|13|

98 29 44
                                    

-Juno, Rojtare e Ndërveprimit, aty ku edhe ti përket, -përpara saj qëndronte një grua që e vështronte me një shikim të ngrirë me sytë e saj të mëdhenj. Flokët i kishte më të bardhë se lëkura e saj dhe kontrastin më të madh e bënte veshja e zezë. E vështronte ngultazi, si të donte të studionte mirë çdo pjesë të pamjes së saj, sikur të mos e kishte parë asnjëherë më parë. Katër të tjerët qëndronin pas saj; të katërt duke mbajtur të njëjtin qëndrim.

-Morëm vesh se Ceresi është treguar më i shkathët dhe të ka treguar më shumë rreth detyrës që të është ngarkuar si e Dërguar, edhe pse nuk ishte fare puna e tij, -ajo nënqeshi dhe i hodhi sytë si për t'i thënë që e meritonte. -Megjithatë ka shumë gjëra për të cilat ti ende je e paqartë, dhe nuk të vë faj. Këto gjëra mësohen në Ndërveprim.

-Por si fillim, duhet të njihesh me pesë Rojtarët, nuk mendon kështu? Unë jam Koeli, Rojtari i Suksesit. S'kemi të bëjmë shumë bashkë, siç mund ta marrësh me mend, -ajo miratoi në heshtje.

-Kaçurrela të bukura.

-Faleminderit. Janë natyrale.

-Unë jam Vesta, Rojtare e Kurimit, -nuk mund ta vendoste dot nëse i ngjante më tepër me një zanë apo vampir. Kishte sy magjepsës, por flokët e zinj i jepnin një hije që i përngjante shumë me imitimet e vampirëve në filmat që shihte me Deklanin.

-Kiron, Rojtar i Dhimbjes, -tha me një zë të ulët dhe të thellë. Vështroi drejt syve të saj dhe ajo bëri të njëjtën gjë. Dukej sikur të dy arrinin të ndienin energjinë e fortë negative që transmetohej nga njëri-tjetri. Sikur të dy përbëheshin nga e njëjta materie. Ndërkohë që Leirës iu duk e çuditshme, për Kironin kjo ishte diçka tepër normale, duke qenë se e kishte hasur sa e sa herë si Rojtar i Dhimbjes.

-Pse keni të gjithë emra asteroidesh, -tha për t'u shmangur nga ajo situatë e sikletshme.

-Asteroidët kanë emrat tanë, -tha Koeli me një mimikë krenare. -Edhe pse më duhet të them, jam paksa i zhgënjyer që Ceresi është asteroidi më i famshëm. Dua të them, a nuk meritonte emri im diçka më të mirë? Nuk ka si suksesi. Sot të gjithë kanë si prioritet suksesin. Suksesi e çon zhvillimin përpara, dhe ndihmon në ruajtjen e Kozmosit në mënyrë perfekte. Kurse dashuria është thjesht një iluzion i gënjeshtërt që kanë krijuar qeniet njerëzore për të justifikuar mbajtjen pranë vetes së tyre qenie të tjera njerëzore.

-Dashuria është suksesi më i madh, -tha duke buzëqeshur pasi natyrisht në mendjen e saj ishte Deklani.

-Ose dështimi, -hodhi sytë tërthorazi nga Juno, por Leira nuk e kuptoi pse. Ndoshta thjesht e kishte parë gabim. Nuk i kushtoi shumë rëndësi, pasi në çfarëdo lloj konteksti ai nuk kishte të drejtë. Dhe ishte e sigurt për këtë. Gjetja e Deklanit ishte gjëja më e mirë që i kishte ndodhur ndonjëherë.

-Duhet të bësh një zgjedhje, Leira. Mendohu mirë për të gjitha. Mos harro se ti je një e Dërguar, dhe nuk mund të shpëtosh nga kjo përgjegjësi. Ti përket në Ndërveprim dhe unë jam e vetmja që mund të të ndihmoj. Me gjyshen tënde kam qenë e nderuar të punoj. Ishte e zellshme dhe asnjëherë nuk mjaftohej me pak. Punën dhe përkushtimin e saj nuk e kemi parë ndër breza. Ti nuk do të arrish të jesh ndonjëherë si ajo, -hodhi shikimin nga koka te këmbët, -por të paktën përpiqu ta ndjekësh si shembull, -e dinte që gjyshja ishte pika e saj e dobët, çka e bënte njëkohësisht edhe armën më të fortë të Junos. Strategjia e tyre po funksiononte. Nëse çdo gjë shkonte siç duhej, do të kishin Leirën në duart e tyre dhe do të arrinin që në njëfarë mënyre të ndryshonin emrin e të Dërguarës në Librin e Pafund.

Leira nuk do ta kishte menduar kurrë se do të ndodhte diçka e tillë me të, por ajo ditë kishte për ta ndryshuar jetën e saj përfundimisht. Në dilemë nëse duhej ta pranonte ofertën e tyre apo jo, u ndie se nuk i kishin lënë asnjë zgjidhje. Ata kishin të drejtë. E vetme ajo vetëm do t'i bënte gjërat më keq dhe nuk do të mësonte kurrë si t'i vinte në zbatim dhuntitë e saj. Ndoshta gjyshja do të donte të njëjtën gjë për të. Përveç kësaj, të shkonte në Pontius do ta afronte me qëllimin e saj kryesor, rikthimin e gjyshes në jetë dhe zbulimin e Profecisë së Ndaluar. Mori frymë thellë. Gjithmonë e bënte si për ta ndihmuar të fitonte kohë. Ishte e lodhur duke u munduar të zgjidhte gjithçka e vetme. Ndoshta zgjidhja ishte pikërisht para syve të saj. Para se të përgjigjej, i erdhi në mendje Deklani. Ai i kishte thënë disa herë se ajo duhet të përpiqej më shumë të kuptonte se çfarë po ndodhte rreth saj. Kjo e bindi të mendonte se edhe ai do të ishte dakord.

-Do të vij. Por do të më duhet të njoftoj familjen dhe Deklanin, -fytyrat e tyre të vrazhda ndryshuan menjëherë, si të kishin triumfuar mbi diçka që po i luftonte vazhdimisht.

Askush nuk e kuptoi dëshirën e saj të menjëhershme për t'u larguar, përveç Deklanit i cili dyshoi dhe kërkoi të fliste me të. Nuk mund ta linte askund vetëm, ndaj do t'i duhej një shpjegim mjaft i arsyeshëm, gjë që nuk e gjeti në fjalët e Leirës.

-Je e sigurt, -ishte hera e nëntë që i bënte të njëjtën pyetje gjatë asaj bisede. Kishte një parandjenjë se diçka do të shkonte keq, dhe fjalët e Kejlit ia bënin më të fortë këtë ndjesi. E urrente veten për këtë. Asnjëherë nuk kishte dyshuar te Leira, ajo ishte personi i fundit për të cilën do t'i shfaqej qoftë edhe një fije dyshimi. Por nuk ishte çështja te Leira. Çështja ishte se gjithçka tjetër ishte e panjohur për të dy ata. Dhe askujt nuk ia merrte mendja se çfarë ndryshimi do të sillte e gjitha kjo në jetën e tyre.

-Nuk kam zgjidhje tjetër Deklan, të thashë, -u përgjigj sërish. -As unë nuk dua të qëndroj larg teje, më beso. Por s'do të zgjasë shumë. Tek e fundit, puna ime si e Dërguar zbatohet këtu në Tokë. Do të kthehem shpejt.

-Leira, po sikur unë të vij me ty? Nuk dua të të lë vetëm, -ajo i shtrëngoi dorën duke mos e lënë të fliste më tepër.

-E pamundur. Nuk dua të të vë në rrezik, -tha e bindur. -Nuk i dihet ç'ndodh Deklan. Ti duhet të rrish këtu, -hodhi sytë në të djathtë. E ëma me ngadalë paloste disa nga bluzat e saj dhe i fuste në valixhe. Nuk e merrte me mend se për një udhëtim të tillë nuk do t'i duhej një valixhe. Nuk kishte si ta dinte. Nuk dinte asgjë. U ndje fajtore kur i pa të gjithë rreth saj në atë gjendje. Ndihej sikur gjithçka që bënte ishte të lëndonte njerëzit që donte. Por nuk mund të bënte dot gjë, veçse të përballej me vështrimet e të gjithëve që i nguleshin si thika për t'i lënë pas shpine plagën e fajit.

Deklani zgjodhi të mos fliste më. Ndoshta kishte folur më tepër sesa duhej. Pjesën e mbetur të mendimeve do t'i mbante për vete. Do të përpiqej të zgjidhte se cilat ia vlenin të mendoheshin më shumë, e cilat duhet të zhdukeshin nga mendja e tij. Mbase Leira kishte të drejtë. Ata duhet të tregoheshin të duruar. Përveç kësaj, ishte ai i cili e kishte nxitur Leirën të mësonte më tepër rreth vetes. Nuk mund t'ia privonte tashmë këtë mundësi.

-Unë jam gjithmonë me ty Leira. Dhe gjithmonë do të jem. Të dua shumë! -i mënjanoi flokët dhe e puthi në ballë.

-Edhe unë të dua shumë Deklan. Mos u shqetëso. Nuk ka asgjë që mund të më ndajë prej teje, -tha si ta kishte ditur fare mirë se çfarë mendimesh po e gërryenin. Ai buzëqeshi sinqertë. Do ta merrte malli për fytyrën e saj, sadopak të qëndronin larg njëri-tjetrit.

U largua pa e kthyer kokën pas, sepse e dinte fare mirë që nëse do ta bënte, do të vraponte si e çmendur për ta përqafuar edhe njëherë, dhe nuk do të kishte guximin më të largohej nga ai përqafim. Po largohej, por po linte atje një pjesë të sajën. Pavarësisht se fati i saj e tregonte mjaft qartë se ajo ishte e destinuar të ishte e Dërguar, ajo asnjëherë nuk ishte ndier sikur përkiste aty. Për më tepër, ndihej sikur po tregohej e padrejtë me Deklanin. Çfarë askush nuk i tregoi njëri-tjetrit, ishte se të dy kishin parandjenja të këqija. Nëse Deklanit nuk i hiqeshin nga mendja fjalët e Kejlit, Leira nuk ndalonte dot së menduari për ato që i tha Ceresi. Po sikur më e keqja e mundshme të kishte lidhje me Deklanin?

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now