|12|

104 30 51
                                    

Ecte me qëllim në atë mënyrë, që të mund të shkelte me këpucë çdo gjethe të thatë që kishte rënë në asfalt. Mezi e priste atë periudhë të vitit që të mund të luante në atë mënyrë me gjërat e vogla që natyra i falte gabimisht. Deklani e shihte me admirim dhe qeshte me veprimet e saj. Ndihej mirë që e shihte në atë gjendje pas aq shumë kohësh. Ishte Leira që ai njihte. Ishte një shpirt i lirë që kënaqej me gjërat më të vogla. Dhe sërish, ishte shumë e vështirë për të të gjente ato gjëra të vogla që i falnin sadopak kënaqësi. Dhe kurdoherë që i gjente, nuk donte të largohej nga ato.

-Siç të thashë Deklan, nuk më pëlqen aspak të pres kot së koti kur asnjëri nga ata nuk më shpjegon asgjë. Tashmë është koha të zbuloj vetë për veten. Duhet të mësoj se çfarë jam e aftë të bëj, dhe e vetmja mënyrë është t'i rikthehem jetës sime. Duke qenë se jam e Dërguar nga Ndërveprimi, do të më duhet të kem të bëj me disa njerëz më shumë se ti, -ai rrudhi fytyrën duke u shtirur si i bezdisur nga kjo gjë dhe ajo qeshi. -Ndaj mendoj se mjaftueshëm leksione kam humbur. Është koha t'i rikthehem universitetit. E urrej, -psherëtiu kur kujtoi se me sa shumë gjëra lidhej ajo fjalë. -Gjithsesi, pasi të kuptoj më mirë se çfarë jam, do të përdor ç'të mundem për të mësuar se çfarë është Profecia e Ndaluar. Pas kësaj, do të prek tulipanin që ndodhej në rregullatori i Dashurisë dhe do të rikthej gjyshen në jetë. Gjithçka do të shkojë në vendin e vet. A nuk është e mrekullueshme Deklan? -u kthye drejt tij entuziaste, por ai u duk më i përmbajtur.

-Nuk e di. Po sikur kjo t'i bëjë gjërat më keq? Dua të them, ky ligji, Pontiusi, Rojtarët, çfarëdo tjetër janë krijuar nga qenie shumë më të zgjuara se ne Leira. Po sikur plani yt të shkatërrojë gjithçka dhe të sjellë ndonjë apokalips apo ku ta di unë? Ndoshta duhet t'i lësh gjërat siç janë, -ajo shkëputi duart prej tij.

-Nuk më intereson, Deklan. Nuk mendoj se është kaq tragjike. Edhe sikur të jetë, dua ta shoh edhe njëherë atë. Sikur të më kushtojë gjithçka. Ti je me mua, apo jo? -i kujtoi.

-Gjithmonë, -i puthi lehtë buzët e thata dhe i përkëdheli flokët që i binin përpara syve ngjyrë karamel. Por diçka e mundonte dhe nuk e linte të qetë. Diçka që Leirës nuk guxonte t'ia thoshte. Diçka rreth Profecisë së Ndaluar. Bluante në mendje shumë mendime, e asnjëri me një përfundim të caktuar. Nuk mund të mos mendonte rreth fjalëve të Kejlit, pavarësisht se sa të pakuptimta i qenë dikur në fillim.

-Leira, e gjitha kjo që po ndodh nuk do të na ndajë ne, apo jo? -vendosi t'i thoshte.

-Ti nuk do reshtësh kurrë së bëri pyetje idiote,- tha ajo duke qeshur. -Asnjëherë. Asgjë nuk do të na ndajë ne i dashur. Asgjë nuk mundet. Të dua, Deklan.

-Edhe unë të dua, -tha me zë të ulët dhe e përqafoi. Ishte një përqafim për të cilin të dy kishin nevojë.

Arritën para oborrit të universitetit. I dukej shumë i madh dhe i papërballueshëm, sikur të kishte një jetë që s'kishte shkelur në atë vend. Mori frymë thellë si të parapërgatitej për gjithçka do të ndodhte aty. Por tashmë kishte një qëllim. Do ta çonte këtë gjë deri në fund.

-Do t'ia dalësh, Leira ime, -i tha sikur ta kishte kuptuar më së miri se çfarë i nevojitej të dëgjonte. Me këtë motivim arriti të kalonte pragun e portës dhe të ecte më tej. Vuri re fytyra të njohura, si dhe fytyra që nuk i kishte parë ndonjëherë. Të gjitha të njëjta, me vështrime të ngulura mbi të si të kishte ardhur nga tjetër planet. E kishte parashikuar kohë më parë se do të ndeshej me një situatë të tillë. Pas vdekjes së gjyshes, të gjithë mendonin se Leira kishte luajtur mendsh, dhe u habitën ta shihnin sërish në ambientet e asaj shkolle.

Ndoqi turmën për të kuptuar se në çfarë auditori duhet të përfundonte, duke qenë se ishte treguar e pavëmendshme për të parë orarin. Thuajse askush nuk i fliste, as ata që më parë e kishin konsideruar si shoqe, e aq më pak për të ndenjur me të. Madje kishte edhe nga ata profesorë që e shihnin çuditshëm, ndërsa të tjerë shtireshin se ishin të lumtur për kthimin e saj. Ndoshta disa nga fjalët e Kejlit ishin me vend.

E kishte harruar shpejt mërzinë me të cilën i duhej të përballej kur profesori fliste si të ishte duke biseduar me vete dhe ajo nuk arrinte të merrte dot asnjë shënim të vetëm. Hodhi sytë përreth. Diçka i dukej ndryshe nga herët e tjera. Si të ishte e aftë të ndiente ndonjë lloj energjie brenda secilit student. Sikur ta dinte mjaft mirë se cila ishte shoqja më e mirë e vajzës në rreshtin e fundit apo se djalin në të majtën e saj shpeshherë e zinte paniku kur fliste në seminare, edhe pse nuk njihte asnjërin prej tyre.

"Detyra e një të Dërguari është që të bëjë të mundur që çdo gjë që ndodh në Tokë, për të cilin është përgjegjës rregullatori në të cilin është caktuar i Dërguari, të jetë brenda rregullave të ligjit të Pentagonit. Pra një i Dërguar përcjell urdhrat e Rojtarit në Tokë", -kujtoi. Mirëpo ajo nuk ia kishte idenë se çfarë urdhrash duhet të përcillte, apo se çfarë supozohej të bënte për të ruajtur këtë ligj.

Djali në të majtën e saj i përcillte një lloj energjie negative, të cilën ajo nuk e duronte dot. E dinte se duhej të bënte diçka që ai të dilte nga aty menjëherë, sepse në të kundërt diçka do t'i ndodhte së shpejti.

-Dëshiron të dalësh të marrësh pak ajër? -i foli, por ai thjesht i hodhi një shikim të çuditshëm dhe bëri sikur nuk e dëgjoi. -Të lutem, diçka e keqe do të ndodhë me ty, -përveç atij, edhe disa vajza që arritën të dëgjonin se çfarë tha ajo filluan ta vështronin gjithë habi.

-Më fal? -djali konfuz kërkoi shpjegim. Leira e gjeti veten ngushtë.

-Nuk kam si të ta shpjegoj, por duhet të largohesh menjëherë që këtu.

-E çmendur, -dëgjoi dikë të pëshpëriste nga pas. Sytë iu mbushën me lot se nuk dinte ç'të bënte. Ishte penduar që kishte folur sepse askush nuk po e merrte seriozisht. As ajo nuk do ta merrte seriozisht veten e saj në një tjetër situatë.

Heshti dhe ktheu kokën gjoja për t'u fokusuar në leksion, kur e dinte fare mirë që nuk do e bënte, por shpresonte që të paktën t'u linte të tjerëve këtë përshtypje. Nga djali në të majtë nuk pati më asnjë reagim, përveç spostimit të tij pak më tutje për të qenë sa më larg Leirës. Mirëpo ajo heshtje do të vazhdonte vetëm për pak minuta. Në minutën e ardhshme, djali në të majtë e gjeti veten përtokë duke vjellë me zë të lartë. Kjo gjë i shpërqendroi dhe i alarmoi të gjithë duke i bërë të ngriheshin nga karriget; disa për tu afruar e për të shuar kuriozitetin e disa të tjerë për tu shmangur nga ajo situatë e shpifur.

-Shtrigë! -thirri një nga vajzat që ishte ulur pas saj. -Kjo vajzë është e çmendur! Qëndrojini larg! -fytyra të irrituara shihnin me inat dhe vrer trupin e saj nga koka te këmbët dhe pak nga pak të gjithë filluan ta thërrisnin me emërtime nga më të ndryshmet, derisa bënë të mundur që ajo të vraponte duke qarë për t'u larguar sa më parë që atje.

Kur kishte vrapuar mjaftueshëm larg dhe e ndjeu që u lodh, u ul në stolin e parë që i panë sytë dhe filloi të ngashërehej. Nuk e dinte se kush ishte, çfarë kuptimi kishte ekzistenca e saj apo nëse ndonjë nga fjalët me të cilat u cilësua pak më parë mund të merrej e mirëqenë. Ishte aq e lodhur dhe e raskapitur saqë gjatë gjithë kohës lutej që të ishte në një ëndërr dhe të zgjohej së shpejti. Por asgjë nuk ishte në anën e saj.

-I tillë është fillimi, Leira Paterson, -ngriti kokën. Përballë saj qëndronin pesë njerëz të veshur me të zeza. Lëkura e tyre ishte shumë e bardhë dhe e zbehtë saqë ishte gjëja e parë që të binte në sy. Secili ndryshe nga njëri-tjetri, por shumë të ngjashëm njëkohësisht. Kishin të njëjtën mënyrë qëndrimi, të njëjtën shprehi në fytyrë. Mundi të njihte vetëm njërin prej tyre; Ceresin, Rojtarin e Dashurisë.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now