana e saj. -Por si ka mundësi? Kjo do të thotë se ti do të...

-Vdes, e di, por mos u shqetëso për këtë. Jeta jote gjithmonë ka patur më tepër kuptim se e imja, gjithsesi.

-Jo, jo, nuk mendoj se po më kupton, -kundërshtoi. -Pas pesë vitesh ti do të vdesësh. Kjo nuk është shaka.

-E di, Kejli, -konfirmoi sërish. -E dija këtë gjë që në fillim. Por unë e vdekur isha edhe kështu. Pastaj, pesë vite nuk janë pak. Janë mjaftueshëm, besoj. S'është se kam patur ndonjë plan për jetën time. Do të vërdallisem duke pritur, -sytë e Kejlit e shihnin fytyrën e saj të imët me keqardhje dhe një ndjenjë të çuditshme faji, edhe pse s'kishte asgjë në dorë.

-Hej, eja pra tani, mos më shiko kështu, -tha kur e vuri re reagimin e saj të heshtur. -Unë vetëm të drejtën tënde të dhashë.

Në momentin në vazhdim pasoi një qetësi që i bëri të dyja të arratiseshin që aty për pak, secila e rrëmbyer nga mendja e vet në shtigje të ndryshme e ndoshta të kundërta. Mund të kishte qenë biseda më e qetë që ato të dyja kishin bërë ndonjëherë, por në brendësi të dyjave iu vlonte një ndjenjë e çuditshme dhe e pashpjegueshme që i digjte pak nga pak çdo sekondë që kalonte.

-Pra gjyshja me të vërtetë më ka urryer kaq shumë? -fliste si të ishte një fakt i kryer që duhet ta kishte pranuar kohë më parë, por një pjesë e saj pati shpresuar ende për diçka ndryshe.

-Gjyshja nuk është më, Kejli, -kishin ndërruar vendet, si të ishin duke u përshtatur dalëngadalë me ndryshimin që solli dhuntia e Leirës. Disa ditë më parë nuk do t'i besohej kurrë se do të vinte shumë shpejt koha kur ajo fjali të dilte nga goja e saj, drejtuar Kejlit. -Tashmë jemi vetëm unë dhe ti. Kam nevojë për ty.

Ajo ngriti sytë dhe njëri cep i buzës u anua pa dashur.

-Faleminderit, Leira.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now