Leo shkoi gjysmë ore me vonesë në klasë. Trokiti në derë e priti për mësuesin plak të matematikës që të hapte derën e direkt sa u hap ajo, ai hyri brenda duke ngritur dorën si ndonjë fëmijë i lumtur e duke thënë "përshëndetje djema", thjesht sa për të acaruar mësuesin.

  - Ulu shpejt ose do të të vendos mungesë! - ishte ultimatumi i mësuesit e ai s'bëri as gëk, as mëk, s'ia mbante edhe aq me atë të matematikës, ishte si i pritur nga mendja ai.

Kur pas tre orësh ra zilja e pushimit, dolën nga klasa e po vërtiteshin nëpër korridore derisa e ndanë mendjen të dilnin jashtë.

  - Teo, ke për të na qerasur sot, na premtove.

  - Ouu, kur paskam premtuar se s'e mbaj mend.

  - Lëre fare, më mirë të më qerasi Alani sesa të të pres ty.
 
  - Po po, ik or qeras veten!

  - Hë o vëlla hë, mos u bëj kaq i keq, njëri nga ju të dy më premtoi.

  - Unë s'qeras derisa të marr vesh që kam marrë dhjetë në testin e kimisë, - ia priti Teo duke ngritur gishtin tregues përpjetë.

  - Po rrofsh ti! I bie që s'do më qerasësh kurrë!

  - Mjaft bëtë si kalamaj. S'e keni mendjen hiç s'e keni.

Alani ishte gjithmonë më seriozi prej tyre, megjithëse bënte budallallëqe me ta. Ishte më "i maturi"; ai që ua mblidhte mirë Teos dhe Leos kur këta të dy donin të bënin ndonjë idiotësi të pashoqe. Por megjithatë, përsëri kishin një marrëdhënie tepër të ngushtë shoqërore, edhe duke marrë parasysh që ziheshin ditë për ditë se kush do qeraste e kush jo.

Pushimi kaloi (askush prej tyre nuk qerasi, derisa Teo donte të bënte të mirin një minutë para se të binte zilja e mbarimit të pushimit e ia hodhi fajin ziles për mos-qerasjen) dhe ata hynë në klasë.

Orët pasonin njëra-tjetrën derisa më në fund erdhi lënda "e shumëpritur"; kimia. U rreshtuan të tre si shishka peneciline në fund të klasës e po prisnin për mësuesin e kimisë që të hynte brenda.

Ai hapi derën. Hyri në klasë me hapa të rëndë e me një fytyrë serioze.

  - Skandal! - bërtiti i inatosur. - Nxënësit e vitit të tretë dalin skandal në testin e kimisë! T'ju vijë turp t'ju vijë! - përfundoi ai duke shpërndarë i acaruar fletët e testeve në mënyrë që ata të shihnin gabimet që kishin bërë.

Kur ju afrua atyre, fletën në fillim e mori Teo. Kishte marrë pesë. Më pas ishte fleta e Leos. Edhe ai kishte marrë të njëjtën notë, ndërsa notën e Alanit s'e panë, se ishin fokusuar te testi i tyre e çaplonin sytë mbi fletën e bardhë të shkarravitur me stilolapsat e tyre të zinj në përpjekje të krijimit të disa formulave kimike.

  - Pesë... - thanë të dy njëkohësisht e vështruan njëri tjetrin në sy. - Po ti Alan çfarë ke marrë?

Ai vendosi fletën në bangë e ata panë një dhjetë të madhe të vendosur në krye të faqes. Për pak sa nuk ju ra pika.

Diçka ishte e qartë; kur shikoje notën e shokut tënd dhe arrije në përfundimin se të dy kishit dalë për faqe të zezë, atëherë ndiheshe keq. Por kur shikoje fletën e shokut tjetër që merrte dhjetë me pikë të plota, atëherë ndiheshe tmerrësisht keq...

Vështruan me inat mësuesin e kimisë. Diçka me patjetër që do t'i punonin atij si larje hesapesh për atë test.

  - Alan, je brenda? - e pyetën Alanin duke u zgjatur dorën në shenjë pajtimi e në fytyrë ata të dy kishin shikime djallëzore.

  - Brenda jam, - u përgjigj ai duke qeshur e bashkoi duart me ata. - Gjithmonë do të jem, edhe sikur të përfundoj në drejtori për ato gjëra. Ta dini që juve do t'ua hedh fajin, - përfundoi me shaka e ata qeshën në siklet duke menduar se ai vërtet që mund ta bënte diçka të tillë.

Pas mësimit nuk u larguan. Të gjithë nxënësit kishin dalë nëpër korridore, ndërsa ata ishin të vetmit që qëndronin brenda, gjasmë me justifikimin se dëshironin të merrnin mësime shtesë në kimi.
Ai hyri përsëri në klasë i çuditur që ata të tre donin të bënim mësime shtesë. Nuk u tha gjë, por u ul në karrige për të parë librin, ndërsa ata çuçurisnin me njëri - tjetrin duke qeshur.

Alani u ngrit në tabelë për të kryer një ushtrim e ndërkohë që mësuesi s'e kishte mendjen, u mundua të bënte ndonjë budallallëk me pluhurin e shkumësit në shpinën e mësuesit të moshuar. Vizatoi diçka që më mirë të mos përmendet (punë djemsh, kaq mjafton të dini) dhe pasi bëri ushtrimin shpejt e shpejt, u ul përsëri në karrige.

Kaloi një gjysmë ore dhe me aq mbaronte mësimi për atë ditë. Nxënësit s'ishin larguar akoma, se donin të shikonin se ç'do bënin ata. Mësuesi doli prej klasës e të gjithë nxënësit u shkrinë kur panë vizatimin në këmishën e zezë dhe një zemër të kuqe në të pasmet e tij (pantallonat ishin të bardha).

Puna e zemrës ishte kështu; karrigia e tyre kishte ngjyrë të kuqe. Ata kishin marrë bojë me të njëjtën ngjyrë dhe kishin bërë plot merak një zemër të madhe, të kuqe flakë, që kishte përfunduar në pantallonat e mësuesit.

Hynë mes turmës e dolën jashtë shkollës duke vrapuar e duke qeshur. S'ju bëhej vonë fare për pasojat.

  - E çfarë pastaj, - thoshin teksa vraponin. - Kimia ta shpif!

Një magji për dashurinëOnde histórias criam vida. Descubra agora