3 ~ 'Ishte një atentat...'

181 10 202
                                    

'Antonio, jam shumë i lumtur që po të takoj nga afër. Kam dëgjuar shumë për ty. Dhe u bëra goxha kurioz. Mezi prisja të të takoja, po për shkak të punëve në Amerikë, fatkeqësisht, nuk kam mundur.' Pra kemi të bëjmë me fuqi amerikane këtu.

'Zoti Xhejms, kënaqësia është e imja. Babai më ka folur shumë për ju. Mund të them se kurioziteti ka qenë i dyanshëm.' Jam sy e veshë në bisedën e tyre, por s'di çfarë të shënoj. Deri tani asgjë interesante s'po thonë. Thjesht dalloj interesimin që paska ky zoti Xhejms për të njohur më mirë "zotin" Antonio.

'Artani ka bërë një punë të shkëlqyer.
Je vërtetë shumë interesant dhe i edukuar. Do të doja të bisedonim më shumë së bashku në fakt! Por kam frikë se eventi i sotshëm nuk na e lejon diçka të tillë. Ka shumë të ftuar. Sigurisht, do të merresh edhe me ta.'

'Ju falenderoj për mirëkuptimin, zoti Xhejms! Sigurisht, ju e kuptoni më mirë se unë botën e biznesit dhe eventet e tilla. Por me kënaqësi, mund të vendosim një takim së shpejti. Po jua lë juve në dorë datën dhe orën.' Më në fund diçka për t'u shënuar; takimi i tyre.

'Oh, një ide e përsosur. Më fal një minutë sa të kontrolloj axhendën në telefon. Jo se kam ndonjë takim pune, por... ime shoqe ka takim me onkologun.' Shoh e hutuar drejt tyre. Onkolog? Mos ndoshta ka të bëjë me... Oh, më vjen keq për atë zonjë. Uroj të jetë mirë!

'Si është zonja Safete? Po e merr veten besoj. I uroj të shkuara dhe qoftë me aq!'

'Faleminderit shumë, Antonio! Kemi kaluar një periudhë jo të mirë, ka qenë shumë stresuese për të gjithë familjarisht, por gjërat po përmirësohen, falë Zotit. Çdo gjë është në rregull. Safetja është e fortë, dhe sigurisht ia doli!'

'Jam shumë i lumtur ta dëgjoj këtë lajm. Do të më pëlqente nëse në takim do të vinte edhe bashkëshortja juaj. Por sigurisht, vetëm nëse ka mundësi dhe dëshirë.'

'Në fakt... Safetja është shumë e lumtur që jemi kthyer në Shqipëri. I kishte munguar gjithçka këtu, por nuk kemi patur kohë të mjaftueshme për të shëtitur vërdallë, pasi ndryshimi i klimës i ndikoi pak në shëndet. Por... jam i bindur, tani që ndihet më mirë do i pëlqejë shumë kjo ide. E kontrollova axhendën dhe... mund të takohemi javën tjetër, të shtunën.' Mbaj shënim Bebe! Të shtunën e javës tjetër kemi takim. Zonjës i mungon Shqipëria. Hm, kam disa ide në lidhje me këtë.

'Sigurisht, si Shqipëria nuk ka! Jemi mësuar tashmë këtu dhe na mungon kur largohemi. E kam përjetuar vetë kur isha në Londër me studime. E kuptoj mirë zonjën Safete.' Normal, kështu është për ju të pasurit. Jeni mirë këtu ju, se keni gjithçka që doni. Kurse njerëzit e shkretë që s'kanë bukë të hanë... duan të largohen jashtë, për një jetë më të mirë.

Ne të tre... te grupi i njerëzve të shkretë bëjmë pjesë, mirëpo kemi vendosur të qëndrojmë këtu edhe për njëfarë kohe, sa t'ju zhvasim mirë e mirë juve dhe më pas do të largohemi shumë larg, sa të ikin zërat e zhvatjes. Dhe kur të kthehemi... të gjithë do të na përulen në gjunj sepse do të kemi para.

'Nuk ka si vendi ynë, vërtetë. Antonio, më bëhet shumë qejfi që patëm mundësi të takoheshim dhe të bisedonim. Sado bisedë e shkurtër ishte, mua më shijoi goxha. Tani më duhet të largohem sepse kam një udhëtim për të bërë. Po të lë të merresh me pjesën tjetër të të ftuarve. Mirupafshim dhe... shihemi të shtunën e ardhshme!'

'Edhe njëherë, kënaqësia ishte e imja zoti Xhejms. Jam i lumtur që do të kemi mundësi të bisedojmë më shumë së bashku. Ju uroj një udhëtim të mbarë dhe... mirë u takofshim të shtunën që vjen!' Uh, kaq formalitete. Sa e mërzitshme. Shyqyr që mbaruan se nuk kisha më nerva të dëgjoja apo mbaja shënim.

ZhvatësitWhere stories live. Discover now