Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"
1.
Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej mish. Pazari ishte zgjuar
i pari dhe pas tij ishte zgjuar qyteti. Zakonisht, qyteti lodhej në pazar
dhe çlodhej në kishë. Por ishte e diel dhe jo të gjithë punonin. Ishte një
ditë pazari dhe jo të gjithë shkonin në kishë. Fshatarët kishin ditën e
tyre të punës. Qytetarët kishin ditën e kishës dhe të pazarit. Gratë
dilnin nga mesha e mëngjesit, shkonin në pazar, ku i frynin trastat si
gjinj, dhe pastaj ktheheshin në shtëpi. Kur ato vonoheshin pas gjërave të
panevojshme, fëmijët i prisnin me gojë hapur. Burrat pinin duhan në hije
dhe shikonin gratë. Kafshët rrinin në diell dhe, duke pritur të shiteshin,
shikonin burrat. Ata që kishin vapë freskoheshin në liqen. Por qyteti
ishte në mes të maleve dhe jo të gjithë dinin not.
Deri kur u mbyll pazari ai nuk i shiti dot dy delet e tij. Mblodhi paratë
që kishte fituar dhe u nis.
Xhamia ishte në të dalë të qytetit. Në dimër ajo rrugë ishte e pushtuar
nga balta, por atë ditë bënte zheg dhe toka digjte mbi kokë dhe nën këmbë.
Dera e xhamisë ishte e mbyllur. Ai trokiti me një gur mbi portën e vogël.
Imami u shfaq pas pak duke lidhur tyrben mbi kokën e rruar. Alekum Selam.
Mirëdita, i tha ai. Dua të bëhem mysliman. Urdhëro, e ftoi imami. Je i
pari që vjen sot. Të krishterët merren me tregti të dielave. U fut brenda
dhe pati ftohtë. U ulën të dy përballë njëri-tjetrit mbi një rrogoz, i
cili në anën e tij dukej më pak i përdorur. Xhamia ishte bosh. Dielli
hynte me zor nga katër kamare të vogla, të shpërndara nga një në çdo faqe
muri. Në një cep të errët mezi dukej një tenxhere e madhe dhe pranë saj
bukë dhe disa kokrra ullinj. Je në shtëpinë e Zotit, i tha imami, si për
t'i thënë mos u habit. A ha Zoti ullinj, qeshi ai duke u përpjekur ta
ngrohte xhaminë me shaka. Imamit nuk i lëvizi asnjë muskul. Ullinjtë i ha
unë. Doktorët thonë se bëjnë mirë për veshkat.
Pse do të vish në Islam, e pyeti thatë imami, pa e lënë të vazhdonte
udhëtimin e tij nëpër muret bosh të xhamisë. Aliu iu përgjigj se nuk
kishte ndonjë shkak, por mendonte se Islami është një gjë që duhet
provuar. Unë fitoj sa për t'u ushqyer, nisi të shpjegonte. Nuk kam ndonjë
arsye të veçantë. Islami është feja e Perandorisë dhe unë e respektoj si
një shtetas i rregullt. Nga Islami vijnë ligjet, taksat, ushtria dhe
drejtësia. E këto nuk mund t'i zbatosh si duhet po nuk njohe burimin e
tyre të vërtetë. Shpejt ose vonë, të gjithë do të bëhen myslimanë. Babai
më ka thënë që punën e sotme mos e lër për nesër. Unë zgjohem herët në
mëngjes, si kafshët që shes dhe shëroj, prandaj nuk e kam vështirë të
falem në oraret që përcakton feja juaj. Njoh shumë të tjerë që do të ishin
bërë myslimanë në qoftë se do të kishin regjimin e bagëtive.
Sa vjeç je? Tridhjetë e nëntë i mbusha në korrik. Ka myslimanë të tjerë në
fshatin tënd? Jo, tha ai, unë do të jem i pari. Njeh ndonjë mysliman
tjetër? Kroi kokën dhe u kujtua. Njoh Ali Tepelenën. Ç'është ky, tha
imami. Aliu është kusar. I zë pritë karvanëve dhe grabit ushqime, mallra
dhe kafshë, që pastaj i shet. Kohët e fundit ka marrë një titull nga
Stambolli dhe trimat e tij e thërrasin dervenxhi. Tani kontrollon rrugët
dhe grykat nga kalojnë karvanët dhe i ka bërë zap gjithë kusarët e tjerë.
Askush nuk vjedh dot pa lejen e tij. Para disa muajsh u fsheh në shtëpinë
time se e ndiqnin ushtarët e Kurt Pashës për ta vrarë. Kuajt i sjell tek
unë për t'i shëruar dhe prandaj jemi njohur. A të ka folur Aliu për
Islamin? Po. Njëherë ai më tha se sikur Muhamedi të ishte shqiptar, grekët
do ta kishin vrarë atë. Imami nuk lëvizi, por diçka mërmëriti. Në qoftë se
Muhamedi do të ishte shqiptar, grekët do të ishin çifutë dhe çifutët nuk e
vranë dot Muhamedin. Megjithatë, Muhamedi nuk mund të ishte shqiptar. Të
gjithë profetët kanë lindur në shkretëtirë aty ku nuk ka ujë dhe nuk ka


